LAJMI I FUNDIT:

Rama në Austri, flet për liberalizimin e vizave për Kosovën: Po mbahet peng në zemër të Evropës

Rama në Austri, flet për liberalizimin e vizave për Kosovën: Po mbahet peng në zemër të Evropës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mori pjesë sot në punimet e forumit “European Alpbach”, në Austri me temë “Zgjimi gjeopolitik i BE-së”.

Në fjalën e mbajtur në këtë forum, ndër të tjerë, Rama ka folur mbi çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, ndërsa theksoi se “më pak se 2 milionë njerëz mbahen peng në zemër të Evropës”.


“Kosova u çlirua nga fuqitë e mëdha demokratike nga një regjim barbar. Por nën regjimin barbar ata mund të lëviznin lirisht në Evropë, me çlirimtarët ata janë peng, nuk mund të lëviznin lirisht. Kështu që, gjyshërit e fëmijëve që kanë lindur në Kosovën e lirë dhe që tashmë janë në moshë madhore mund të shkonin në Gjermani, të vinin në Austri, edhe të punonin. Fëmijët nuk mund të lëvizin sepse nuk ka liberalizim të vizave për Kosovën”, u shpreh Rama në forumin me temë “Zgjimi gjeopolitik i BE-së”, tha RAma.

“Pra, ç’është ky zgjim gjeopolitik kur ke Ballkanin Perëndimor aty në zemër të Europës dhe ke Bashkimin Europian, me aq sa di unë, realitetin e vetëm gjeografik në historinë e hartave me një kufi të jashtëm dhe me një kufi të brendshëm sepse për të hyrë në Ballkanin Perëndimor duhet të hysh së pari, në Bashkimin Europian; nuk mund të hysh në asnjë prej vendeve të Ballkanit pa kaluar së pari në Bashkimin Europian”, shtpi kryeministri shqiptar.

Sipas Ramës, “ky realitet gjeografik nuk trajtohet në mënyrën e duhur politikisht”.

“Ndërkohë që ka pasur liberalizim të vizave për dhjetëra e miliona njerëz, – për shembull, Ukrainën, Gjeorgjinë, -më pak se 2 milionë njerëz mbahen peng aty në zemër të Europës, pse? Nga ana tjetër, ka tensione Mitrovica e jo Mitrovica. Kur vjen fjala për të mbështetur suksesin e dialogut, askush nuk mendon, “Jepini këtyre njerëzve lirinë të lëvizin” dhe thojuni, “Jeni të lirë tashmë të lëvizni”, por në të njëjtën kohë, le të ketë më shumë dialog konstruktiv”, shtoi ai.

Kryeministri iu rikthye edhe çështjes së çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Shihni çfarë ndodh me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Nuk doja t’i kthehesha kësaj gjëje sepse mendova që ka përfunduar, por le t’i kthehemi për hir të diskutimit. Një vend i NATO-s, Bullgaria, në mes të një lufte, që merr peng dy vende të tjera të NATO-s. Për çfarë? Për disa çështje historike dhe Bashkimi Europian shndërrohet në një katedër e pafuqishme shtetesh përballë një shteti që ka disa pretendime historike. Nuk kam kurrfarë gjëje ndaj pretendimeve historike, por kur këto çështje historike pretendohen nga politikanët, nuk ka shanse për të zgjidhur të vjetrën, por ka shanse për të krijuar probleme të reja historike. Si mund të jetë Bashkimi Europian një vend ku t’i sjell çështjet historike mes njëri-tjetrit? Imagjinoni nëse Sllovakia, Republika Çeke apo Austria apo Gjermania apo anëtarët këtu, të fillonin të mendonin në këto terma?”, vijoi Rama.

Kryeministri theksoi se “nëse përpara luftës kjo ide franceze e një komuniteti të ri politik europian ishte më tepër si një shmangie nga çështja e vërtetë, anëtarësimi, sot ka një potencial të madh për t’u trajtuar, shtjelluar e për t’u përdorur si një element suksesi për të krijuar diçka tjetër të re dhe për të sjellë gjithkënd rreth tryezës”.

“Ne nuk jemi BE-ja por ne jemi E, Europa, nuk kemi B-në dhe nuk e dimë se kur do ta kemi por E-në e kemi. Kjo B që na mungon është njësoj si të jesh europian i kategorisë së dytë”, shtoi ai.

Rama gjithashtu tha se lufta në Ukrainë po sfidon vetë themelet e shoqërive tona në anën perëndimore.

“Mendoj se çështja e vërtetë nuk ka të bëjë me se sa të zgjon lufta, se bombat të zgjojnë zakonisht, nuk mund të flesh, por se sa rezistent mund të jetë perëndimi duke e ditur se kufiri i dhimbjes ruse është shumë më lartë dhe duke e ditur se t’i heqësh nga tryeza shampanjën dikujt që është mësuar të pijë shampanjë duket më e dhimbshme se sa t’i marrësh nga tryeza bukë dikujt që është mësuar të mos hajë shumë bukë. Pra çështja e vërtetë këtu është rezistenca”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se solidariteti i fortë i muajve më parë duket sikur është më pak entuziast, pasi jeta e përditshme nuk është e lehtë.

“Kjo do të sfidojë jo vetëm BE-në dhe Evropën, por vetë themelet. Nëse do të shtoja një pikë këtu, ajo është se nuk e shoh Evropën të ndryshojë në asnjë lloj mënyre. Në rregull, më shumë solidaritet, më shumë ndjesi përbashkësie, më shumë takime, por Europa është e mirë për të bërë më shumë takime, nuk ka problem aty. Çështja është se si vetë Europa po ndryshon dhe nuk duket se po ndryshon në asnjë lloj mënyre”, tha Rama.

Sipas tij, “është më së tepërmi një lloj inercie midis një lufte ku nga njëra anë janë rusët, nga ana tjetër është Ukraina dhe amerikanët që po japin mbështetje shumë të madhe dhe Europa që po bashkohet me këtë mbështetje aq sa mundet çdo vend”.

“Por nuk është diçka e tillë si Europa këtu. Ka vende të ndryshme me qëndrim të përbashkët në parim, por në fund të fundit nuk duket sikur janë të gjitha premisat për të qenë tejet optimist”, shtoi ai. /Telegrafi/