LAJMI I FUNDIT:

Kryeziu: Në vitin 2017, Serbia ishte vendi i parë prej nga importonim, tani është i katërti

Kryeziu: Në vitin 2017, Serbia ishte vendi i parë prej nga importonim, tani është i katërti

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas raportimeve në media se në kohën e qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, importi nga Serbia është rritur për 300 milionë euro.

Sipas zëdhënësit të këtij institucioni, Përparim Kryeziu, në vitin 2017 Serbia ka qenë në vendin e parë prej nga importonte Kosova, ndërkaq në vitin 2021 dhe në këtë vit, zë vendin e katërt.


Në një postim në Facebook, ai ka lënë të kuptohet se mënyra e raportimit të mediave rreth kësaj çështje ka qenë tendencioze, pasi krahasimet janë bërë me 2020-tën, vitin e pandemisë kur kufinjtë ishin të mbyllur.

“Një javë i krahasojnë importet nga Serbia me vitin 2020 kur kishte masa të theksuara kufizimesh sa që shkaku i pandemisë edhe kufinjtë u patën mbyllë. E kur nuk u duket e mjaftueshme, i krahasojnë me vitin 2019 kur ishte vendosur tarifa 100%”, ka shkruar Kryeziu.

“Atë vit, së paku zyrtarisht importi kishte rënie, por raftet e marketeve vazhdonin të ishin të mbushura me mallra serbe, meqë çka më parë futej zyrtarisht, kishte filluar të hynte si kontrabandë. Por, assesi nuk i sheh tek bëjnë krahasime me vitet 2017 apo 2018, vite normale të shkëmbimeve tregtare”.

“Sepse pastaj do të detyroheshin të flisnin për rënie reale të importit nga Serbia për rreth 32%, respektivisht 20% – edhe pas rritjes së gjithmbarshme të importit, rritjes së inspektimeve dhe inkasimit të doganave si dhe mbylljes së rrugëve jo-legale që përdoreshin për kontrabandë, sidomos në veri të vendit”.

Më tej, ai ka thënë se në media rrallë raportohet për siç ka thënë, rritjen e vazhdueshme të shkëmbimeve tregtare, në veçanti me vendet si Gjermania, Turqia, e Shqipëria.

“Aq më pak për rritjen e vazhdueshme të shkëmbimit tregtar me Shqipërinë.  Në Shqipëri e nga Shqipëria, ne sot eksportojmë dhe importojmë më shumë se çdo herë më pare”. /Telegrafi/