Real Madridi ka mbetur i bllokuar me Kylian Mbappen

Ky sezon ka shkuar në drejtim krejtësisht të kundërt me pritjet e Real Madridit. “Los Blancos” mbetën pa trofe, u eliminuan në mënyrë befasuese nga Kupa e Mbretit nga skuadra e ligës më të ulët, Albacete, ndërsa në kampionat Barcelona i largoi nga gara për titull disa xhiro para fundit.
Me dështimin, si zakonisht, nisën të ngrihen pyetje për fajtorët dhe arsyet. Një nga emrat më të përfolur prej kohësh është Kylian Mbappe, i cili – sipas analizës – ka tërhequr vëmendje jo vetëm për lojën, por edhe për ndikimin brenda dhe jashtë fushës, shpesh në mënyrë negative.
Mbappe si “Galactico”, por pa zgjidhur nevojat reale
Kur Mbappe u transferua te Real Madridi në verën e vitit 2024, ai u paraqit si “Galactico” – një megayll që do t’i sillte klubit një kombinim force sportive dhe marketingu, në frymën e epokës së yjeve të Florentino Perezit në fillim të viteve 2000.
Por, edhe para nënshkrimit, kishte dyshime se Reali po përsëriste të njëjtën logjikë, sjelljen e një ylli më shumë për emrin sesa për nevojat e ekuilibrit të skuadrës.
Problemi kryesor, sipas shkrimit, lidhet me faktin se Mbappe dhe Vinicius Junior e preferojnë të njëjtën zonë të fushës – krahun e majtë – dhe kanë tipare të ngjashme në lojën sulmuese, por edhe të meta të ngjashme në fazën mbrojtëse.
Kjo, në vend që të krijonte harmoni, ka prodhuar një çekuilibër që është reflektuar në rezultatet e ekipit.

Ekuilibri që e bënte Realin kampion Evrope
Real Madridi ndërtoi dominimin e tij në Evropë mbi ekuilibrin, me yje si Cristiano Ronaldo e Karim Benzema që mbështeteshin nga një mesfushë e disiplinuar dhe inteligjente me emra si Casemiro, Luka Modric dhe Toni Kroos.
Sipas analizës, ky model funksionoi edhe në vitet 2022 dhe 2024, kur përvoja e mesfushës i dha skuadrës kontroll dhe qetësi.
Por, pas largimeve të Kroos dhe Benzemas (si dhe më pas Modric), Reali thuhet se e ka humbur boshtin e ekuilibrit në mesfushë dhe në sulm. Mesfusha nuk ka më një lojtar që e kontrollon ritmin e ndeshjes, ndërsa në sulm është shtuar një yll që nuk e zgjidh këtë problem, por e thellon për shkak të mënyrës së lojës.

Dy trajnerë u “dogjën” nga problemi
Mungesa e ekuilibrit u pa shpejt edhe në bankinë. I pari që u largua ishte Carlo Ancelotti, pavarësisht se kishte fituar Ligëne Kampionëve me atë grup në dy nga tri sezonet e mëparshme.
Më pas erdhi Xabi Alonso, një nga trajnerët më të kërkuar në Evropë, por sipas analizës, edhe ai u përball me probleme të thella që nuk kishin të bënin vetëm me futbollin, por edhe me dhomën e zhveshjes dhe disiplinën.
Në këtë kontekst, shkrimi e veçon Mbappen edhe për çështje jashtë fushe dhe për qasje të diskutueshme, duke pretenduar se skuadra shpesh ka dhënë përshtypjen se luan më mirë pa të – jo rastësi, por pasojë e roleve më të qarta dhe angazhimit më të madh pa top.

Futbolli modern nuk fal “shëtitës” në mbrojtje
Analiza thekson edhe një trend të futbollit modern: ekipet elitare po kërkojnë presion të lartë dhe angazhim të plotë të çdo lojtari në fazën mbrojtëse. Në këtë model, është e vështirë të tolerohen lojtarë që “kursejnë energji” pa top, ndërsa Reali – sipas shkrimit – ka dy të tillë në vijën e parë.
Pse Reali “është i bllokuar” me Mbappen? Problemi kryesor për Realin, sipas këtij vlerësimi, është se situata nuk zgjidhet lehtë. Mbappe ka një kontratë dhe kërkesa financiare që e bëjnë të vështirë largimin e tij. Vetëm pak klube mund ta përballojnë dhe shumë prej tyre nuk duan ta destabilizojnë projektin me një profil të tillë.
Si rrjedhojë, opsionet realiste do të mbeteshin Arabia Saudite ose që Mbappe ta çojë kontratën deri në fund, ndërsa Reali të përpiqet ta përshtasë.

Shkrimi përfundon se, nëse Mbappe qëndron dhe qasja e tij nuk ndryshon ndjeshëm, Real Madridi rrezikon ta thellojë edhe më shumë gabimin – një gabim që, sipas autorit, klubi e kishte provuar edhe në epokën e parë të “Galaktikëve”. /Telegrafi/





















































