Nga: Keir Giles, analist i programit për Rusi dhe Euroazi në Institutin Mbretëror për Çështje Ndërkombëtare (Chatham House) / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Sulmi i fundit i Rusisë ndaj objektivave civile në Ukrainë, duke shkaktuar të paktën 18 të vdekur në një qendër tregtare në Kremençuk – larg vijës së frontit – mund të interpretohet si mesazh për takimet që po zhvillohen në Gjermani të G7-ës dhe të NATO-s. Mesazhi është indiferenca e radhës e Rusisë ndaj dënimit të krimeve të veta. Moska nuk do të tërhiqet. Dhe, kjo nga ana tjetër mund të bazohet në besimin – qoftë i bazuar apo i gabuar – se në aspektin afatgjatë lufta po shkon sipas dëshirave të Rusisë.

Rusia po merr përfitime. Ofensiva e saj në Ukrainën lindore gradualisht po bëhet më e ashpër duke shkatërruar gjithçka në rrugën e saj, dhe në Perëndim po kuptohet gjithnjë e më shumë se konflikti nuk do të ketë përfundim të hershëm. Por, lufta është zvarritur edhe më shumë nga Rusia duke i penguar me sukses mbështetësit perëndimorë të Ukrainës që ato t’ia ofrojnë kësaj të fundit sistemet e armëve që i nevojiten, përfshirë më shumë municion, dronë, bllokues të sinjaleve, radarë dhe mjetet për t’i ndaluar sulmet me raketa me rreze të gjatë veprimi të Rusisë – si ato që janë parë ditëve të fundit.

Është zgjeruar në mënyrë graduale mbështetja ushtarake për Ukrainën – nga ShBA-ja, Britania e Madhe dhe aleatët e tyre – duke pranuar sisteme më të fuqishme sulmuese, si artileritë me rreze më të gjatë. Por, kufizimi më i madh për t’ia dhënë Ukrainës pajisjet fituese për këtë luftë ende ndërlidhen me frikën se si do të përgjigjet Rusia. Kritikët e nivelit aktual të mbështetjes perëndimore thonë se ky kufizim është shembull i vetëfrenimit të ShBA-së dhe të tjerëve, krejt kjo nga frika e provokimit të përshkallëzimit. Por, realiteti është shumë më i thjeshtë.

Fushata e vazhdueshme e kërcënimeve dhe e rrëmujës së Rusisë, po e jep efektin e synuar: duke i shtyrë kundërshtarët e Moskës që të hezitojnë. Nocioni i përhapur se provokimi i Rusisë do të çonte në pasoja katastrofike, paraqet fitore kyçe për Moskën. Shmangia e qëllimshme e Perëndimit që t’ia japë Ukrainës gjithë mbështetjen që i nevojitet për ta ndryshuar valën e luftës, po ia bën edhe një herë me dije Vladimir Putinit se inferioriteti ushtarak i Rusisë ndaj Perëndimit mund të kapërcehet përmes shfrytëzimit të frikës së perëndimorëve.

Në fakt, frika e deklaruar qartë nga Perëndimi për këtë përshkallëzim, po ia dëshmon Rusisë se kërcënimet janë të suksesshme, pavarësisht se sa të pabesueshme mund të jenë ose sa shpesh janë dëshmuar se janë boshe. Tashmë po ndodhë një cikël i lodhshëm i përsëritur i premtimeve për shkatërrim bërthamor, për këdo që së fundmi ka mërzitur propaganduesit e Rusisë – për shembull, televizioni shtetëror rus, kohët e fundit diskutoi për sulmin ndaj Holandës. Kërcënimet bërthamore të Rusisë do të vazhdojnë për aq kohë sa ato janë të efektshme në parandalimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën – për ta fituar luftën.

G7 mund ta ketë shkaktuar zhurmën e duhur për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën “për aq kohë sa duhet”, por sfida më e madhe e Ukrainës mbetet përpjekja për t’i bindur mbështetësit e saj ndërkombëtarë që fjalët të përputhen me veprat.

Përveç kësaj, ka një mospërputhje të habitshme të synimeve dhe të prioriteteve mes dy palëve. Teksa Rusia ka treguar qartë se çfarë dëshiron nga lufta – zhdukja e Ukrainës si komb i pavarur dhe rivendosja e fuqisë perandorake ruse mbi fqinjët e vet – mbështetësit perëndimorë të Ukrainës janë të hutuar dhe të ndarë se si duan që lufta të përfundojë dhe se çfarë, si rezultat i kësaj, duan të ndodhë me Rusinë.

E gjithë kjo i jep kohë Rusisë. Presidenti Zelenskiy i ka thënë G7-ës se dëshiron që lufta të përfundojë deri në dimër. Ka një arsye e mirë për këtë afat. Evropa është ende larg largimit të energjisë ruse dhe një dimër i dhimbshëm me çmime edhe më të larta të karburantit do ta shkaktojë në shtëpitë e evropianëve koston reale të mbështetjes së Ukrainës për këtë konflikt.

Por, nuk është vetëm energjia ajo që Rusia mund ta shfrytëzojë për t’i nxitur vendet e treta të flasin për paqen në kurriz të Ukrainës. Shantazhi ushqimor për pjesën tjetër të botës, përmes bllokadës detare të Rusisë, është një tjetër taktikë që sjell sukses: Ukraina ka pohuar se është nën presion nga shtetet në Afrikë dhe në Azi, për t’u dorëzuar – nga ato të cilët janë të alarmuara për ndërprerjen e furnizimit me drithë.

Edhe Rusia po i vuan gjithashtu kostot e luftës së saj, në formën e pasojave prej sanksioneve ekonomike. Por, degradimi i ekonomisë dhe industrisë së Rusisë nuk do të ndodhë aq shpejt sa kjo të ndikojë në ecurinë afatshkurtër të konfliktit.

Edhe në aspektin ushtarak Rusia mund të jetë në gjendje ta mbijetojë qëndrueshmërinë ukrainase dhe durimin perëndimor. Vlerësimet e besueshme thonë se Rusisë po i mbaron fuqia e trajnuar njerëzore ushtarake. Por, si me shumë gjëra tjera, kjo nuk është sfidë e madhe për Rusinë sa do të ishte për fuqitë tjera. Indiferenca tradicionale ruse ndaj shkallës së viktimave të shkaktuara – në ndjekje të qëllimeve të luftës – po manifestohet me gatishmërinë e saj për t’i hedhur në luftë rekrutët gjysmë të trajnuar apo të patrajnuar, përfshirë këtu ata të rekrutuar me forcë nga territoret e pushtuara (edhe një tjetër krim lufte për t’ia shtuar katalogut të Rusisë).

Janë këto forcat më të mëdha të fuqisë ekonomike, ushtarake dhe politike që do ta përcaktojnë rezultatin e luftës, jo suksesi apo dështimi i operacioneve të caktuara – siç është marrja e Severodonjetcit që për javë të tëra ka tronditur audiencën perëndimore. Rusia duket e sigurt se ku po qëndron ekuilibri i fuqisë.

Forcat e Ukrainës mbeten të përkushtuara ndaj luftës. Por, që kjo të vazhdojë, ata duhet të jenë të bindur se e kanë një shans të arsyeshëm për sukses në parandalimin e fitores ruse. Çdo refuzim i partnerëve perëndimorë për t’i siguruar mjetet për ta mbajtur ose rifituar territorin ukrainas, po e zvogëlon çdo herë e më shumë këtë shans.

Për sa kohë që Evropa dhe ShBA-ja janë hezituese dhe të rezervuara për t’ia ofruar Ukrainës armët që i nevojiten, për ta sjellë konfliktin në një përfundim – ose të paktën për të shkaktuar dëme të mjaftueshme në forcat ruse, që përfundimisht të sfidohet perceptimi i Putinit për fitoren – është e vështirë të shihet se si përfundimi i shpejtë i luftës do të shkojë në favor të Ukrainës. Ndërkohë, do të vazhdojnë sulmet e egra ndaj civilëve dhe ndaj infrastrukturës bazike në Ukrainë. /Telegrafi/