LAJMI I FUNDIT:

Quo vadis Ukë?

Këtë vështrim do të filloj nga rasa e parë, në mënyrë që, vijimisht, të adresoj pikëpamjen time referuar precedentit Ukë Rugova!

Nga viti 2007, në partinë politike AKR-në, isha një nga themeltarët dhe nënkryetarët e atij subjekti politik. Gjatë periudhës sa pata qëndruar në AKR, për çështjen e saj pata punuar me përkushtim dhe bindje se, aktivizimi politik, eventual, i saj, vendit tonë do t’i sillte të mira të konsideruara. Mirëpo, nga situata në situatë, filluan pikëpamjet zhgënjyese të mia dhe, diku kah faza e parw e fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2008, pata dhënë dorëheqje të parevokuar nga posti i nënkryetarit të AKR-së, nga anëtarësimi në tw, madje pata abdikuar edhe nga kandidatura ime për deputet të atij subjekti politik. Ndërkaq nga Lista e kandidatëve të AKR-së për deputetë të Kuvendit të Kosovës, autoritetet e KQZ-së dhanë shpjegim se nuk do të mund të hiqesha, se pakut, edhe nga shkaqe teknike. Anipse nuk isha pjesëmarrës në fushatën zgjedhore, falë qytetarëve të nderuar, nga ata mora votëbesim dinjitoz për deputet në Legjislaturën III të Kuvendit të Republikës së Kosovës.


Nga fillimi i asaj Legjislature, pothuaj se secili subjekt politik kuvendor më kishte ofruar për të kaluar në grupet kuvendore të tyre. Duke i vlerësuar me konsiderata ato oferta, pa hezitim, i refuzova dhe nuk pranova që për interesa të caktuara ta braktisja Grupin kuvendor të deputetëve të AKR-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës, deri në skadimin e mandatit qe ndodhi me shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës! Madje, duke i përfillur besimet e votuesve të mi, anipse nuk isha anëtar i AKR-së, edhe sipas vlerësimeve profesionale kompetente të KDI-së, gjatë tërë Legjislaturës sw III-tw isha deputeti më aktiv dhe më efikas në të të gjitha kategoritë. Pra edhe ashtu, votuesve të mi u qëndrova lojal, korrekt dhe i sinqertë, dhe në favorin e tyre e kam dhënë kontributin maksimal krejtësisht konform me përmbajtjen e premtimeve zgjedhore të përcaktuara edhe në Programin Politik të partisë politike në fjalë. Pikëpamjen time e mbështetja në ndjenjën personale për përgjegjësinë morale referuar votuesve të AKR-së, nga shkaku i padiskutuar se, funksionin e deputetit ma kishin dhënë votuesit e po atij subjekti politik përjashtuar rastet individuale, për të cilat kisha dhe kam respekt.

Ndryshe, gjatë, e konkretisht në fund të fushatës zgjedhore, nga kandidatët për deputetë në një anë dhe votuesve në anën tjetër, krijohet kontratë “Pacta Sunt Servanda”, si raport juridik e moral specifik, Sui Generis! Personi që në fushatën zgjedhore e fiton votëbesimin, referuar votuesve, kreditorëve, është debitor, borxhlinj dhe për ta, Nolens Volens, do të duhej të përfillte besimin e tyre për implementimin e premtimeve zgjedhore, në saje të të cilave, është krijuar ai relacion specifik dhe mbi të gjitha, tepër serioz. Seandejmi, deputeti/ja i cilitdo subjekt politik, pavarësisht nga ofertat, zakonisht dhe kryesisht atraktive e për aq korruptive, medoemos do duhej të njëjtat t’i përballte pa hezitime duke qëndruar dinjitetshëm në funksion të debitorit përkatësisht të obligimeve kontraktore adresuar votuesve të vet (sic).

Në këtë kontekst, pos vërejtjeve qortuese, rasteve kontrare me situatën e sipërpërshkruar, konkretisht i referohem zotëri Ukë Rugovës, i cili, Contradictio Symptomatum, as gjatë fushatës zgjedhore nuk ishte konsekuent, e aq më pak dhe me keq, në fundin e saj (sic). Zotëri Uka, i deklaruar LDK-ist, në fillimin e fushatës zgjedhore pat hyrë në gjirin e AAK-së dhe nga atje, i mirëpritur, i ledhatuar dhe i favorizuar, agjitoi, propagandoi për fitimin e cilësisë së deputetit dhe, pikërisht atje, e jo gjëkundi tjetër (ic) as nga ldk-istët aq më pak nga pdk-istët, por kryesisht nga aak-istët, fitoi statusin e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Rrjedhimisht, zotëri Uka, në vend që, Pacta Sunt Servanda, të përfillte juridikisht, e mbi të gjitha moralisht nderimin qe ia falen votuesit, pikërisht atyre, për hir, me bazë supozoj, të lakmive pushtetore dhe të joshjeve sfiduese, nëpërmjet aleancës koalitive me PDK-në, votuesve, kreditorëve të vet, ua ktheu shpinën pa asnjë fare mirënjohjeje elementare! Në këtë kontekst, duke mos shprehur apostrofime kundër krijimit të koalicionit qeveritar, në këtë rast, të lideruar nga PDK-ja, theksoj se, nuk do të duhej të qëndrohej indiferent ndaj Contradictio In Adiectio-ve, kundërthënieve politike premtuese publikisht, në një anë dhe veprimeve praktike të kundërta të mëpastajme, në anën tjetër, në këtë rast të zotëri Ukës, por edhe të rasteve të konsideruara të ngjashme me të!

Gjithsesi, zotëri Uka, konform me sentencën e vlershme nga antikiteti “Diversi Divers Putant” (sa njerëz aq çudira), apo sa njerëz aq edhe qëndrime, pikëpamje, mendime, ka vepruar, gjithsesi ngutas ( Quod Cito, Cito Perit) i drejtuar nga emocionet në disfavor të komponentës së përgjegjësisë, kryesisht morale, e cila në vendin tonë mjerisht praktikohet rrallë e zbehtë, me apo pa vetëdije se, votuesve të vet fillimisht dhe rrjedhimisht u ishte dhe u mbetet debitor, gjithsesi jo i mirë (sic).