LAJMI I FUNDIT:

Raporti sekret i Kadri Hazbiut: Veprat e Kadaresë gjithçka mund të jenë, por socialiste jo!

Raporti sekret i Kadri Hazbiut: Veprat e Kadaresë gjithçka mund të jenë, por socialiste jo!
Ismail Kadare

Publikohet raporti me siglën “Tepër sekret” i vitit 1968, ku ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, informon sekretarin e Komitetit Qendror të PPSH-së, Ramiz Alia, lidhur me “materialet” që kishte mbledhur Sigurimi lidhur me ato që thuheshin për shkrimtarin e njohur, Ismail Kadare.

Midis të tjerash, në atë raport-informacion thuhet: “Romani “Dasma” nuk e meriton, atë e lavdëruan me pa të drejtë dhe e ngritën në qiell, sidomos për ato pjesë që të gjithë i shohin se është për tokë. Kurse një shkrimtar tjetër shprehet se: ”Kjo vepër gjithçka mund të jetë, por socialiste jo. Një letrar i ri në Laç, thotë: ”Tuneli i Dhimitër Xhuvanit nuk është më i keq se ‘Dasma’, e Ismail Kadaresë, kjo është 100 herë më e poshtër se ‘Tuneli’. Një tjetër letrar në Laç është shprehur se romani ‘Dasma’, është si ato që thotë shoku Mehmet, që: 99 rreshta i lyen me sheqer dhe vetëm 1 me helm, por te ky roman ka 1 me helm dhe 98 boshe”. Edhe romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” – vazhdon ky – është krejtësisht me frymë revizioniste…”


Ky dokument arkivor mban datën 14.IV.1968. ”Lënda”, është: “Mbi komentet dhe parrullat armiqësore të elementit armik”. Ajo që vihet re në pamje të parë është fakti se të tilla informacione të kësaj natyre, ministri i Brendshëm Kadri Kazbiu, apo zëvendësit e tij, ia adresonin Hysni Kapos, pasi ai ishte sekretari përkatës në Komitetin Qendror që mbulonte çështjet dhe problemet që kishin të bënin me organet e diktaturës së proletariatit (Ministria e Brendshme, Prokurori, Hetuesi, Gjykata etj), ndërsa në rastin konkret, këtë raport ia ka adresuar Ramiz Alisë….?! Me shumë gjasa në atë kohë ose Hysni Kapo nuk do të ketë qenë në detyrë (pushime, sëmundje etj), ose ky informacion i është dërguar edhe atij, por në dosjen nga ka dalë ky dokument ai mungon?!

Nisur nga periudha kur është dërguar ky dokument (gjë e cila shihet dhe prej përmbajtjes së tij), pra po të zhvendosemi në kohë, në muajt e parë të vitit 1968, kemi parasysh ngjarjet që po ndodhin në disa vende të Lindjes, si demonstratat në Çekosllovaki, Poloni, Jugosllavi, por dhe në disa vende perëndimore (kryesisht me studentët), si në Francë Itali etj.

Pra,. nisur nga situata e tensionuar në planin ndërkombëtar, me një ndjeshmëri të një shkalle të lartë (tipike për vendet e regjimet komuniste diktatoriale), Tirana zyrtare po tregohej mjaft e vëmendshme, pasi i druhej ndonjë efekti “domino” të atyre ngjarjeve, apo në rastin më të pakët, ndikimit të tyre në Shqipëri. Dhe, kjo gjë duket qartë edhe nga dokumentet arkivore që gjenden në Fondin e Komitetit Qendror të PPSH-së, ku Ministria e Punëve të Brendshme i ka dërguar një sërë informacionesh dhe raportesh udhëheqjes së lartë, duke e informuar deri me detaje, mbi çka ndodhte në çdo skaj të vendit, nga jugu në veri. Dhe, jo pa arsye, pasi siç duket dhe nga ky dokument, por edhe nga një sërë dokumentesh të tjera arkivore që ndodhen në dosjet përkatëse në arkivat e shtetit, situate në atë kohë po precipitonte në atë mënyrë, saqë regjimi komunist i Tiranës, pas ndërhyrjes së trupave ushtarake sovjetike në Çekosllovaki, e kaloi ushtrinë në gatishmëri nr. 1, njësoj si në gjendje lufte. Dhe, më shumë se sa ndonjë agresioni nga jashtë, regjimi komunist i druhej ndonjë lëvizje nga brenda. Në këtë kontekst të rrjedhës logjike të ngjarjeve, kjo periudhë kohe (gjithë viti 1968), është një nga periudhat më alarmante dhe të frikshmet që ka kaluar ai regjim, deri në vitin 1990-ën kur ndodhi ngjarja e ambasadave.

Dhe, në këtë kontekst kohor, është dhe ky informacion, ku midis të tjerash, Kadri Hazbiu, krahas problemeve të fushave të ndryshme që preken në atë raport, ndalet dhe te “Arti, kultura dhe letërisa”, gjë e cila zë pothuaj gjysmën e të gjithë raportit në fjalë. Lidhur me këtë problem shihet se ai ka raportuar me detaje për të gjitha komentet që bëheshin në atë kohë për artin dhe letërsinë, në të gjithë vendin.

Me shumë interes ashtë ajo pjesë e raportit ku jepen të dhëna mbi çka flitet dhe diskutohet për artin, kulturën dhe letërsinë, në qytetin e vogël industrial të Laçit, që asokohe i ngjante një fshati me trotuare. Dhe, akoma më interesant është fakti se në atë qytet të vogël, kishte një rreth letrar (me kryetar Luan Maluka) ku diskutoheshin me kompetencë problemet më të mprehta dhe më të ndjeshme që kishte Letërsia dhe Artet në Shqipëri. Si: “Kritika e Bilal Xhaferrit ndaj ‘Dasma’”; “Kritika e Kadaresë ndaj ‘Garda krutane’ të Kol Jakovës”; “Ngjashmëria me mes ‘Tuneli’-t të Xhuvanit me ‘Dasma’ të Kadaresë’” etj. Dhe, kjo ka ndodhur vërtet: në atë kohë, në qytetin e vogël të Laçit, kishte shkuar me qarkullim (si mjaft shkrimtarë e artistë të tjerë që u dërguan në rrethe të ndryshme), dhe banonte me gjithë familjen e tij, shkrimtari i njohur Kolë Jakova, i cili asokohe kishte një famë dhe emër të madh, pasi në ato vite ishte në kulm jehona e veprës së tij, “Toka jonë”.

Po kështu, bashkë me Kol Jakovën, në atë qytet të vogël ishte dhe shkrimtari minoritar Spiro Xhaj, gjithashtu mjaft i njohur në atë kohë, si dhe Siri Sulejmani, shkrimtar që vinte nga klasa punëtore. Rreth Kolës e Spiros, që pjesën më të madhe të kohës e kalonin te “Klubi i madh” (kafe-restorant me emër në të gjithë veriun), mblidheshin disa letrarë të tij dhe dashamirës të artit, si Luan dhe Robert Maluka, Mehmet Isaj, Andrea Martini, Siri Sulejmani, Sadri Ahmeti, Maqo Trebicka, Vladimir Ndini Gjergo, Engjëll Dusha etj. Dhe, jo rrallë me ta bashkohej dhe Bilal Xhaferri, mik dhe shok i ngushtë i Luan Malukës, me të cilin kishte punuar bashkë në një vend pune në ndërtim (veç kësaj, Bilal Xhaferri ndalonte në Laç, kur zbriste nga treni dhe merrte rrugën për të shkuar në Rrëshen, te Musine Kokalari dhe disa miq të familjes së tij nga Çamëria, që ishin të internuar në atë qytet).

Në këtë rreth shoqëror që i bashkonte edhe pasioni për letërsinë dhe artet, ata shikonin tek Kola njeriun që do t’i ndihmonte për të botuar ndonjë poezi, tregim apo ndonjë shkrim në faqet letrare të gazetave. Dhe, mes kësaj shprese dhe ëndrrës për t’u afirmuar, ata e shikonin dhe e kishin si idhull Kolën, që duhet thënë se ishte shumë popullor dhe gjithashtu i respektonte dhe u premtonte miqve të tij laçianë.

Po kështu, të njëjtat gjëra si për Kolën, ata ushqenin edhe ndaj Bilal Xhaferrit, me të cilin kishin shumë më tepër miqësi pasi siç shprehet Luan Maluka, ishin “shokë armësh”, se Bilali ishte punëtor i thjeshtë si ata. Madje, për shumë kohë kishte qenë si ndihmës hekur-kthyes i Luanit.

Nisur nga të gjitha këto, lidhur me debatin që ishte hapur edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve në Tiranë, si ai “Bilal Xhaferri – Kadare” për “Dasma”, apo “Kadare – Kol Jakova” për “Garda krutane”, ku Kadare ishte një nga kritikët më të spikatur ndaj saj, i gjithë grupi, natyrisht që mbante anën e Kol Jakovës flisnin ashpër kundër Kadaresë. Po kështu edhe peticioni që flitet në dokumentin e ministrit Kadri Hazbiu, që ata kishin firmosur dhe donin ta dërgonin në shtyp pas publikimit në gazetën “Drita” të artikullit kritik të Kadaresë ndaj ”Garda krutane”, është i më se i vërtetë.

Këtë gjë e ka dëshmuar para shumë kohësh Luan Maluka, ish-drejtues i rrethit letrar të Laçit në atë kohë, gjë e cila thuhet dhe në dokumentin e Ministrit të Brendshëm. Po kështu, Luan Maluka ka dëshmuar duke pohuar edhe për atë që thuhet në fund të raport-informacionit, ku aludohet hapur ndaj Kadaresë: ”Le të ngrihemi të gjithë dhe t’i japim atë që meriton këtij kokoshi të përkëdhelur të autoriteteve”. Luani, por dhe i gjithë grupi, e kanë ditur që në atë kohë se nga ka rrjedhur informacioni (person jashtë atij grupi) që ka rënë në veshin dhe raportin e Sigurimit, por nuk kanë asnjë qefmbetje ndaj tij. Duke shtuar jo pa humor: “Ka qenë shumë korrekt, nuk ka shtuar asnjë fjalë”?! Fatkeqësisht, disa vjet më vonë, me përjashtim të Maqo Trebickës (që u përjashtua nga partia, për zbutje të luftës së klasave), për arsye nga më të ndryshmet, i gjithë grupi i rrethit letrar të Laçit, që bashkoheshin me Kolë Jakovën, përfunduan në burgjet politike të Enver Hoxhës…?! Kjo gjë nuk kishte lidhje as me Kolën, as me Bilal Xhaferrin dhe as me njeri tjetër.

Këtë e pohon edhe Luan Maluka, duke thënë: “Më mirë se ne, nuk i plotësonte asnjeri kushtet për të shkuar në Spaç”. /Marrë nga libri, “Kadare i denoncuar” i autorit Dashnor Kaloçi, botim i UET PRESS, Tiranë, 2015/