0Shares

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti GAP sërish kanë kërkuar nga qeveria e Ramush Haradinajt të ndalë praktikën e shkeljes së ligjeve në fuqi.

Në reagimin e tyre thuhet se Qeveria e Republikës së Kosovës me datë 12.01.2018 ka marrë vendim për emërimin e dy anëtarëve në bordin e ndërmarrjes publike NPH “Ibër Lepenci” Sh.A.

“Emërimet e tilla janë politike dhe në kundërshtim me Ligjin nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike. Kryeministri i Kosovës dhe Qeveria e tij po shkelin të njëjtat dispozita të cilat ne i kishim denoncuar në Agjencinë Kundër-Korrupsionit (AKK)”, thuhet në reagim.

“Qeveria vet e kishte cituar opinionin e AKK të datës 15.02.2015 që vërtetonte shkeljet ligjore me rastin e emërimit të drejtorëve të bordeve të ndërmarrjeve publike. Tani, me këto vendime, Qeveria po bënë pikërisht të njëjtën gjë që Qeveria e kaluar kishte bërë, duke emëruar të afërt politikë dhe njerëz që Ligji ua ndalon emërimin në borde të ndërmarrjeve publike. Për një kohë të gjatë, INDEP, Instituti GAP dhe GLPS kanë reaguar publikisht kundër politizimit të ndërmarrjeve publike dhe kundër vendimeve që shkelin ligjin, përkatësisht nenin 17.2 (k) të Ligjit nr.03/L-087. Ligji nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike është i qartë në formulimin që: 17.2 Të gjithë drejtorët përveç KE duhet të jenë të pavarur”, thuhet në reagim.

Sipas INDEP-it, GAP-it dhe GLPS-së, një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse: k) është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike;.

Gjithashtu, Ligji ka qartësuar se çka nënkuptohet me “të emëruar politik” sipas kuptimit të Ligjit.

“I emëruar politik – nënkupton personin i cili është emëruar, ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur.  Në vendimin e datës 12 janar 2018, Qeveria ka emëruar z. Muharrem Xhemajli si drejtor të bordit të ndërmarrjes publike “Ibër Lepenci”; Sh.A, ani pse i njëjti kishte qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ligji sanksionon një gjë të tillë meqë i njëjti nuk mund të jetë i pavarur sipas kërkesave ligjore. Vendimi qeveritar Nr. 02/24 është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike”, thuhet në reagim.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të anulojë këtë vendim dhe të zgjedhë njerëz profesionalë në vend të kandidatëve për deputetë, të afërmve partiakë dhe militantëve politikë.  Politizimi i ndërmarrjeve publike dëmton rëndë institucionin e konkursit publik, të drejtën e trajtimit të barabartë të qytetarëve dhe legjislacionin në fuqi. Pasojat e saj po i shohim në performancën gjithnjë e në rënie të këtyre ndërmarrjeve, në korrupsionin në rritje dhe në shërbimet ndaj publikut gjithnjë e më të dobëta. Depolitizimi dhe vënia e ligjshmërisë në emërimet e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike është obligim i procesit të integrimit, përkatësisht i Agjendës Evropiane të Reformave . Po ashtu, INDEP, GLPS dhe Instituti GAP do të dërgojnë në Agjencinë Kundër Korrupsion vendimin nr.02/24 të Qeverisë së Kosovës të datës 12 janar 2018”, thuhet më tej në reagim. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)