LAJMI I FUNDIT:

Rasti “Toka 3”, i akuzuari thotë se tokën që është objekt i akuzës e bleu dhe e barti në pronësi përmes gjykatës

Rasti “Toka 3”, i akuzuari thotë se tokën që është objekt i akuzës e bleu dhe e barti në pronësi përmes gjykatës

 I akuzuari Baki Abdullahu deklaroi se tokën që është objekt i aktakuzës e ka blerë në mënyrë ligjore, pasi dokumentacioni ka qenë në rregull dhe bartjen e pronësisë e ka bërë përmes Gjykatës Komunale në Prishtinë.

Në këtë rast, Baki Abdullahu, Haki Hyseni, Arsim Hasani, Valdet Shaqiri, Skender Potera, Muharrem Kadriu, Xhevahir Begolli, Nadir Shantir, Sali Bivolaku, Idriz Buza, Shkëlqim Latifaj, Enver Çoçaj, Jeton Govori, Besnik Rexha, Jusuf Lataj dhe Agron Haxhosaj, akuzohen se kanë përvetësuar dhe kanë tentuar të transferojnë parcelat në pronësi shoqërore që ndodheshin në Llapnasellë e Veternik, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, sistemimit, lëvizjes dhe pronësisë së pronave.


“Kur u takuam me Eduard Gashin, unë i kërkova të gjitha dokumentet e pronësisë dhe ai më prezentoj dokumentet përkatëse që ai kishte për parcelën në fjalë, ma ka prezantuar kopjen e planit, fletën poseduese, autorizimin që e kishte nga disa persona, të përkatësisë serbe”, ka thënë i akuzuari Abdullahu.

Në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Kadri Mjekiqi, i akuzuari tha se arsyeja e blerjes së kësaj toke ka qenë sepse pas luftës, ai ka nënshkruar kontratë me kompaninë gjermane, “Volkswagen” dhe i është dashur që ta ndërtojë një objekt sipas standardeve të kësaj kompanie, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë e pash në shitje tokën gjatë rrugës për Shkup, shkruante një nunër telefoni dhe kam telefonuar dikënd i cili më është prezentuar me emrin Eduard Gashi, me të cilin e lam një takim, të nesërmen apo pasnesërmen”, tha Abdullahu.

Në këtë seancë, është bërë edhe prezantimi i provave nga ana e prokurores Iliriana Çollaku-Tafa, e cila sipas kërkesës së gjykatës ka bërë po ashtu edhe selektimin e të njëjtave.

Mbrojtësit e të akuzuarve, kanë konstatuar se kanë vërejtje lidhur me provat e administruara nga ana e prokurores, mirëpo vërejtjet kanë thënë se do t’i paraqesin në fjalën përfundimtare.

“Ne i bashkangjesim dy deklarata tatimore të vitit 2005, nga e cila shihet se i akuzuari Abdullahu ka pas një qarkullim rreth 1 milion e gjysmë euro dhe fitim 77 mijë e 636 euro e 35 centë, po ashtu propozojmë si provë edhe deklaratën tatimore të 2004 para se i akuzuari ta blente pronën”, ka deklaruar avokati Mjekiqi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Arsim Hasani, avokati Ramiz Krasniqi tha se meqë prokurorja nuk ka thënë më asnjë fjalë se cili është veprimi inkriminues i të akuzuarit Hasani, nuk e sheh obligative argumentimin e pafajësisë së tij.

“I mbrojturi im akuzuahet se ka ble një parcelë 50  mijë euro, të njëjten kohë i njëjti ka pas në firmën e tij 3 milionë euro të hyra vjetore, të gjitha të hyrat e ka pagu tatimin në organin kompetent”, ka shtuar avokati Krasniqi.

Ndërsa, i akuzuari Shkëlqim Latifaj ka thënë se do ta bashkëngjes edhe një raport nga Policia e Kosovës dhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, pasi parcela për të cilën akuzohet i është nënshtruar një hetimi disamujor dhe kanë konstatuar se nuk ka falsifikim.

I akuzuari Latifaj shtoi se edhe sipas aktgjykimit të Dhomës së Posaçme në kuadër Gjykatë Supreme, familja Pantiq e kanë humbur rastin, pasi avokati i tyre ka deklaruar se vetëm ka dëgjuar për falsifikim të dokumenteve, por dëshminë nuk e ka. Po ashtu, ka theksuar se paneli ka qenë ndërkombëtar.

Prokuroja speciale, Çollaku-Tafa i ka kundërshtuar të gjitha provat e propozuara nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve.

Të akuzuarit tjerë kanë deklaruar se qëndrojnë pranë deklarimeve të mëhershme dhe e kanë rezervuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

Kryetarja e trupit  gjykues, gjykatësja Violeta Namani ka konstatuar se në seancën e radhës do të jepet fjala përfundimtare.

Seanca e radhës është caktuar më 2 nëntor 2022.

Në këtë rast, i akuzuar është edhe Samir Haxhimusaj, për të cilin, kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani, në seancën e 31 majit 2021 ka bërë veçimin e procedurës, pasi ka konstatuar se i njëjti gjendet jashtë vendit.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 1 shtator 2021, e kishte hudhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Kundër këtij aktvendimi, ankesë kishte ushtruar PRSK-ja, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës, shkeljes së ligjit penal si dhe vërtetimit jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike.

Me këtë ankesë, prokuroria ka kërkuar që të ndryshohet vendimi i shkallës së parë dhe të vendoset që të vazhdohet procedura penale ndaj të akuzuarve ose rasti të kthehet në rivendosje.

Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin e ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë dhe ka vendosur që lënda ndaj 16 të akuzuarve për shpëlarje të parasë, të shkojë në shqyrtim gjyqësor.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktvendimi i ankimuar është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës, po ashtu dispozitivi i aktvendimit është i paqartë dhe i pakuptueshëm.

Po ashtu, Apeli ka vlerësuar se në arsyetimin e aktvendimit të ankimuar nuk janë dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qarta lidhur me faktet vendimtare, të cilat i ka vërtetuar apo nuk i ka vërtetuar, si dhe është në kundërshtim me shkresat e lëndës si dhe arsyet në të cilat është bazuar në rastin e zgjedhjes së kësaj çështje.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 24 tetor 2016 ka ngritur aktakuzë ndaj Baki Abdullahut, Haki Hysenit, Arsim Hasanit, Valdet Shaqirit, Skender Poterës, Muharrem Kadriut, Xhevahir Begollit, Nadir Shantirit, Sali Bivolakut, Idriz Buzës, Samir Haxhimusajt, Shkëlqim Latifajt, Enver Çoçajt, Jeton Govorit, Besnik Rexhës, Jusuf Latajt dhe Agron Haxhosajt, për shkak të veprës penale “Shpëlarja e parave”, vepra penale në bashkim dhe në vazhdim, në bashkëkryerje, në kundërshtim me nenin 23 dhe 71 të KPRK-së në fuqi deri më 31 dhjetor 2012, po ashtu paraparë edhe me nenin 31 dhe 81 të KPRK-së, në fuqi që prej janarit 2013; në kundërshtim me nenin 10 të Rregullores së UNMIK-ut nr.2004/2 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe veprave penale të përafërta dhe në kundërshtim me nenin 56 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit”, në fuqi prej 15 qershor 2016, siç referohet me nenin 308 të KPRK-së, të hyrë në fuqi nga 1 janari 2013.

Sipas kësaj aktakuze, të lartcekurit këto veprime i bëjnë duke e ditur apo duke pasur arsye për ta ditur se parcelat e tokës në pronësi shoqërore të cekura më poshtë janë fitim i krijuar me aktivitete kriminale, posaçërisht se pronësia e këtyre pronave ishte transferuar zyrtarisht tek persona të entitetit serb.

PSRK-ja pretendonte se këto prona kanë qenë në fakt nën kontrollin dhe posedimin e grupit të organizuar kriminal të përshkruar në pikën një të aktakuzës, si rezultat i veprimtarive kriminale të përshkruara në pikat nga 1 deri në 19, në bashkëpunim me të paraqiturit si përfaqësues të shitësit të parcelës së tokës dhe me vet blerësin që janë vet ata, kanë transferuar dhe kanë tentuar të transferojnë pronat me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, sistemimit, lëvizjes dhe pronësisë së pronave, apo në çfarëdo rrethanash.

Kjo thuhet se u bë me qëllim të asistimit të të akuzuarve tjerë të cilët ishin të përfshirë apo kishin qëllimin e përfshirjes në kryerjen e veprës penale, që ka shkaktuar shmangien nga pasojat juridike ose pasojat e mundshme ligjore, për veprimet e tyre, në veçanti.

Gjithnjë sipas kësaj aktakuze, Baki Abdullahu më 24 maj 2006 ka përvetësuar dy parcela të tokës në Llapnasellë nga Edvard Gashi, i cili kishte vepruar në cilësi të përfaqësuesit dhe në emër të anëtarëve të familjes Stevic, me çmime artificialisht të ulëta, 82 mijë euro (20.83 euro për m2) dhe më 18 tetor 2006 i ka transferuar ato nga Haki Hyseni për një çmim prej 80 mijë euro (20.29 euro për m2).

Haki Hyseni thuhet se më 18 tetor 2006 ka transferuar parcelat e tokës në Llapnasellë nga Haki Abdullahu, me çmim të ulët prej 82 mijë euro. Kurse, Arsim Hasani thuhet se më 5 shtator 2006 ka përvetësuar parcelën në Llapnasellë nga Fahredin Gashi, me një çmim të ulët prej 49 mijë e 560 euro (28 euro për m2).

Sipas aktakuzës, Valdet Shaqiri thuhet se më 9 korrik 2007 ka përvetësuar parcelën në Llapnasellë nga Shaban Syla, i cili kishte vepruar në cilësi të përfaqësuesit dhe në emër të Kruna Blagojeviq, në çmim të ulët prej 127 mijë e 400 euro (25 m2) dhe më 30 tetor 2007, ka transferuar këtë parcelë tek Skender Potera, në çmim prej 153 mijë euro (30 për m2).

Gjithnjë sipas aktakuzës, Skender Potera e ka përvetësuar parcelën e lartcekur nga Valdet Shaqiri në çmim prej 153 mijë euro (30 m2). Ndërsa, Muharrem Kadriu thuhet se më 11 shtator 2007 ka përvetësuar parcelën nga Shaban Syla, i cili kishte vepruar në cilësi të përfaqësuesit dhe në emër të Kruna Blagojevic, në çmim të ulët prej 156 mijë e 750 euro (28.65 euro për m2), dhe më 16 mars 2013 këtë parcelë ai e ka transferuar tek ndërmarrja Jusaj Metal për një çmim të ulët prej 405 mijë euro (74 m2).

Aktakuza thotë se Xhevahir Begolli më 29 qershor 2007 ka përvetësuar parcelën e lartcekur nga Shaban Syla , i cili kishte vepruar në cilësi të përfaqësuesit dhe në emër të Kruna Blagojevic në çmim artificialisht të ulët prej 51 mijë e 700 euro (14.96 euro për m2) dhe më 8 mars 2008 të njëjtën e ka transferuar Nadir Shantir në çmim artificialisht të ulët prej 51 mijë e 855 euro (15 m2). E ky i fundit më 8 mars 2008 nga Xhevahir Begolli kishte përvetësuar parcelën e lartpërmendur.

Sali Bivolaku, sipas aktakuzës më 2 korrik 2012 përmes përfaqësuesit të tij, Avni Maxhunit ka përvetësuar parcelën e tokës në Veternik nga Shqipe Maxhuni në çmim artificialisht të ulët prej 150 mijë euro (55.56 m2). Kurse, Idriz Buza thuhet se më 14 gusht 2012 ka përvetësuar parcelën në Veternik nga Elhame Uka në çmim artificialisht të ulët prej 9 mijë euro (3.33 euro për m2).

Aktakuza thotë se Samir Haxhimusaj më 13 shtator 2012 ka përvetësuar parcelën e tokës në Veternik nga Visar Ahmeti në çmim artificialisht të ulët prej 9 mijë e 800 euro (9.80 euro për m2), kurse Shkëlqim Latifaj thuhet se më 16 nëntor 2012 ka përvetësuar parcelën e tokës në Veternik nga Ilaz Syla në çmim artificialisht të të ulët prej 60 mijë euro (38.96 euro për m2), dhe më 25 qershor 2013 e ka transferuar tek Enver Çoçaj në çmimin artificialisht të ulët prej 61 mijë euro (39.61 euro për m2).

Kurse, për Enver Çoçajn aktakuza thotë se më 24 gusht 2012 ka përvetësuar parcelën e tokës nga Ilaz Syla në çmim artificialisht të ulët prej 9 mijë e 900 euro (2.48 euro për m2), dhe më 16 nëntor 2012 ka përvetësuar parcelën tjetër të tokës në Veternik nga Shkëlqim Latifaj në çmimin prej 61 mijë euro (39.61 euro për m2), të cilën më 7 maj 2015 e ka transferuar tek Jusuf Latifaj dhe Agron Haxhosaj në çmim të ulët prej 72 mijë euro (46.75 euro për m2).

Tutje, Jeton Govori thuhet se më 31 tetor 2012 ka marrë autorizimin nga Ilaz Syla për të vepruar në emrin e tij në çështjet që ndërlidhen me parcelën me nr. 1870/10, dhe më 8 janar 2013 ka lidhur një marrëveshje me Ilaz Sylën dhe ndërmarrjen e tij “Ndërmarrja e re Komoran”, nëpërmjet të cilës i është miratuar e drejta pronësore mbi parcelën e tokës 1870/18 në Veternik, e më 4 mars 2013, duke përfaqësuar “Ndërmarrjen e re Komoran” ai ka transferuar parcelën e lartcekur tek Besnik Rexha me një çmim artificialisht të ulët prej 60 mijë euro (60 euro për m2), me sa duket duke paguar me mjetin motorik BMË X6, në vend të parave.

Në aktakuzë thuhet se Besnik Rexha më 4 mars 2013 ka përvetësuar nga Jeton Govori parcelën e lartcekur. Kurse, Jusuf Lataj dhe Agron Haxhosaj thuhet se më 7 maj 2015 kanë përvetësuar parcelën e tokës në Veternik nga Enver Çoçaj në çmim artificialisht të ulët prej 72 mijë euro (46.75 euro për m2).

Në trend Lajme

Më shumë
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
Gjatë një operacioni policor në Prishtinë e Gjilan, gjenden dy bunkerë dhe armë zjarri

Gjatë një operacioni policor në Prishtinë e Gjilan, gjenden dy bunkerë dhe armë zjarri

Kronika e Zezë
Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Lajme
Departamenti amerikan i Shtetit demanton dyshimet e ngritura ndaj Escobarit

Departamenti amerikan i Shtetit demanton dyshimet e ngritura ndaj Escobarit

Lajme
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori