Raye ndërpret performancën në All Points East pas një incidenti me një fans në turmë
Raye u detyrua të ndërpresë për pak çaste performancën e saj në Festivalin All Points East në Victoria Park, Londër, pasi një fans u rrëzua në turmë.
Këngëtarja 27-vjeçare ndërhyri menjëherë, duke kërkuar ndihmën e stafit të sigurisë dhe duke siguruar që personi të merrte kujdesin e nevojshëm.
Pasi gjendja u qetësua dhe fansi dha shenjë se ishte mirë, turma shpërtheu në brohoritje për të, shkruan DailyMail.
Festivali, që po zhvillohet gjatë fundjavës, pritet të sjellë performanca nga emra të mëdhenj si Chase & Status, Barry Can't Swim dhe The Maccabees, ndërsa mbështetja do të vijë nga artistë të tillë si Tyla, Bombay Bicycle Club dhe Confidence Man.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi fansat mbetën të zhgënjyer nga anulimi i befasishëm i Doechii, e cila u tërhoq jo vetëm nga All Points East, por edhe nga dy festivale të tjera evropiane.
Organizatorët e konfirmuan lajmin në rrjetet sociale, por pa dhënë një arsye konkrete, duke shkaktuar pakënaqësi të madhe te ndjekësit që kishin pritur me muaj për performancën e saj.
Pavarësisht kësaj, atmosfera në Londër mbetet festive, me një line-up të pasur që synon të ofrojë një fundjavë të paharrueshme për publikun. /Telegrafi/










































