Prej vitesh, mungesa e anesteziologëve ka qenë një nga sfidat kryesore të sistemit shëndetësor.

Megjithatë, tashmë në QKUK dhe spitalet rajonale janë shtuar 25 anesteziologë të rinj, të cilët pritet të forcojnë kapacitetet profesionale të sistemit publik shëndetësor duke ndikuar drejtpërdrejt në ofrimin e shërbimeve për pacientët.


Sipas Menaxhmentit të Klinikës së Anesteziologjisë, ky fluks i ri ka filluar të lehtësojë ngarkesën e punës, ndonëse numri i përgjithshëm mbetet ende nën nevojat optimale të të gjitha reparteve kirurgjike.

“Kjo e ka përmirësuar relativisht situatën sa i përket numrit. Nuk është numri që u nevojitet klinikave, duke pasur parasysh kapacitetet e mëdha që kanë, por megjithatë jemi të kënaqur me pranimin e anesteziologëve të rinj. Ata tashmë janë sistemuar nëpër klinika dhe efektet e para të përmirësimit po shihen, pasi është ulur presioni”, tha Ismet Jusufi, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv.

Përveç rritjes së numrit të ndërhyrjeve kirurgjike, ky plotësim i stafit do të mundësojë edhe menaxhimin e pushimeve të rregullta vjetore për personelin ekzistues, i cili ka operuar nën mbingarkesë të vazhdueshme.

“Ajo që është e rëndësishme është se pjesa më e madhe e tyre nuk ka arritur t’i kryejë as pushimet vjetore të vitit 2025. Ngarkesa e madhe në punë ka shkaktuar lodhje të stafit. Tani, me shtimin e tyre, synojmë që të paktën ata që kanë punuar pa pushim të mund t’i shfrytëzojnë pushimet e tyre”, vazhdoi Jusufi, raporton RTK.

Pas pranimit të anesteziologëve të rinj, numri i përgjithshëm i anesteziologëve në QKUK ka arritur në rreth 60, duke qenë pjesë kyçe e çdo ndërhyrjeje kirurgjike, trajtimit intensive, menaxhimit të rasteve urgjente dhe shërbime te tjera të anestezisë.