LAJMI I FUNDIT:

“Reagimi emergjent ndaj COVID-19”, nënshkruhet marrëveshja në vlerë 25 milionë euro

“Reagimi emergjent ndaj COVID-19”, nënshkruhet marrëveshja në vlerë 25 milionë euro

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës (BZhKE) nënshkruan sot marrëveshjen e amendamentimit numër 1 të marrëveshjes kornizë të kredisë në vlerë 25 milionë euro.

Nënshkrimi i marrëveshjes vjen pas aprovimit të këtij projekti në mars të këtij viti brenda BZhKE-së.


Ajo bazohet në marrëveshjen bazë të financimit prej 35 milionë euro të nënshkruar në gusht 2020, e cila ka mbuluar një pjesë të shpenzimeve në kuadër të menaxhimit të pandemisë, me një fokus në përkrahjen e ballafaqimit të vështirësive për punonjësit shëndetësorë, blerjen e pajisjeve mjekësore, materialet mbrojtëse dhe ndërtimin e zinxhirit të ftohtë.

Marrëveshja e amendamentimit ka për qëllim ofrimin e mbështetjes për Qeverinë e Kosovës në përpjekjet e saj për t’u ofruar shërbime mjekësore të prekurve nga virusi COVID-19, financimin retroaktiv të vaksinave për rreth 50 për qind të popullsisë, dhe menaxhimin e pandemisë në tërësi nga Qeveria e Kosovës.

BZhKE mbetet një nga partnerët kryesorë ndërkombëtarë që ndihmojnë Kosovën me ballafaqimin me pandeminë COVID-19.