LAJMI I FUNDIT:

Qeveria do t’i kompensojë fermerët për dëmet e shkaktuara nga breshri

Qeveria do t’i kompensojë fermerët për dëmet e shkaktuara nga breshri

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar vendimin për kompensim të menjëhershëm të dëmeve të shkaktuara këtë vit nga breshëri nëpër komunat e Kosovës.

Po ashtu, vendimi ka autorizuar Ministrinë e Financave që të fillojë procedurat për krijimin e fondit të veçantë për kompensimin e dëmeve eventuale në sektorin e bujqësisë gjatë vitit 2019.


Në kuadër të përgatitjeve për themelimin e këtij fondi, Qeveria gjithashtu ka vendosur që të krijojë një grup punues për themelimin e sistemit të sigurimit të prodhimeve bujqësore.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përveç që ka thënë se fermerët do të kompensohen, ka kërkuar nga Ministria e Bujqësisë që të mos i ndal subvencionet për këta fermerë.

“Shumën e mjeteve nuk e kemi cekur me sa di, por është e ndarë që Ministria e Financave, pra edhe nëse nuk arrijmë sot me marrë vendim, në të ardhmen ta diskutojmë kur kishim mundur dhe si kishim mundur që nga kategoria e shpenzimeve rezervë të ndahet një shumë për kompensimin e dëmeve që kanë ndodhur deri tani. Por, po ashtu propozimin që për vitin që vjen të krijohet një fond i veçantë për kompensimin e këtyre dëmeve. Një veprim mendoj që lidhet me këtë është që, Ministria e Bujqësisë të përshpejtojë ndarjen e subvencioneve të paktën për këta bujq e dëmtuar. Pra, mos t’iu ndalen subvencionet atyre që ju ka dëmtuar kultura, sepse në rast se subvencionet ndahen menjëherë ata mund të ripërtërijnë ose mund të rimarrin aktivitetin e mbjelljes”, tha ai.

Sa i përket buxhetit për kompensim të këtyre fermerëve, ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë se mjetet do të gjenden dhe dëmet do të kompensohen, por ai tha se me nivelin të cilin e kanë si mundësi reale si shtet.

“Rezerva për momentin e ka një gjendje e cila është kjo, por përveç prej rezervës ne dimë që pas datës 1 tetor hapet mundësia që aty ku ka mjete të lira të cilat për një arsye apo për një arsye tjetër nuk kanë mundur të shpenzohen, të ridestinohen dhe të përdoren edhe për këtë qëllim që t’iu ndihmohet fermerëve që këtë vit janë të dëmtuar. Unë besoj që mund të veprojmë në këtë drejtim edhe prej rezervës, po edhe pas datës 1 tetor do të thotë të rimobilizojmë fonde dhe t’i përdorim për këtë qëllim. Sa i përket pjesës së dytë, unë besoj që Ministria e Bujqësisë e ka në fokus këtë çështje dhe përmes politikave të saj do ta adresojë në mënyrë adekuate”, tha ministri Hamza.

Ndërkohë, për sa i përket krijimi të fondit të veçantë për vitin 2019 ishte Hamza ai që propozojë që si zgjidhje më afatgjate të krijohet një grup punues për themelimin e sistemit të sigurimit të prodhimeve bujqësore.

“Kur bëhet fjalë për krijimin e fondit të veçantë për vitin 2019, duhet të kemi parasysh edhe dispozitat e ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë. Prandaj, bazuar në përvojat e shteteve të tjera mund të thuhet lirisht se ky problem do të adresohet saktësisht dhe do të zgjidhet plotësisht kur atij i qasemi në mënyrë sistemore, pra duke krijuar sistemin e sigurimit të prodhimtarisë bujqësore të vendit me infrastrukturën përkatëse ligjore, institucionale dhe buxhetore. Kosova është i vetmi vend në Evropë që ende nuk e ka krijuar një sistem të tillë”, tha ai.

Ndërsa, zëvendësministri i Bujqësisë, Mevludin Krasniqi paraqiti kërkesën e vetëm katër komunave për kompensim, e që arrijnë shifrën e 6.7 milionë eurove.

“Vetëm në komunat që kanë bërë kërkesë për kompensim të dëmeve, Drenasi, Rahoveci, Ferizaj dhe Lipjani diku deri sot kërkesat e tyre janë 6.7 milionë euro. Javën e kaluar Ministria e Bujqësisë i ka autorizuar pagesat direkte për subvencione për 18 mijë fermerë të cilët do të përfitojnë afërsisht 12.5 milion euro”, tha ai. /Telegrafi/