LAJMI I FUNDIT:

Qeveria miratoi shpronësimin e tokave për projektet në tri komuna të Kosovës

Qeveria miratoi shpronësimin e tokave për projektet në tri komuna të Kosovës

Qeveria e Kosovës sot miratoi shpronësimin e tokave për tri projekte të cilat do të zhvillohen në tri komuna të Kosovës.

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi në mbledhjen e Qeverisë ka paraqitur tri pikat e rendit të ditës, të cilat me vota unanime u votuan nga anëtarët e saj.

Pika e parë e paraqitur nga ministri Kuçi kishte të bënte me shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit të themelimit të qendrës përkujtimore për gjenocid mbi shqiptarët “Bllaca 1999”, në Komunën e Hanit të Elezit, e cila kaloi me vetëm një abstenim.

Ndërsa dy pikat tjera, sipas Kuçit kanë të bëjnë me shpronësimin e pronave të paluajtshme për ndërtimin e rrugës nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë dhe shpronësim të pronave të paluajtshme shoqërore për nevoja të realizmit në Komunën e Drenasit.

“Tri pika të cilat kanë të bëjnë me shpronësimet. Shqyrtim-propozim në vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit të themelimit të qendrës përkujtimore për gjenocid mbi shqiptarët ‘Bllaca 1999’, Komuna e Hanit të Elezit. Shqyrtim-propozim në vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga ndërtimi i rrugës nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë, segmenti Gojbul-Smrekonicë, zonat kadastrale Smrekovnicë, Dobërlluk, Sllatinë, Vushtrri dhe Gojbul të Komunës së Vushtrrisë. Shqyrtim-propozim në vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme shoqërore për nevoja të realizmit në Komunën e Drenasit”, ka thënë Kuçi. /Telegrafi/