Debati rreth rënies së Vëllaznimit nga elita e basketbollit kosovar dhe mënyrës së renditjes në Superligën e basketbollit të Kosovës ka nxitur reagime të forta nga akterët kryesorë, duke hapur diskutime për interpretimin e rregullave dhe përputhshmërinë e tyre me standardet ndërkombëtare.

Rasti i Vëllaznimit është kthyer në një çështje të ndjeshme, ku përplasja mes propozicioneve vendore dhe rregullave të FIBA-s ka prodhuar paqartësi dhe pakënaqësi.


Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka folur për KosovaPress rreth kësaj çështje, ku ka sqaruar situatën duke theksuar se në fund të stinorit tri skuadra kishin pikë të barabarta, çka e bëri të domosdoshëm interpretimin e kritereve shtesë për renditje.

Ai ka bërë të ditur se ndonëse propozicionet e garave parashihnin që në raste të tilla të merrej për bazë koshaverazhi, në fund ka mbizotëruar interpretimi sipas rregullave të FIBA-s, ku prioritet ka raporti fitore-humbje mes ekipeve.

Fetahu ka pranuar se nga ana e federatës ka pasur një lëshim teknik që ka krijuar konfuzion tek klubet.

Ai ka theksuar se ky interpretim fillimisht ishte konfirmuar, por më pas ishte korrigjuar brenda së njëjtës ditë, duke shtuar se megjithatë ekipet kanë qenë në dijeni për mënyrën përfundimtare të vendimmarrjes para zhvillimit të ndeshjeve vendimtare.

“Megjithatë, duhet pranuar që ka pasur një lëshim teknik, për shkak se ky interpretim i cili ka qenë në propozicionet e garave, është konfirmuar edhe prej Komisionit të Garave si një prej formave me të cilat do të rregullohet kjo çështje, pastaj është korrigjuar brenda të njëjtës ditë”.

“Por, e kuptoj Vëllaznimin për ankesën të cilën e ka dërguar, për shkak se vetë prej Federatës së Basketbollit të Kosovës është shkaktuar hutia, ndoshta prej organeve të federatës. Megjithatë, është zgjidhur kjo përfundimisht edhe para se të zhvillohej kjo ndeshje dhe e kanë ditur edhe Vëllaznimi edhe ekipet e tjera se si do të interpretohet në fund kjo punë, sepse nuk ka mundësi tjetër të interpretohen ndryshe fare”, ka thënë Fetahu.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i KB Vëllaznimit, Egzon Doli, ka paraqitur një qëndrim kundërshtues ndaj vendimeve të federatës, duke u bazuar në dispozitat që i japin autonomi federatave kombëtare për të rregulluar garat e tyre.

Ai ka theksuar se sipas propozicioneve të miratuara për këtë sezon, në rast të barazimit mes tri skuadrave kriter vendimtar duhet të ishte vetëm koshaverazhi, i cili në këtë rast ishte në favor të Vëllaznimit.

“Siç e kemi paralajmëruar edhe në prononcimet e tjera, do të thotë këtë çështje do ta ndjekim edhe pranë Këshillit të Arbitrazhit Sportiv dhe gjykatave kompetente në mënyrë që të vihet në zbatim ligjshmëria siç edhe jemi duke e kërkuar në rastin konkret”, bëri të ditur Doli./Telegrafi/

telegrafi sport app