LAJMI I FUNDIT:

Puthja e parë në kinematografinë shqiptare

Puthja e parë në kinematografinë shqiptare

Plot 60 vjet më parë ishte premiera e filmit të parë të gjatë artistik, “Tana”, me skenar nga Fatmir Gjata dhe regji të Kristaq Dhamos. “Tana” nuk ishte veç filmi i parë shqip, por edhe filmi ku u dha puthja e parë në kinematografinë shqiptare. Dy personazhet që interpretuan të dashuruarit në këtë film ishin Tinka Kurti dhe Naim Frashëri.

Subjekti i filmit është me temë nga jeta e fshatit, sipas novelën së Gjatës me të njëjtin titull. Ngjarjet zhvillohen në vitet ‘50. Në qendër të filmit është Tana, një vajzë e zgjuar dhe me mendime të përparuara. Ajo dashuron Stefanin, i cili banon në një fshat të varfër malor. Tanës i del përpara mentaliteti i vjetër i gjyshit të saj, si dhe xhelozia e Lefterit. Është një lojë dashurie drejt përparimit! Këtu është realizuar puthja që për mentalitetin shqiptar të kohës ishte një tabu.


“Është e vërtetë dhe kjo më bën krenare. Nuk pata asnjë hezitim kur tek filmi ‘Tana’, nën një pemë i dhashë puthjen partnerit tim, aktorit të madh Naim Frashëri. Është puthja e parë në historinë e filmit shqiptar dhe kjo më bën të ndjehem vërtetë mirë. Ishte koha e tillë, mentaliteti që të pengonte për të realizuar skena të tilla. Megjithatë, edhe pse isha shumë e re, pasioni e bën aktorin të interpretojë edhe skena të tilla që tashmë janë të zakonshme”, do të rrëfente vite më vonë aktorja Tinka Kurti. “Sigurisht që nuk ishte e lehtë. Madje, ju them se për të bërë atë puthje na u desh të realizonim 29 dubla. Fatkeqësisht, skenën e hoqën më pas. Zemërohem me vete dhe them: ‘Mirë atëherë që nuk lejonte koha dhe regjimi, po sot, përse nuk jepet puthja ime me Naim Frashërin?’”.

Në këtë film kanë interpretuar edhe këta aktorë: Pjetër Gjoka, Kadri Roshi, Marie Logoreci, Violeta Manushi, Pandi Raidhi, Lazër Vlashi, Ilia Shyti etj. /Shqip/