Real Madridi bën hap të madh drejt kualifikimit, Man City bie keq në "Santiago Bernabeu"

Real Madrid ka hedhur një hap shumë të madh drejt kualifikimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pasi ka mposhtur bindshëm Manchester City me rezultat 3-0, në një ndeshje ku protagonist absolut ishte Federico Valverde me tre gola.
Ndeshja nisi me ritëm të mirë nga të dyja skuadrat. Rasti i parë i mirë erdhi në minutën e 8-të për madrilenët, kur Brahim Diaz provoi nga brenda zonës, por goditja e tij u ndal nga portieri Gianluigi Donnarumma.
Në minutën e 19-të reagoi Man City me një goditje të fuqishme nga distanca të Bernardo Silva, por topi kaloi shumë pranë shtyllës.
Vetëm një minutë më vonë erdhi goli i parë. Portieri Thibaut Courtois nisi një aksion të shpejtë me një pasim të gjatë për Valverde, i cili u gjend përballë portierit dhe me qetësi e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.

Real Madridi vazhdoi dominimin dhe në minutën e 27-të Valverde realizoi edhe golin e dytë. Mesfushori uruguaian pranoi një pasim brenda zonës dhe goditi saktë me një goditje të ulët që përfundoi në cepin e djathtë të portës.
Pak para përfundimit të pjesës së parë, në minutën e 42-të, Valverde kompletoi het-trikun. Pas një asistimi nga Brahim Diaz, ai shënoi nga afërsia për ta dërguar Real Madridin në pushim me epërsi të thellë 3-0.
Në pjesën e dytë Manchester City tentoi të rikthehej në lojë. Në minutën e 55-të Antoine Semenyo rrezikoi seriozisht, por Courtois reagoi shkëlqyeshëm.

Pak minuta më vonë, në minutën e 56-të, arbitri akordoi penallti për Real Madridin pas një ndërhyrjeje të Donnarummas, i cili u ndëshkua edhe me karton të verdhë.
Megjithatë, portieri italian u rehabilitua menjëherë duke pritur penalltinë e Vinicius Junior në minutën e 58-të.
Man City pati një tjetër mundësi të mirë në minutën e 75-të me Nico O'Reilly, por Courtois ishte sërish i gatshëm për të ruajtur portën e paprekur.
Në fund, madrilenët ruajtën epërsinë dhe siguruan një fitore të madhe që i afron shumë me kualifikimin në fazën tjetër. /Telegrafi/




















































