LAJMI I FUNDIT:

Reciprociteti për targat ndaj Serbisë, lehtësimi i masave antiCOVID dhe vizita e presidentes Osmani në SHBA – top lajmet e javës

Reciprociteti për targat ndaj Serbisë, lehtësimi i masave antiCOVID dhe vizita e presidentes Osmani në SHBA – top lajmet e javës

Javën që po lëmë pas, autoritetet shtetërore nisën së zbatuari masën e reciprocitetit për targa ndaj Serbisë, ndërsa sot është dita e gjashtë e zbatimit të kësaj mase.

Po javën që po lëmë Qeveria e Kosovës mori vendim për lehtësim të masave antiCOVID-19, ndërsa të hënën do të nisë edhe viti shkollor si dhe do të hapen çerdhet.


Po gjatë kësaj jave, presidentja Vjosa Osmani ka qëndruar për vizitë në SHBA. Ajo gjatë qëndrimit në SHBA, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së po takon përfaqësues të shteteve të ndryshme.

Reciprociteti për targa ndaj Serbisë

Gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova kishte paralajmëruar vendosjen e masës së reciprocitetit për targat.

Kjo ishte bërë e ditur nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili kishte thënë se marrëveshja për targat skadon më 15 shtator dhe se Kosova nuk do ta respektojë atë njëanshëm.

Pas pesë ditëve të skadimit të marrëveshjes, të hënën më 20 shtator – forca të mëdha policore u vendosën në pikën kufitare Jarinjë -Bërnjak për të zbatuar reciprocitetin. Dhe sipas kësaj veturat me targa të Serbisë do të mund të qarkullojnë në Kosovë vetëm nëse i heqin ato dhe pajisen me targa të përkohshme të Kosovës.

Të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

E gjithë kjo krijoi pakënaqësi të serbëve, të cilët janë duke protestuar nga dita e hënë.

Ndërkaq, të premten në mbrëmje u raportua se helikopterë të ushtrisë serbe kanë hyrë në hapësirën ajrore të Kosovës.

Por, KFOR si forca e tretë përgjegjëse për sigurinë në Kosovë ka mohuar se helikopterët e ushtrisë serbe të kenë hyrë në hapësirën ajrore të Kosovës pasditen e kësaj së premte.

Lidhur me gjendjen në veri ka reaguar edhe NATO.

Masat e reja anti-COVID, që do të hyjnë në fuqi nga e hëna

Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten masat e reja lehtësuese anti-COVID, të cilat do të hyjnë në fuqi ditën e hënë, 27 shtator.

Me masat e reja, do të hapen shkollat dhe çerdhet, e po ashtu do të lejohet sektori i gastronomisë që të punojë edhe në ambientet e mbyllura, duke shfrytëzuar 50 % të kapaciteteve, transmeton Telegrafi.

Me gjithë lehtësimet e reja, në fuqi do të vazhdojë të mbes ora policore, ku pas orës 22:00 ndalohet lëvizja e qytetarëve, përveç rasteve urgjente.

Masat e reja që do të hyjnë në fuqi të hënën mund t’i lexoni KËTU:

Osmani në SHBA vazhdon takimet me përfaqësues të shteteve të ndryshme, flasin për të arriturat e Kosovës dhe bashkëpunimin e ndërsjellë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Osmani ka vazhduar takimet me përfaqësues të shteteve të ndryshme.

Gjatë këtyre takimeve u bisedua për të arriturat e deritashme të Kosovës, bashkëpunimin mes Kosovës me këto shtete.

Presidentja Osmani po ashtu është takuar me ish presidentin amerikan, Bill Clinton, e gjeneralin Wesley Clark.

Osmani përmes një postimi në Twitter ka falënderuar ish-presidentin Clinton për çdo gjë që ka bërë për Kosovën dhe popullin e saj.

“Të thuash se Kosova është e bekuar me miqtë më të përkushtuar dhe besnikë, do të ishte nënvlerësim. President Bill Clinton faleminderit për çdo gjë që ke bërë për popullin tonë”, ka shkruar Osmani.

Presidentja Vjosa Osmani dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, sot takuan kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, të cilin e falënderuan për mbështetjen e Holandës në procesin e shtetndërtimit të vendit tonë.

Siç theksohet në komunikatën nga Presidenca, Osmani ripërsëriti kërkesën për mbështetjen e Holandës për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ajo theksoi se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të zbatuar reforma në fushën e sundimit të ligjit dhe krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë në përputhje me platformën e institucioneve të reja. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Lajme
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Lajme
Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Drejtësi
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Siguri
Kalo në kategori