LAJMI I FUNDIT:

Reshjet e shiut vazhdojnë edhe nesër, nuk ka rrezik për vërshime

Reshjet e shiut vazhdojnë edhe nesër, nuk ka rrezik për vërshime
Foto: Arkiv

Reshjet e shiut në territorin e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë deri në  paraditen e së mërkurës, ndërkaq nuk parashihet të ketë rrezik për vërshime.

Kështu kanë bërë të ditur për Telegrafin nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.


Hidrologu i Lartë në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, Bashkim Kastrati për Telegrafin ka thënë se nuk ka vend për shqetësim sa u përket vërshime.

“Kemi publikuar një njoftim formal. Kjo faktikisht kalon shumë shpejt, nuk ka vend për shqetësim për vërshime. Kemi njoftuar në mënyrë që të mos zihen të papërgatitur, mos të na zë sikur në Pejë që kishte vërshime. Kjo është sa i përket vërshimeve. Nuk ka problem edhe nuk ka nevojë për shqetësim”, tha Kastrati për Telegrafin.

Ndërsa meteorologu, Besim Aliu ka thënë se reshjet e shiut do të vazhdojnë deri në paraditen e së mërkurës.

Foto: Ridvan Slivova

Ai shtoi se nga dita e enjte do të fillojë kthjellimi i motit dhe temperaturat do të jenë tipike vjeshtore.

“Reshjet e shiut do të vazhdojnë gjatë ditës së sotme dhe pjesës së parë të ditës së nesërme. Reshjet e ditës së nesërme do të jenë vende-vende. Temperaturat minimale do të ulen, do të sillen nga 6 deri në 11 gradë celsius, kurse maksimalet do të arrijnë deri në 21 gradë celsius. Erë do të ketë nga veriperëndimi, kurse shpejtësia do të arrijë nga 1 deri në 17 m/s. Pas ditës së enjte do të kemi kthjellime dhe temperatura tipike vjeshtore”, tha Aliu.

Foto: Ridvan Slivova
Reshjet e shiut i shndërrojnë në 'lumenj' rrugët e Pejës
Lexo po ashtu Reshjet e shiut i shndërrojnë në 'lumenj' rrugët e Pejës

Ndryshe, fundjavën që lamë pas në qytetin e Pejës pati vërshime nga reshjet e mëdha të shiut. /Telegrafi/