LAJMI I FUNDIT:

Rasti i “përplasjes” së fëmijës në veturën e ministres Hajdari rrezikon të “përplaset” nga gjykata

Rasti i “përplasjes” së fëmijës në veturën e ministres Hajdari rrezikon të “përplaset” nga gjykata

Më 10 prill të 2022-ës, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, goditi me veturë një 9-vjeçare në rrugën “Vicianum”, në Prishtinë.

Vetëm pasi lajmi u bë publik nga mediat, ministrja doli me një sqarim publik, duke deklaruar se një fëmijë i është përplasur në veturën e saj.


Por, kështu nuk konstaton ekspertiza e këtij rasti e realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ekspertiza e nxjerrë më 28 tetor 2022, e cila u prezantua në një nga seanca gjyqësore të këtij rasti, konstatoi se ministrja Hajdari nuk ka respektuar rregullat e komunikacionit.

Policia jep detaje për aksidentin e shkaktuar nga ministrja Hajdari
Lexo po ashtu Policia jep detaje për aksidentin e shkaktuar nga ministrja Hajdari

Por, me këtë ekspertizë nuk qe e kënaqur ministrja, e cila angazhoi një kompani që të bënte një ekspertizë të re.

E ekspertiza e porositur nga ministrja Hajdari konstatoi se shkaktar i aksidentit ishte këmbësorja 9 -vjeçare.

E megjithatë, e njëjta ekspertizë nuk e lë krejt të pafajshme as vetë ministren, për të cilën thotë se ka kontribuar në shkaktimin e aksidentit për shkak të mungesës së kujdesit së shtuar ndaj pjesëmarrësve të tjerë në qarkullim.

Meqë rezultatet e ekspertizave nuk përputheshin, në dhjetor të 2022-ës, gjykata urdhëroi realizimin e një super-ekspertize nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës.
Megjithatë, as pas 9 muajsh, ky fakultet nuk nxori në dritë të vërtetën e këtij aksidenti.

Në një përgjigje për KIKS Kosovën, dekani i këtij fakulteti, Ahmet Shala, u arsyetua se vonesa erdhi si pasojë e lëndëve dhe rasteve të shumta gjyqësore në të cilat janë të angazhuar stafi i këtij fakulteti.

Ai mohoi se ka pasur presione politike dhe premtoi se kjo super-ekspertizë do t’i dërgohet gjykatës brenda kësaj jave.

Vonesa e super-ekspertizën rrezikon që lënda të parashkruhet.