LAJMI I FUNDIT:

Gjatë shugurimit të Joanikije në Mal të Zi u këndua edhe “kur ushtria kthehet në Kosovë”

Gjatë shugurimit të Joanikije në Mal të Zi u këndua edhe “kur ushtria kthehet në Kosovë”

Në një situatë të tensionuar, në Cetinje të Malit të Zi është mbajtur ceremonia e shugurimit të Kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije.

Dhe ndërsa policia po përdorte gaz lotsjellës para manastirit ndaj qytetarëve që po protestojnë paqësisht, brenda kishte një atmosferë solemne dhe gazmore.


Madje, aty, siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, këndohej edhe një këngë, në tekstin e së cilës thuhej edhe “kur ushtria kthehet në Kosovë…”.

Sipas informacioneve të fundit, nga protestat e zhvilluara atje, janë plagosur të paktën tetë persona si dhe një person është arrestuar për sulmin ndaj një zyrtari dhe janë plagosur dy policë.

Trazirat në Cetinje për shkak të fronëzimit të Mitropolitit po vazhdojnë që nga dje, dhe ato vazhduan herët në mëngjes.

Ndërkohë qytetarët vazhduan të protestojnë edhe pse kurorëzimi kishte mbaruar.

Duhet kujtuar se organizatat dhe shoqatat kombëtare malazeze, pothuajse e gjithë opozita dhe Komuna e Cetinje kërkuan nga Kisha Ortodokse Serbe që të zhvendoste fronëzimin e Mitropolitit në disa tempuj në qytete të tjera malazeze.

Kjo pasi që, për ta, akti i kurorëzimit të tij në manastirin e Cetinjes është një aluzion i “pushtimit të Malit të Zi”, si dhe një përpjekje për të futur Malin e Zi në të ashtuquajturën “botë serbe”. /Telegrafi/