Drejtuesit e Bayern Munich kanë nisur negociatat për të zgjatur dhe siguruar kontratën e sulmuesit francez Michael Olise, duke qenë të vetëdijshëm për interesin që ai ngjall tek klube të tilla si Real Madrid dhe Liverpool.

Futbollisti 24-vjeçar është bërë tashmë një nga transferimet më të spikatura të klubit bavarez në vitet e fundit, duke regjistruar shifra mbresëlënëse këtë sezon: 13 gola dhe 20 asistime në 28 ndeshje zyrtare.


Progresi i tij nuk ka kaluar pa u vënë re nga klubet e mëdha evropiane, gjë që ka shtyrë Bayernin të veprojë shpejt për të siguruar qëndrueshmërinë e tij afatgjatë.

Sipas Sport Bild, drejtuesit e klubit synojnë të mbyllin marrëveshjen e rinovimit para Botërorit, turne që mund të rrisë edhe më shumë popullaritetin e lojtarit.

Olise erdhi te Bayern verën e vitit 2024 nga Crystal Palace për 53 milionë euro, një shans që në atë kohë konsiderohej i rrezikshëm.

Më pak se dy vite më vonë, insistimi i drejtorit sportiv Max Eberl, mbështetësi i tij kryesor, ka dhënë rezultate, duke e konsoliduar sulmuesin e ri si një pjesë kyçe të ekipit. /Telegrafi/

telegrafi sport app