LAJMI I FUNDIT:

Qytetarët të pa interesuar t’u falen borxhet, nuk aplikojnë as gjysma

Qytetarët të pa interesuar t’u falen borxhet, nuk aplikojnë as gjysma

As gjysma e qytetarëve që kanë borxh në KEK dhe në ujësjellësin Rajonal Prishtina nuk kanë aplikuar për t’u falur borxhet e vjetra.

Afati i fundit për të përfituar nga falja e borxheve është 1 shtator, ndërkohë që zyrtarë të ATK-së kanë bërë thirrje që të aplikojnë deri në datën e caktuar në mënyrë që të përfitojnë nga ligji për faljen e borxheve.


Zyrtarët e ATK-së kanë thënë se nga 1 janari deri më tani janë falur borxhe në vlerë prej 12.5 milionë euro.

E në Korporatën Energjetike të Kosovës deri më tani janë falur 101 milionë euro borxh ose 40 për qind të konsumatorëve, të cilët kanë qenë në listën e faljeve të borxheve.

Drejtori i Zyrës për informim në KEK, Skender Bucolli, ka thënë për KP se nga falja e borxheve kanë përfituar rreth 117 mijë e 500 konsumatorë.

Sipas tij si vlerë e paraparë për falje janë 262 milionë euro.

“Nga ligji për faljen e borxheve , konsumatorët edhe borxhi total në tërë territorin e Kosovës më së shumti e ka prekur KEK-un. KEK në total ka pasur rreth 117 mijë e 500 konsumatorë, nga ta mbi 34 mijë kanë përfituar të cilat kanë pasur borxh më pak se 100 euro kanë përfituar drejtpërdrejt nga falja e borxheve. Dhe një shifër prej 30 mijë konsumatorëve kanë përfituar të cilët borxhi i tyre ka qenë mbi 100 euro – mirëpo për pagesë kanë pasur nga 01 deri në 99 cent edhe këta konsumatorë kanë përfituar në mënyrë automatike, ka qenë vendim i bordit të drejtorëve. Nga ta kanë mbetur 53 mijë e 894 konsumatorë të cilët janë përfitues të programit dhe që janë paraparë të lidhin kontratë me KEK-un për faljen e borxheve në këtë rast me KEDS-in, sepse kompetencat kanë kaluar për falje të borxheve janë në zyrat konsumatorit që lidhin kontratë në zyrat e KEDS-it. Si vlerë totale e paraparë për falje ka qenë gjithsej 262 milionë euro , ndërsa deri më tani janë falur shuma prej 101 milionë eurove apo 40 për qind. Përderisa nga vlera e parashikuar për t’u inkasuar e cila është vlerë prej 96 milionëve deri më tani janë arrit marrëveshje për 14 milionë konsumatorë. KEK edhe një herë duke u bazuar edhe në fazën e parë të cilët konsumatorë kanë prit të gjithë muaj apo ditët e fundit, u bënë thirrje që këta dy muaj të drejtohen tek zyrat e KEDS të lidhin kontrata për falje të borxheve dhe të përfitojnë nga ligji që u jap këtë mundësi”, ka thënë Bucolli.

Ai shpreson se që të gjithë qytetarët do ta shfrytëzojnë këtë mundësi, e cila është mundësi mjaft e mirë për ta.

Po ashtu Bucolli shpreson se do të arrijë t’i inkasojnë të gjitha borxhet e mbetura.

Edhe në ujësjellësin Rajonal “Prishtina” bëjnë të ditur se deri më tani janë falur 10 milionë euro ose 55 mijë konsumatorë.

Zëdhënësja e Ujësjellësit, Arbërie Zogiani, ka thënë për KP se shuma totale për falje të borxheve në këtë kompani është 23 milionë euro.

Edhe zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës kanë thënë se janë duke zbatuar për Faljen e Borxheve Publike.

Ata kanë bërë thirrje borxhlinjtë që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë për shlyerjen e borxheve.

“Të gjithë personat fizikë dhe juridikë (përveç ndërmarrjeve shoqërore nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të cilët kanë borxhe ndaj ATK-së deri më 31 Dhjetor 2008, mund të përfitojnë nga falja e borxhit, nëse plotësojnë kriteret dhe iu nënshtrohen procedurave të parapara nga ATK për faljen e këtyre borxheve. Për të përfituar nga falja e borxheve ndaj ATK-së, tatimpaguesi duhet: Të kryej pagesën e plotë të tatimit bazë (kryegjësë) për periudhën nga 01 Janar 2009 deri me 31 Dhjetor 2014, ose të lidh marrëveshje me ATK, për pagesën e borxheve me këste, për periudhën 01 Janar 2009 deri me 31 Dhjetor 2014. Vetëm tatimpaguesit të cilët shfrytëzojnë këtë mundësi dhe përmbushin detyrimin e kërkuar deri më 01 Shtator 2017, do të përfitojnë nga falja e borxhit.”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve të ATK-së.