LAJMI I FUNDIT:

Reminishencat e romancierit

Reminishencat e romancierit

Nga: Patrick Modiano
Përktheu: Avni Spahiu

– Ligjërata e Nobelit, 7 dhjetor 2014 –

Unë thjesht do të doja t’ju thosha se sa i lumtur jam që gjendem këtu me ju dhe sa i prekur jam nga nderi që më keni bërë me dhënien e çmimit Nobel për letërsi.

Është hera e parë që më duhet të mbaj një fjalim para një auditori kaq të madh dhe po ndihem disi i frikësuar për këtë gjë. Është e lehtë të imagjinohet se kjo lloj gjëje i vjen natyrshëm dhe lehtë një shkrimtari. Por një shkrimtar – të them, së paku një romancier – shpesh ka një marrëdhënie të vështirë me fjalën. Duke kujtuar mënyrën sesi mësimet shkollore bëjnë dallimin midis të shkruarës dhe gojores, një romancier ka më shumë talent për detyra me shkrim sesa për ato me gojë. Ai është mësuar të heshtë dhe, nëse dëshiron të krijojë një atmosferë, ai duhet të përzihet me turmën. Ai dëgjon biseda pa u dukur dhe, nëse futet në këtë, e bën gjithmonë në mënyrë që të bëjë disa pyetje diskrete që ta përmirësojë kuptimin e tij për gratë dhe burrat përreth tij. Fjalimi i tij është hezitues ngaqë ai është mësuar t’i kapërcejë fjalët e tij. Është e vërtetë që pas disa rirreshtimeve stili i tij mund të jetë i qartë si kristali. Por, kur merr fjalën, ai nuk ka më asnjë mjet në dispozicion për ta korrigjuar fjalimin e tij përpëlitës.

Edhe unë i përkas një brezi në të cilin fëmijët janë parë, por nuk janë dëgjuar, përveç në raste të caktuara të rralla dhe vetëm pasi të kishin kërkuar leje. Por askush nuk i dëgjonte dhe njerëzit shpesh flisnin përtej tyre. Kjo shpjegon vështirë¬sinë që disa prej nesh kanë kur flasin – herë hezitojnë, herë shumë shpejt sikur presin që të ndërpriten në çdo çast. Kjo është, ndoshta, arsyeja pse dëshira për të shkruar më erdhi, si shumë të tjerëve, në fund të fëmijërisë sime. Ju shpresoni që të rriturit do të lexojnë ato që shkruani. Në atë mënyrë ata do të duhet t’ju dëgjojnë pa ndërprerë dhe ata do ta dinë mirë se çfarë keni në gjoks.

Shpallja e këtij çmimi më dukej joreale dhe isha i etur të dija pse më zgjodhët mua. Atë ditë nuk mendoj se kisha qenë ndonjëherë më i vetëdijshëm se sa i verbër është një romancier kur bëhet fjalë për librat e tij dhe se sa më shumë dinë lexuesit për ato që ai ka shkruar sesa ai. Një romancier nuk mund të jetë kurrë lexuesi i vet, përveç kur herr dorëshkrimin e tij nga gabimet sintaksore, përsëritjet e ndonjë paragrafi të tepërt të rastit. Ai nuk ka pos një përshtypjeje të pjesshme dhe të hutuar mbi librat e tij, si një piktor që krijon një afresk në tavan, i shtrirë në një skelë dhe duke punuar me detajet, shumë afër, pa asnjë vizion të veprës si tërësi.

Të shkruarit është një aktivitet i çuditshëm dhe i vetmuar. Ka raste shpërdoruese kur filloni të punoni në faqet e para të një romani. Çdo ditë keni ndjenjën se jeni në rrugën e gabuar. Kjo krijon një dëshirë të fortë për t’u kthyer dhe për të ndjekur një rrugë tjetër. Është e rëndësishme të mos i nënshtroheni këtij gjakimi, por të vazhdoni. I ngjanë paksa ngasjes së një makine gjatë natës, në dimër, në akull, me shikueshmëri zero. Ju nuk keni zgjidhje, nuk mund të ktheheni në anën e kundërt, duhet të vazhdoni përpara, ndërsa i thoni vetes se gjithçka do të jetë mirë kur rruga të bëhet më e qëndrueshme dhe mjegulla të davaritet.

Kur do të mbaroni një libër ndiheni sikur ai po fillon të shkëputet dhe tashmë po merr frymën e lirisë, si nxënësit në shkollë në klasë një ditë para pushimit të verës. Ata janë të shpërqendruar dhe të zhurmshëm dhe nuk i kushtojnë më vëmendje mësuesit të tyre. Unë do të shkoja aq larg sa të thosha që, derisa shkruani paragrafët e fundit, libri shfaq një farë armiqësie për nxitimin e tij për t’u çliruar nga ju. Dhe të lë, mezi të jep kohë të shkruash fjalën e fundit. Ka mbaruar – libri nuk ka më nevojë për ju dhe tashmë ju ka harruar. Ka dhe një lloj zhgënjimi për shkak të kësaj lidhjeje midis jush dhe librit që u shkëput tepër shpejt. Pakënaqësia dhe ndjenja e diçkaje të papërfunduar ju shtyn ta shkruani librin tjetër, në mënyrë që ta rivendosni ekuilibrin, diçka që nuk ndodh kurrë. Ndërsa vitet kalojnë, librat ndjekin pas njëri-tjetrin dhe lexuesit flasin për një ‘trup pune’. Por për ju, ekziston një ndjenjë se e gjitha ishte vetëm një nxitim theqafës përpara.

Kështu që po, lexuesi di më shumë për një libër sesa vetë autori. Diçka ndodh midis një romani dhe lexuesit të tij, që është e ngjashme me procesin e zhvillimit të fotografive, mënyrën se si ata e bënin atë para epokës digjitale. Fotografia, siç ishte shtypur në dhomën e errët, bëhej e dukshme pak nga pak. Ndërsa lexoni rrugën tuaj përmes një romani, zhvillohet i njëjti proces kimik. Por që të ekzistojë një harmoni e tillë midis autorit dhe lexuesit të tij, është e rëndësishme që kurrë të mos e teproni me lexuesin – në kuptimin që flasim për këngëtarë, që e tejkalojnë zërin e tyre – por për ta qortuar atë në mënyrë të padukshme, duke lënë hapësirë të mjaftueshme që libri ta përshkojë pak nga pak, me anë të një arti që i ngjan akupunkturës, në të cilën gjilpëra thjesht duhet të futet pikërisht në vendin e duhur për ta çliruar rrjedhën në sistemin nervor.Ma ha mendja se edhe bota e muzikës ka një ekuiva¬lent me këtë marrëdhënie intime dhe plotësuese midis romancierit dhe lexuesit të tij. Gjithmonë kam menduar se shkrimi është afër muzikës, ndonëse më pak i pastër dhe gjithmonë u mbaj zili muzikantëve që, për mendjen time, praktikojnë një art që është më i lartë se romani. Poetët, gjithashtu, janë më pranë muzikantëve sesa romancierëve. Kam filluar të shkruaj poezi që si fëmijë, dhe sigurisht që kjo është arsyeja pse një vërejtje që lexova diku më goditi aq shumë: ‘Shkrimtarët e prozës krijohen nga poetë të këqij’. Për një romancier, në kuptim të muzikës, kjo shpesh është çështje e mprehtësisë së të gjithë njerëzve, peizazheve, rrugëve që ai ka qenë në gjendje të vëzhgojë në një rezultat muzikor që përmban të njëjtat fragmente melodike nga një libër në tjetrin, por që atij do t’i duket se është i papërsosur. Novelisti atëherë do të pendohet që nuk ka qenë një muzikant i pastër dhe që nuk ka kompozuar Nokturnot e Shopenit.

Mungesa e vetëdijes dhe distancës kritike të një romancieri ndaj objektit të tij të punës ndodh për shkak të një fenomeni që kam vërejtur te vetja dhe te shumë të tjerë: sa më shpejt që të shkruhet, çdo libër i ri fshin atë të fundit, duke më lënë me përshtypjen se e kam harruar. Kisha menduar se po shkruaja libra njëri pas tjetrit në një mënyrë të shkëputur, në periudha të njëpasnjëshme të harresës, por shpesh të njëjtat fytyra, të njëjtët emra, të njëjtat vende, të njëjtat fraza vazhdojnë të rikthehen në libër pas libri, si mostra në një sixhade të endur gjysmë i fjetur. Gjysmë i fjetur apo duke ëndërruar ditën. Një romancier shpesh është një somnambul, aq i zhytur është në atë që duhet të shkruajë dhe është natyrisht shqetësuese kur kalon rrugën në rast se e përplasin. Mos harroni, megjithatë, saktësinë ekstreme të personave që ecin në gjumë që ecin mbi çati pa u rrëzuar kurrë.

Fraza që më ra në sy në deklaratën pas shpalljes së këtij çmimi Nobel ishte një aludim mbi Luftën e Dytë Botërore: ‘ai zbuloi botën e jetës në pushtim’. Si të gjithë të tjerët të lindur më 1945, unë isha një fëmijë i luftës dhe, më saktësisht, sepse kam lindur në Paris, një fëmijë që i detyrohej lindjes së tij, Parisit të pushtimit. Ata që jetuan në atë Paris dëshironin ta harronin atë shumë shpejt ose, të paktën, të mbanin mend vetëm hollësitë e përditshme, ato që paraqitnin iluzionin se jeta e përditshme nuk ishte aq ndryshe nga jeta që ata bënin në kohë normale. E gjitha ishte një ëndërr e keqe, me pendesën e paqartë për të qenë në një farë kuptimi të mbijetuar. Më vonë, kur fëmijët e tyre u bënë pyetje në lidhje me atë periudhë dhe atë Paris, përgjigjet e tyre ishin evazive. Ose, në të kundërtën, ata heshtnin sikur donin të shpëlanin ato vite të errëta nga kujtesa e tyre dhe të mbanin diçka të fshehur prej nesh. Por, të ballafaquar me heshtjen e prindërve tanë, ne i kuptonim të gjitha sikur t’i kishim jetuar vetë.

Ai Paris i pushtimit ishte një vend i çuditshëm. Në sipërfaqe jeta vazhdonte ‘si më parë’ – teatrot, kinematë, sallat e muzikës dhe restorantet ishin të hapura për biznes. Kishte këngë që luanin në radio. Pjesëmarrjet në teatër dhe kinema ishin, në fakt, shumë më të larta se para luftës, sikur këto vende të ishin strehimore ku njerëzit mblidheshin dhe përqesheshin pranë njëri-tjetrit për t’u siguruar. Por ka detaje të çuditshme që tregojnë se Parisi nuk ishte aspak si më parë. Mungesa e makinave e shndërroi atë në një qytet të heshtur – një heshtje që shpalonte shushurimën e pemëve, mprehtësinë e thundrave të kuajve, zhurmën e hapave të turmës dhe zhurmën e zërave. Në heshtjen e rrugëve dhe ndërprerjes së errët të vendosur rreth orës pesë të dimrit, gjatë së cilës ndalohej drita më e vogël nga dritaret, ky qytet dukej sikur i mungonte vetvetes – qyteti ‘pa sy’, siç thoshin pushtuesit nazistë. Të rriturit dhe fëmijët mund të zhdukeshin pa lënë gjurmë nga një çast në tjetrin dhe, madje, edhe midis miqve, asgjë në të vërtetë nuk thuhej hapur dhe bisedat nuk ishin kurrë të sinqerta për shkak të ndjenjës së kërcënimit në ajër.

Në këtë Paris, nga një ëndërr e keqe, ku dikush mund të denoncohej ose të kapej në një ndonjë arrestim masiv në dalje të ndonjë stacioni të metrosë, takime të rastësishme zhvilloheshin midis njerëzve, rrugët e të cilëve nuk do të takoheshin kurrë në kohë paqeje, lidhje të brishta dashurie lindnin në errësirat e shtetrrethimit, pa asnjë siguri takimi përsëri në ditët që pasonin. Më vonë, si pasojë e këtyre takimeve shpesh jetëshkurtra dhe ndonjëherë të paqarta, lindnin fëmijë. Kjo është arsyeja pse për mua Parisi i pushtimit ishte gjithmonë një lloj errësire e lashtë. Pa të nuk do të kisha lindur kurrë. Ai Paris nuk pushoi së më ndjekuri dhe librat e mi lahen herë-herë në dritën e tij të mugët.Dhe këtu qëndron prova se një shkrimtar shënjohet në mënyrë të pashlyeshme me datën e lindjes së tij dhe nga koha e tij, edhe nëse ai nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në veprim politik, edhe nëse ai jep përshtypjen e një të vetmuari të mbyllur në atë që njerëzit e quajnë ‘kulla e tij e fildishtë’. Nëse ai shkruan poezi, ato pasqyrojnë kohën në të cilën ai jeton dhe që nuk do të ishin shkruar kurrë në një epokë tjetër.Kjo është veçanërisht e vërtetë në një poezi të Jejtsit (Yeats), shkrimtarit të madh irlandez, të cilin gjithmonë e kam parë thellësisht prekëse: Mjellmat në Coole. Në një park Jejts kundron disa mjellma që rrëshqasin mbi ujë:

Vjeshta e nëntëmbëdhjetë më ka ardhur
Qëkur për herë të parë fillova t’i numëroja;
Pashë, para se të kisha mbaruar mirë,
Fare papritmas krrokamat
Dhe kërcitjet e rrotave në vargonj të thyer
Mbi krahët e tyre zhurmëmëdhenj.

Por tani ato rrëshqasin mbi ujin e qetë
Misterioze, plot hirësi;
Ndër ç’guva vallë do të mbarojnë,
Në ç’tef pellgu a liqeni
Për kënaqësinë e burrave, kur do të zgjohem një ditë
E të shoh se si ato kanë ikur larg?

Mjellmat shfaqen shpesh në poezinë e shekullit XIX – te Bodleri (Baudelaire) apo te Malarmeu (Mallarmé). Por kjo poezi nga Jejtsi nuk mund të ishte shkruar në shekullin XIX. Ajo ka një ritëm të veçantë dhe një melankoli që e vendos atë në shekullin XX, madje edhe në vitin në të cilin është shkruar.

Një shkrimtar i shekullit XX gjithashtu mund të ndihet herë-herë në kohën e tij dhe leximi i romancierëve të mëdhenj të shekullit XIX – Balzaku, Dikensi, Tolstoj, Dostojevski – mund të sjellë njëfarë nostalgjie. Në ato ditë koha kalonte më ngadalë sesa sot dhe kjo ngadalësi i përshtatej veprës së roma¬ncierit sepse i lejoi atij ta marshonte energjinë dhe vëmendjen e tij.

Koha është përshpejtuar që nga ajo etapë dhe ecën përpara sa çelë e mbyll sytë – duke shpjeguar ndryshimin midis ngrehi¬nave të larta letrare të së kaluarës, me arkitekturat e tyre të ngjashme me katedralen dhe veprave të ndara dhe të copëzu¬ara të së sotmes. Nga kjo pikëpamje, gjenerata ime paraqet një tranzicion, dhe unë do të isha kurioz të dija se si brezat e ardhshëm, të lindur me internet, telefona celularë, postë elektronike dhe cicërima, do të shprehin përmes letërsisë këtë botë në të cilën të gjithë janë përgjithmonë ‘të lidhur’ dhe ku ‘rrjetet sociale’ po ushqehen me atë pjesë të intimitetit dhe fshehtësisë që ishte ende fusha jonë deri në kohët e fundit – sekreti që u dha thellësi individëve dhe që mund të bëhej temë kryesore në një roman. Por unë do të qëndroj optimist për të ardhmen e letërsisë dhe jam i bindur që shkrimtarët e së ardhmes do ta ruajnë trashëgiminë ashtu siç ka bërë çdo brez që nga Homeri e këtej…

Dhe, përveç kësaj, një shkrimtar gjithmonë arrin të shprehë diçka të përjetshme në veprën e tij edhe nëse ai, si çdo artist tjetër, është aq i lidhur me moshën e tij sa nuk i shpëton dot asaj dhe ajri i vetëm që merr frymë është ajri i zeitgeist-it. Në veprat e Racinit apo të Shekspirit, ka pothuajse pak rëndësi nëse personazhet janë të veshur me kostum periudhe apo regjisori dëshiron t’i vendosë me xhinse dhe me një xhaketë lëkure. Këto janë hollësi të parëndësishme. Derisa lexojmë Tolstojin, Ana Karenina ndihet aq afër nesh pas një shekulli e gjysmë saqë harrojmë se ka veshur fustane nga viti 1870. Dhe, ka disa shkrimtarë, si Edgar Alan Po, Melvilli apo Stendali, të cilët kuptohen më mirë dy shekuj pas vdekjes së tyre nga ç’kuptoheshin nga bashkëkohësit e tyre. Në fund të fundit, sa larg mbetet saktësisht një romancier? Në kufijtë e jetës për ta përshkruar atë, sepse nëse zhyteni në të – në veprim – imazhi që keni për të është i përzier. Por kjo distancë e lehtë nuk e kufizon aftësinë e autorit për t’u identifikuar me personazhet e tij dhe njerëzit që e frymëzojnë atë në jetën reale. Flobri (Flaubert) tha: ‘Madam Bovari jam unë’. Tolstoj menjëherë u identifikua me gruan që ai pa duke u hedhur poshtë një treni një natë në një stacion në Rusi. Kjo dhuratë e identifikimit shkoi aq larg saqë Tolstoj u shkri me qiellin dhe peizazhin që ai po përshkruante dhe që e kapërdinë plotësisht, deri në rënien më të vogël të qerpikut të Ana Kareninës. Kjo gjendje e transponimit është e kundërta e narcizmit, pasi nënkupton një ndërthurje të njëkohshme të vetëharresës me përqendrim suprem në mënyrë që të mos humbasin hollësitë më të vogla. Kjo bart me vete edhe një vetmi të caktuar. Kjo nuk do të thotë kthim brenda, por ju lejon të arrini një shkallë të vëmendjes dhe hiperkthjelltësisë kur vëzhgoni botën e jashtme, e cila më pas mund të transferohet në një roman.

Kam menduar gjithmonë se poetët dhe romancierët janë në gjendje t’i veshin individët me një mister, duke i bërë të mbingarkuar nga jeta e përditshme dhe gjërat që duken banale – dhe arsyeja që ata mund ta bëjnë këtë është ngaqë ata i kanë vëzhguar ata herë pas herë me vëmendje pothuajse hipnotikisht të qëndrueshme. Nën vështrimin e tyre, jeta e përditshme përfundon duke u mbështjellë me mister dhe duke marrë një lloj cilësie shkëlqimi në errësirë, të cilën nuk e kishte në shikim të parë, por që ishte fshehur thellë poshtë. Është roli i poetit dhe romancierit, si dhe i piktorit, që ta zbulojë misterin dhe cilësinë shkëlqim-në-errësirë që ekziston në thellësitë e çdo individi. I afërmi im i largët, piktori Amedeo Modiliani (Modigliani), më vjen në mendje. Në pikturat e tij më tërheqëse, modelet që ai zgjodhi ishin njerëz anonimë, fëmijë dhe vajza rruge, çupa, fermerë të vegjël, çirakë të rinj. Ai i pikturonte ato me një rënie intensive të furçës, që kujton traditën e madhe toskane – Botiçelin (Botticelli) dhe piktorët sienezë të Kuatroçentos. Ai, gjithashtu, u dha atyre – ose më saktë ua zbuloi – të gjithë hirin dhe fisnikërinë që ishte brenda tyre, nën pamjen e tyre të përulur. Vepra e një romancieri duhet të shtegtojë në të njëjtin drejtim. Imagjinata e tij, larg nga shtrembërimi i realitetit, duhet ta marrë fundin e saj, duke zbuluar këtë realitet në vetvete, duke përdorur fuqinë e infra të kuqes dhe ultravjollcës për të zbuluar atë që fshihet prapa aparencave. Gati sa mund të besoja se romancieri, në rastin më të mirë të tij, është një lloj i kthjellët apo edhe vizionar. Ai është, gjithashtu, një sizmograf, që qëndron afër për të kapur lëvizje mezi të perceptueshme. Unë gjithmonë mendoj dy herë para se ta lexoj biografinë e një shkrimtari që admiroj. Biografët nganjëherë futen në hollësi të vogla, tregime jo të besueshme të dëshmitarëve okularë, tipare karakteri që duken të çuditshme ose zhgënjyese – të gjitha këto janë si tingulli zhurmues që ngatërron transmetimet në radio, duke e bërë muzikën dhe zërat të pamundur të dëgjohen. Vetëm duke lexuar librat e tij fitojmë intimitet me një shkrimtar. Kjo ndodh kur ai është në më të mirën e tij dhe na flet me zë të ulët dhe pa ndonjë statikë.

Megjithatë, kur lexoni biografinë e një shkrimtari, ju herë pas herë zbuloni një ngjarje të rëndësishme fëmijërie e cila mbolli farën e objektit të tij të ardhshëm të punës dhe për të cilën ai nuk kishte gjithmonë një ndërgjegje të pastër, si një ngjarje e shquar që rikthehet me rroba të ndryshme për t’i ndjekur librat e tij. Kjo sjell ndërmend Alfred Hiçkokun, jo si një shkrimtar, por si dikush filmat e të cilit gjithsesi kanë forcën dhe kohezionin e një romani. Kur djali i tij ishte pesë vjeç, babai i Hiçkokut i tha që të dërgonte një letër te një oficer policie, mik i tij. Djaloshi ia dorëzoi letrën dhe oficeri i policisë e mbylli atë në pjesën e kontrolluar të stacionit të policisë, që përdoret si një qeli që mban të gjitha llojet e shkelësve të veprave brenda natës. Fëmija i tmerruar qëndroi aty për një orë të tërë para se oficeri i policisë ta lironte, duke i shpjeguar, ‘tani ju e dini se çfarë ndodh nëse silleni keq në jetë’. Ky oficer policie, me idetë e tij mjaft të çuditshme në lidhje me rritjen e fëmijëve, duhet të ketë qëndruar prapa atmosferës së suspencës dhe ankthit që gjendet në të gjithë filmat e Alfred Hiçkokut.

Unë nuk do t’ju shqetësoja me historinë time personale, por mendoj se disa episode nga fëmijëria ime mbollën farën që do të rritej më vonë në librat e mi. Unë zakonisht isha larg prin¬dërve të mi, duke qëndruar me miqtë për të cilët nuk dija asgjë, në një sërë vendesh dhe shtëpish. Në atë kohë asgjë nuk e habit një fëmijë, madje situatat e çuditshme duken krejtësisht të natyrshme. Shumë më vonë ajo fëmijëri ime më bëri për¬shtypje si enigmatike dhe u përpoqa të mësoja më shumë rreth njerëzve të ndryshëm me të cilët më lanë prindërit dhe ato vende që vazhdonin të ndryshonin. Por unë nuk isha në gjendje ta identifikoja shumicën e njerëzve dhe as t’i gjeja të gjitha vendet dhe të gjitha shtëpitë e së kaluarës me ndonjë saktësi topografike. Kjo përpjekje për t’i zgjidhur enigmat pa pasur sukses të vërtetë dhe për t’u përpjekur të zbuloj një mister më dha dëshirën për të shkruar, sikur shkrimi dhe imagjinata mund të më ndihmonin t’i lidhja përfundimisht të gjitha ato skaje të shkëputura.

Meqë po flasim për ‘mistere’, shoqata e ideve sjell ndërmend titullin e një romani francez të shekullit XIX: Les mystères de Paris. Qyteti – që ka qëlluar të jetë Parisi, qyteti im i lindjes – është i lidhur me përshtypjet e mia të para të fëmijërisë dhe këto përshtypje ishin aq të forta saqë prej asaj kohe unë kam eksploruar vazhdimisht ‘misteret e Parisit’. Kur isha rreth nëntë apo dhjetë vjeç, ndodhi që unë isha duke ecur vetëm dhe, edhe pse kisha frikë se mos humbisja, vajta gjithnjë e më tej në lagjet me të cilat nuk isha i njohur në bregun e djathtë të Senës. Kjo ndodhi në dritë të ditës, gjë që më siguronte. Në fillim të adoleshencës kam punuar shumë për ta kapërcyer frikën time dhe të dilja gjatë natës edhe më larg me metro. Kështu mësoni për qytetin dhe unë po ndiqja shembullin e shumicës së romancierëve që admiroja dhe për të cilët, që nga shekulli XIX, qyteti – ta quajmë Paris, Londër, Shën Petersburgapo Stokholm – ishte sfondi dhe një nga temat kryesore të librave të tyre. Në tregimin e tij të shkurtër ‘Njeriu i turmës’, Edgar Alan Poe ishte ndër të parët që evokoi dallgët e njerëzve siç i vëzhgon nga një dritare kafeneje, duke ecur në trotuare pareshtur. Ai zgjedh një plak me një pamje të pazakontë dhe e ndjek gjatë natës në pjesë të ndryshme të Londrës në mënyrë që të mësojë më shumë për të. Por personi i panjohur është një ‘njeri i turmës’ dhe është e pakuptimtë ta ndjekësh atë sepse ai do të mbetet gjithmonë anonim dhe nuk do të jetë kurrë e mundur të zbulosh ndonjë gjë rreth tij. Ai nuk ka një ekzistencë individuale. Ai, thjesht, është pjesë e masës së kalimtarëve që ecin në radhë serike ose duke u gajasur dhe humbur në mes të turmës në rrugë.

Më kujtohet, gjithashtu, diçka që i ndodhi poetit Thomas de Kuinsi (Quincey) kur ishte i ri dhe që e shenjësoi atë për gjithë jetën. Në Londër, në mes të turmës në Oxford Street, ai u miqësua me një vajzë, një nga ato takimet e rastësishme që ndodhin në një qytet. Ai kaloi disa ditë në shoqërinë e saj, pastaj iu desh të largohej nga Londra për disa ditë. Ata ranë dakord që pas një jave ajo do ta priste në të njëjtën kohë çdo mbrëmje në cep të Great Titchfield Street,por ata nuk u panë më kurrë. ‘Po të ketë qenë gjallë, pa dyshim që duhet të kemi kaluar ca kohë në kërkim të njëri-tjetrit, në të njëjtin çast, nëpër labirintet e fuqishme të Londrës, duke qenë ndoshta edhe disa hapa larg njëri-tjetrit – një pengesë jo më e gjerë se një rrugë e Londrës që shpesh çon në fund të një ndarjeje të përjetshme’.

Me kalimin e viteve, çdo lagje, çdo rrugë në një qytet ngjall një kujtim, një takim, një keqardhje, një çast lumturie për ata që kanë lindur aty dhe kanë jetuar aty. Shpesh e njëjta rrugë lidhet me kujtime të njëpasnjëshme, në masën që topografia e një qyteti bëhet e gjithë jeta juaj, e mbajtur në mend në shtresa të njëpasnjëshme sikur të deshifronit shkrimet e mbivendosura në një palimpsest. Dhe, gjithashtu, jeta e mijëra e mijëra njerëzve të tjerë, të panjohur, që kalojnë nëpër rrugë ose në rrugët e pas kalimit në metro në orët e pikut.

Kjo është arsyeja pse në rininë time, për të më ndihmuar të shkruaj, u përpoqa t’i gjeja drejtoritë e vjetra telefonike parisiane, veçanërisht ato që rendisnin emrat e rrugëve me numrat e ndërtesave. Kisha ndjesinë, derisa ktheja faqet, se po shikoja një rreze X të qytetit – një qytet i zhytur si Atlantisi – dhe duke ndier firomën e kohës. Për shkak të viteve që kishin kaluar, gjurmët e vetme që kishin lënë këta mijëra e mijëra individë të panjohur ishin emrat, adresat dhe numrat e tyre të telefonit. Ndonjëherë një emër zhduket nga një vit në tjetrin. Kishte diçka marramendëse për të parë nëpër librat e vjetër të telefonit dhe për të menduar që tani e tutje, thirrjet drejt atyre numrave do të ishin pa përgjigje. Më vonë do të më godasin strofat e një poezie të Osip Mandelstamit:

U ktheva në qytetin tim të mësuar me lotët,
Tek varkat e mia dhe flegrat e viteve të fëmijërisë,

Petersburg […]
Ndërsa i mbani gjallë numrat e mi të telefonit.

Petersburg, unë ende i kam adresat
Që do t’i përdor për ta zgjuar zërin e të vdekurve.

Kështu që më duket se dëshira për t’i shkruar librat e mi të parë më lindi derisa isha duke parë ato libra të vjetër telefonikë të Parisit. Gjithçka që duhej të bëja ishte të nënvizoja me laps emrin, adresën dhe numrin e telefonit të një personi të panjohur dhe të imagjinoja si ishte jeta e tij/saj, midis qindra e qindra mijëra emrave.

Ju mund ta humbni veten ose të zhdukeni në një qytet të madh. Ju, madje, mund ta ndryshoni identitetin tuaj dhe të bëni një jetë të re. Ju mund të kënaqeni me një hetim shumë të gjatë për të gjetur një gjurmë keqdashjeje, duke filluar vetëm me një ose dy adresa në një lagje të izoluar. Gjithmonë jam magjepsur nga shënimi i shkurtër që ndonjëherë shfaqet në regjistrat e kërkimit: Adresa e fundit e njohur. Temat e zhdukjes, identitetit dhe kalimit të kohës janë të lidhura ngushtë me topografinë e qyteteve. Kjo është arsyeja pse që nga shekulli XIX qytetet kanë qenë territori i romancierëve dhe disa nga më të mëdhenjtë prej tyre janë të lidhur me një qytet të vetëm: Balzaku dhe Parisi, Dikensi dhe Londra, Dostojevski dhe Shën Petersburgu, Tokio dhe Nagai Kafu, Stokholmi dhe Hjalmar Söderberg.

Unë i përkas brezit që u ndikua nga këta romancierë dhe që donte, nga ana tjetër, të eksploronte atë që Bodleri (Baudelaire) e quajti “skutat dredharake të kryeqyteteve të vjetra”. Pa dyshim, pesëdhjetë vjet më parë – me fjalë të tjera kur adole¬shentët e moshës sime po përjetonin ndjesi të fuqishme duke zbuluar qytetin e tyre – qytetet po ndryshonin. Disa prej tyre, në Amerikë dhe atë që njerëzit e quajnë bota e tretë, u bënë ‘megaqytete’ duke arritur dimensione shqetësuese. Banorët janë të ndarë në lagje shpesh të lëna pas dore, duke jetuar në një klimë të luftës shoqërore. Lagjet e varfra po rriten në numër dhe po bëhen gjithnjë e më të mëdha. Deri në shekullin XX romancierët mbajtën një vizion pak a shumë ‘romantik’ të qytetit, jo aq të ndryshëm nga ai i Dikensit apo Bodlerit. Kjo është arsyeja pse unë do të doja të dija se si romancierët e së ardhmes do të evokojnë këto përqendrime gjigande urbane në veprat e fiksionit.

Lidhur me librat e mi, ju ishit aq dashamirës sa të aludonit në ‘artin e kujtesës me të cilin ai ka evokuar fatet më të pakapshme njerëzore’. Por ky kompliment ka të bëjë më shumë sesa vetëm me mua. Bëhet fjalë për një lloj kujtese të veçantë e cila përpiqet të mbledhë copëza nga e kaluara dhe gjurmët e pakta të mbetura në tokë të anonimes dhe të së panjohurës. Dhe kjo, gjithashtu, lidhet me vitin e lindjes sime: 1945. Të lindurit në vitin 1945, pasi qytetet ishin shkatërruar dhe popullata të tëra ishin zhdukur, duhet të më ketë bërë mua, si të tjerët të moshës sime, më të ndjeshëm ndaj temave të kujtesës dhe harresës.

Për fat të keq, nuk mendoj se rikujtimi i gjërave të kaluara mund të bëhet më gjatë me fuqinë dhe sinqeritetin e Marsel Prustit (Proust). Shoqëria që ai po përshkruante ishte ende e qëndrueshme, një shoqëri e shekullit XIX. Kujtesa e Prustit bën që e kaluara të rishfaqet në të gjitha detajet e saj, si një tablo e gjallë. Sot kam kuptimin se kujtesa është shumë më pak e sigurt për vetveten, e angazhuar kështu në një luftë të vazhdueshme kundër amnezisë. Kjo shtresë, kjo masë e harresës që errëson gjithçka, do të thotë që ne mund të kapim vetëm fragmente të së kaluarës, gjurmë të shkëputura të fateve të shkuara dhe pothuajse të parealizueshme njerëzore.

Megjithëse, duhet të jetë thirrja e romancierit, kur përballet me këtë faqe të madhe bosh të harresës, për t’i bërë disa fjalë të venitura përsëri të dukshme, si ajsbergët e humbur që shtrihen mbi sipërfaqen e oqeanit. /Revista “Akademia”/Telegrafi/