LAJMI I FUNDIT:

Refuzojnë punën nga frika se e humbin socialin

Refuzojnë punën nga frika se e humbin socialin

Pavarësisht shkallës së lartë të papunësisë dhe ankesave të vazhdueshme të qytetarëve se nuk ka vende të lira të punës, në sektorë të caktuar në disa komuna të Kosovës, ka punë, por nuk ka të interesuar që të punojnë, thonë afaristë nga Kosova dhe zyrtarë të Qeverisë.

Për të rritur shkallën e punësimit, edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka filluar zbatimin e një programi për subvencionimin e pagave, që për qëllim ka përkrahjen e punëdhënësve, të cilët ofrojnë mundësi punësimi për qytetarët e papunë, të cilët janë të regjistruar në zyrat komunale të punësimit.


Programi nënkupton pagesën e së paku 50 për qind të pagave për punëtorët e rinj, për një periudhë gjashtë, nëntë ose 12 muaj për punëtorët, në varësi të vështirësive që kanë punëkërkuesit në hyrjen në treg të punës. Për, këtë program ka qenë e interesuar kompania e verarisë “Stone Castle” në Rahovec, e cila qe një dekadë thotë se përballet me mungesë të punëtorëve.

Agron Aliçkaj, nga kjo kompani, thotë se nga zyra e punësimit në Rahovec ka kërkuar që të sigurojë deri në 50 punëtorë, por të gatshëm për punë, sipas tij, kanë qenë vetëm tre persona, të cilët edhe kanë filluar punën. Paga mujore për këta punëtorë është 300 euro në muaj: 150 euro paguan kompania, kurse 150 euro tjera Qeveria.

Edhe përfaqësues të zyrës së punësimit në Rahovec, konfirmojnë se kompania “Stone Castle” vazhdimisht ka shprehur interesim për punësimin e qytetarëve, por një numër i punëkërkuesve refuzojnë. Udhëheqësja e kësaj zyre, Hilmie Bugari, thotë se në këtë zyre janë të regjistruar më shumë se 6300 punëkërkues.

“Zakonisht personat që refuzojnë punën, janë persona të cilët shfrytëzojnë ndihmën sociale të kategorisë së dytë”, thotë Bugari.

Sipas shifrave zyrtare, në këtë komunë ndihmë sociale marrin 715 familje. Por, disa punëkërkues të regjistruar në zyrat e punësimit që kanë gëzuar asistencë sociale, thonë se problemet shëndetësore kanë qenë arsye të mos nënshkrimit të kontratës për punë. Njëri nga ta është Gazmendi, 42 vjeç, i cili është intervistuar për punë nga “Stone Casle” . Por, Zekri Krasniqi, 38 vjeç, nëpërmjet Zyrës së punësimit ka arritur të punësohet në këtë kompani. Ai thotë se është i kënaqur me sigurimin e vendit të punës.

“Më mirë të punoj. Kam familje gjashtë anëtarëshedhe më duhen mjete më shumë për t’i përmbushur nevojat e familjes”, thotë ai.

Nuk është vetëm projekti për subvencionimin e pagave shkak që qytetarët nuk kanë dashur të punojnë. Frika nga humbja e skemave sociale, ka vështirësuar realizimin edhe të dy projekteve tjera të Ministrisë së Punës, ka pranuar ministri Arban Abrashi, në një deklarim të mëhershëm publik.

Ndryshe, sipas rezultateve të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në vitin 2016 ishte 26.2 për qind, që krahasuar me vitin 2015 kishte shënuar rënie për rreth 6 për qind. /REL/