LAJMI I FUNDIT:

Ratifikimi i Demarkacionit, Opozita kërcënon me rezistencë të pakompromis

Ratifikimi i Demarkacionit, Opozita kërcënon me rezistencë të pakompromis

Dhënia e rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian për kosovarët, ka bërë që spektri politik të vihet në siklet për shkak të kushtit që i është vënë Kosovës lidhur me këtë proces.

Ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi është kushti që KE-ja i ka vënë Kosovës lidhur me procesin e liberalizmit të vizave, kusht ky i cili është një sfidë për deputetët e vendit.


Në rast se ratifikimi i kësaj marrëveshje bëhet sa më shpejt atëherë qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm nëpër Evropë brenda tre muajve.

Mirëpo një gjë e tillë duket se nuk është gati të ndodhë tani për tani, pasi që sot Kryesia e Kuvendit nuk ka vendosur që në dy seancat e radhës së të Kuvendit që do të mbahen më 18 dhe 25 maj, ta fus në rend dite ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, transmeton Telegrafi.

Opozita kishte paralajmëruar se do ta bllokonin me të gjitha mjetet e mundshme në momentin që do të ndodhë që kjo marrëveshje të vije në Kuvend për ratifikim.

E këtij premtimi opozita siç duket do t’i qëndrojë besnik, pasi që ata janë të vendosur që të mos pranojnë asnjë lloj kompromisi për territorin e Kosovës.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë për Telegrafin se kërkesa e Komisionit Evropian për zgjidhjen e demarkacionit me Malin e Zi, është e padrejtë ngase një kërkesë e tillë nuk i është bërë asnjërit shtet të rajonit para se t’i liberalizohen vizat, madje as Malit të Zi.

“Ne nuk jemi të gatshëm që të bëjmë kompromis me territorin tonë. Prandaj do ta kundërshtojmë me çdo kusht këtë marrëveshje të demarkacionit. Jemi shumë të interesuar që demarkimi i kufirit me Malin e Zi të bëhet, por jo në këtë formë. Në fund të fundit as BE nuk na e ka kërkuar domosdoshmërisht që mënyra aktuale e demarkacionit të ratifikohet. Kërkesa e tyre është që thjeshtë të zgjidhet çështja e demarkacionit”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka shtuar se qeveria duhet të ketë vullnet t’i përmirësoj gabimet e veta, ose në të kundërtën do të ndeshet me rezistencë nga ana e Vetëvendosjes.

“Nëse e kemi parasysh që edhe Mali i Zi është shprehur i gatshëm për ta rishikuar marrëveshjen, atëherë krejt çka duhet është që Qeveria jonë të ketë vullnet t’i përmirësoj gabimet e veta. Në të kundërtën do të ndeshet me rezistencë të pakompromis nga Lëvizja Vetëvendosja”, u shpreh Haxhiu.

Të njëjtin mendim me Lëvizjen Vetëvendosje e ndajnë edhe në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj partie, Muharrem Nitaj ka theksuar se me ose pa ratifikim të kësaj marrëveshje, Kosova do ta marrë liberalizimin.

“Ne nuk po bëjmë kurrfarë veprimi dhe nuk është e vërtetë që liberalizimi kushtëzohet me kufirin. Kosova do ta marrë liberalizimin pavarësisht ratifikimit ose jo të demarkacionit në Kuvend”, ka thënë Nitaj për Telegrafin.

Ai më pas ka shtuar se kryeministri Mustafa dhe presidenti Thaçi janë ata të cilët po duan të shpëtojnë nga ky gabim që kanë bërë.

“Ne kemi deklaruar se Demarkacioni është bërë keq, dhe këtë e kanë vërtetuar të gjithë ekspertët e të gjitha fushave, duke përfshirë edhe ekspertët juridikë. Këtë e kanë vërtetuar edhe banorët e zonave kufitare, edhe dokumentet, edhe hartat, edhe çdo njeri normal. Madje këtë e kanë pohuar edhe vetë autoritetet malazeze. Veç Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, nuk e kanë parë gabimin e tyre, sepse gabimi është i rëndë dhe ata po provojnë të shpëtojnë prej tij”, theksoi Nitaj.

I pyetur se a do të ndryshojnë mendim dhe do të lejojnë që të bëhet ratifikimi i kësaj marrëveshje, Nitaj theksoi se mendje duhet të ndryshojnë ata që e kanë rrezikuar territorin e vendit e jo ata që janë vënë në mbrojtje të tij.

“Këtë pyetje është mirë t’ia u bëni Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit. Ata janë ata që duhet të ndërrojnë mendje”, tha ai.

Edhe njohësi i çështjeve politike, Arben Qirezi nuk mendon se vonesa e ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi do të ndikojë në procesin e liberalizimit, ai madje ka propozuar që kjo marrëveshje të rishikohet.

“Besoj se ratifikimi nuk është për ngutë. Sipas meje, çështja e demarkacionit duhet të rishikohet. Më mirë është të bëhet me kujdes e mirë sesa të mbyllet dhe të lejë pas vetës pakënaqësi. Besoj se me më rëndësi është që ratifikimi të jetë proces i besueshëm sesa të bëhet për ngutë”, ka thënë Qirezi për Telegrafin.

Ai ka shtuar se vonesa e ratifikimit nuk shpreh ndonjë qëndrim agresiv të Kosovës apo mungesë të vullnetit për fqinjësi të mirë, duke theksuar se nëse ka mirëkuptim edhe nga Mali i Zi, nuk beson se kjo ndikon në liberalizim të vizave.

I pyetur rreth qëndrimit të opozitës për kundërshtimin e ratifikimit të kësaj marrëveshje, Qirezi ka theksuar se ajo duhet të këmbëngulë në qëndrimin e saj.

“Mendoj se opozita duhet të këmbëngulë në qëndrimin e saj për Demarkacionin, përkatësisht rishikimin kredibil të këtij procesi, ta mbështesë edhe koalicionin qeverisës. Kjo do të ishte mënyrë më e mirë”, tha Qirezi. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë

"Kurrë në jetë nuk kam pas tokë, vetëm kur e pash që mi kanë bartur 10 hektarë", Peci citon serbin që i ishte bartur pronësia me një vendim të vitit 1976

Lajme
I dyshuari për vrasjen në Pejë ishte i dënuar për dhunë në familje, prokurori Qavolli: Vrasje makabre, i pandehuri është ndaluar për 48 orë

I dyshuari për vrasjen në Pejë ishte i dënuar për dhunë në familje, prokurori Qavolli: Vrasje makabre, i pandehuri është ndaluar për 48 orë

Lajme
Gruaja që u vra në Pejë ishte punëtore shëndetësore që 20 vjet, Drejtoria e Shëndetësisë: Do të mbetet në kujtime për urtësinë

Gruaja që u vra në Pejë ishte punëtore shëndetësore që 20 vjet, Drejtoria e Shëndetësisë: Do të mbetet në kujtime për urtësinë

Lajme
Anëtarësimi i Kosovës në KiE, hidhen poshtë disa nga amendamentet që do ta komplikonin këtë proces

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, hidhen poshtë disa nga amendamentet që do ta komplikonin këtë proces

Lajme
Anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës, presidentja Osmani me mesazh për anëtarët e Asamblesë Parlamentare pak orë para votimit

Anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës, presidentja Osmani me mesazh për anëtarët e Asamblesë Parlamentare pak orë para votimit

Lajme
Vrasja e rëndë në Pejë, Muhaxheri: Ditë e trishtë për qytetin, të kërkojmë drejtësi për viktimën

Vrasja e rëndë në Pejë, Muhaxheri: Ditë e trishtë për qytetin, të kërkojmë drejtësi për viktimën

Lajme
Kalo në kategori