Real Madridi e ka siguruar një vend në finalen e EuroLeague, pasi i mbijetoi një përballjeje me shumë pikë ndaj Valencia Basket, duke fituar 105-90 në Athinë.

Gjysmëfinalja u shndërrua menjëherë në një spektakël ofensiv, me të dyja skuadrat që sulmuan vazhdimisht koshin dhe e rritën ritmin që në minutat e para.


Valencia e mbylli çerekun e parë me një epërsi të ngushtë 28-26, por ritmi i shënimit ishte tashmë historik. Për krahasim, gjysmëfinalja tjetër mes Olympiacos dhe Fenerbahces ishte vetëm 33-24 në pushim, ndërsa Valencia kishte arritur 33 pikë pas vetëm 12 minutash lojë.

Real Madridi reagoi shpejt dhe shkoi në pushim me epërsi 62-56, falë paraqitjeve të forta në sulm nga Mario Hezonja dhe Trey Lyles.

Pjesa e parë hyri gjithashtu në librat e rekordeve të EuroLeague. Real Madridi dhe Valencia shënuan së bashku 118 pikë në 20 minutat e para, pjesa e parë me më së shumti pikë në historinë e një ndeshjeje Final Four, duke e thyer rekordin e mëparshëm prej 110 pikësh, të vendosur në finalen e vitit 2013.

Real Madridi vendosi po ashtu një rekord të ri të Final Four-it me 62 pikë në pjesën e parë, ndërsa dy ekipet spanjolle shënuan së bashku 54 pikë në çerekun e pare, çereku i parë me më së shumti pikë ndonjëherë në një gjysmëfinale të EuroLeague.

Në finale, Reali do të përballet me Olympiacos, i cili në gjysmëfinalen e parë e mposhti Fenerbahcen me rezultat 79-61./Telegrafi/

telegrafi sport app