LAJMI I FUNDIT:

Putini fal të dënuarin për vrasjen e gazetares Anna Politkovskaya

Putini fal të dënuarin për vrasjen e gazetares Anna Politkovskaya

Një nga personat e dënuar për vrasjen e gazetares ruse në vitin 2006, Anna Politkovskaya është falur pasi u angazhua gjatë luftimeve në Ukrainë, thotë avokati i tij.

Sergei Khadzhikurbanov, një ish-oficer policie në Moskë, u dënua me 20 vjet burg në një gjyq në vitin 2014, transmeton Telegrafi.


Por, avokati i tij Alexei Mikhalchik tha se ai tani kishte marrë një falje presidenciale pasi kishte përfunduar një kontratë ushtarake gjashtëmujore.

Ai ishte një nga pesë personat e dënuar për vrasjen e gazetares Politkovksaya.

Politkovskaya, një reportere investigative dhe kritike e zëshme e luftës së Rusisë në Çeçeni, u qëllua me armë në një ashensor në bllokun e saj të apartamenteve.

Raportimi i saj për gazetën Novaya Gazeta fitoi famë ndërkombëtare për hetimin e saj të ashpër të abuzimeve ruse në Çeçeni.

Por, raportimet e saj të cilat ishin shumë kritike ndaj presidentit Vladimir Putin dhe udhëheqjes çeçene, zemëruan shumë autoritet.

Khadzhikurbanov u shpall fajtor për sigurimin e mbështetjes logjistike për vrasjen.

“Si një luftëtar i forcave speciale, [Khadzhikurbanov] u ftua të nënshkruajë një kontratë për të marrë pjesë në operacionin ushtarak special”, tha avokati i tij për AFP.

“Kur skadoi kontrata, ai u fal me dekret presidencial”. /Telegrafi/