LAJMI I FUNDIT:

Rënia e Lirës turke vazhdon

Rënia e Lirës turke vazhdon

Monedha e Turqisë ra përsëri të hënën, pasi vendi u përball me një krizë që ka tronditur tregjet në mbarë botën. Lira turke ra më shumë se 11% kundrejt dollarit amerikan, pasi tregjet u hapën në Azi përpara se të mbulonin disa nga humbjet e saj në tregti.

Lira kishte rënë me më shumë se 20% javën e kaluar, pasi përplasjet politike me Shtetet e Bashkuara u intensifikuan dhe investitorët vunë re mungesën e veprimit të qeverisë turke për të trajtuar problemet që pengojnë zhvillimin e saj ekonomik.


Rënia e lirës ka krijuar tregje globale të paqëndrueshme. Bankat europiane janë nën presion të veçantë për shkak të shqetësimeve rreth ekspozimit të huadhënësve ndaj Turqisë, shkruan CNN. Të hënën, rezervat ranë 2% në Tokio dhe më shumë se 1% në Hong Kong.

Ekonomistët po paralajmërojnë se nëse besimi nuk do të restaurohet shpejt, Turqia mund të bjerë në një krizë recesioni dhe borxhi që kërkon një shpëtim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

“Investitorët janë të shqetësuar qartazi se qeveria e Turqisë nuk do të veprojë (ose të lejojë bankën qendrore të veprojë) për të rritur monedhën dhe frika po rritet. Kjo mund të rezultojë në një krizë në sektorin bankar të Turqisë”, shkroi William Jackson, ekonomist në firmën kërkimore Capital Economics, në një shënim për klientët ditën e premte.

Lira është ulur më shumë se 40% kundrejt dollarit që nga fillimi i vitit, duke ua bërë shumë më të vështirë kompanive turke të paguajnë huatë që kanë marrë, në monedhën amerikane.

Ministri i Financave i Turqisë, Berat Albajrak tha në një intervistë për gazetën turke Hurriyet të dielën se qeveria ka hartuar një plan veprimi ekonomik që do të fillojë të zbatohet të hënën në mëngjes.

Albayrak, nuk ka specifikuar se çfarë do të përfshijë plani. Ai tha se bankat e vendit dhe rregullatori bankar do të marrin masat shpejt. /Telegrafi/