“Sot në Cetinje, ishim dëshmitarë të turpit të madh të Kishës Ortodokse Serbe dhe Qeverisë së Malit të Zi, një turp i paparë në historinë e gjatë të shtetit malazez, dhe njëlloj në historinë e ortodoksisë së përgjithshme”.

Kështu ka thënë presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq në një fjalim të tij drejtuar publikut, shkruajnë mediat vendase, përcjell Telegrafi.

“Duke abuzuar brutalisht me burimet shtetërore, kryesisht ushtrinë dhe policinë, dhe përdorimin krejtësisht të papërshtatshëm të forcës kundër qytetarëve të mbledhur paqësisht në kryeqytetin malazez, qeveria malazeze siguroi fronëzimin e dhunshëm të Mitropolitit Joanikije, kundër vullnetit të shumicës dërrmuese të qytetarëve të Cetinjes dhe një numri të konsiderueshëm i qytetarëve malazezë”, ka thënë më tej Gjukanoviq.

Gjatë shugurimit të Joanikije në Mal të Zi u këndua edhe “kur ushtria kthehet në Kosovë” Gjatë shugurimit të Joanikije në Mal të Zi u këndua edhe “kur ushtria kthehet në Kosovë”

Madje, sipas tij, vetëm një njeri pa dinjitet do të lejonte që të sillej në manastirin e Cetinjes në një mënyrë të tillë me helikopter dhe nën mbrojtjen e “batanijeve të blinduara”, dhe në atë mënyrë të turpëronte fronin e Shën Petar Cetinjski.

“Cetinje ishte edhe një herë në detyrë, siç ka qenë shumë herë në historinë e Malit të Zi”, ka thënë ndër tjerash ai.

Sipas tij, qytetarët e mbledhur në mënyrë paqësore të Cetinjes në një mënyrë vendimtare dhe të përgjegjshme mbrojtën nderin dhe dinjitetin e qytetit të tyre dhe vendit të tyre.

Ndryshe, në një situatë të tensionuar, në Cetinje të Malit të Zi është mbajtur ceremonia e shugurimit të Kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije.

Pamje nga Cetinje e Malit të Zi - kështu e sollën Mitropolitin Joanikije në manastir Pamje nga Cetinje e Malit të Zi - kështu e sollën Mitropolitin Joanikije në manastir

Sipas informacioneve të fundit, nga protestat e zhvilluara atje, janë plagosur të paktën tetë persona si dhe një person është arrestuar për sulmin ndaj një zyrtari dhe janë plagosur dy policë.

Duhet kujtuar se organizatat dhe shoqatat kombëtare malazeze, pothuajse e gjithë opozita dhe Komuna e Cetinje kërkuan nga Kisha Ortodokse Serbe që të zhvendoste fronëzimin e Mitropolitit në disa tempuj në qytete të tjera malazeze.

Kjo pasi që, për ta, akti i kurorëzimit të tij në manastirin e Cetinjes është një aluzion i “pushtimit të Malit të Zi”, si dhe një përpjekje për të futur Malin e Zi në të ashtuquajturën “botë serbe”. /Telegrafi/