LAJMI I FUNDIT:

Pushtimi dhe çlirimi i Kosovës në Kumanovë

Pushtimi dhe çlirimi i Kosovës në Kumanovë

Ardian Haxhaj

Fati i trojeve shqiptare u përcaktua në vitin fatkeq 1912, kur fuqitë evropiane (Austro-Hungaria, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe) qëndruan anash, duke e shikuar nga distanca Perandorinë cariste ruse se si po i shkërmoqte copat e Perandorisë Osmane në pjesën e Ballkanit. Fuqitë e atëhershme evropiane, të preokupuara me projekte më të leverdishme përtej kontinentit të Evropës, pa e analizuar mirë situatën në terren, i lan dorë të lirë Rusisë që, përmes sateliteve serbë e grekë, ta okupojë territorin që më parë i ishte nën sovranitetin e të Sëmurit të Bosforit. Dëmi kolosal ra në kurriz të shqiptarëve. Prologu i shkatërrimit të qenies etnike shqiptare kishte filluar në vitin 1877 me spastrimin etnik të mbi 500 vendbanimeve shqiptare që nga Nishi e deri në Prokuplje, ndërkaq epilogu ndodhi në vitin tragjik 1912, pikërisht në Kumanovë ndërmjet datave 22-24 tetor. Beteja e Kumanovës e përcaktoi fatin tragjik të shqiptarëve. Tashmë dihet mirëfilli se sikur Austro-Hungaria mos ta kishte rishqyrtuar me këmbëngulje pozicionin e vet gjeostrategjik, atëbotë Shqipëria e mëvonshme londineze do të ishte copëtuar ndërmjet fqinjëve agresivë me bekimin rus.


Perandoritë ngritën e bien, ndërrohen e zëvendësohen nga njëra-tjetra dhe dihet se popujt e vegjël përbirojnë nëpër ingranazhet e gjeopolitikës së tyre. Dhe, jo rastësisht, kapitullimi i Serbisë mbi një pjesë të trojeve shqiptare të ish-Vilajetit të Kosovës ndodhi pikërisht në Kumanovë, fiks pas 87 vitesh e 137 ditësh, kësaj here përballë akronimit NATO, me përfshirjen e të gjitha fuqive të Evropës, duke e shtuar prijataren: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kapitullimi i Serbisë që e kishte mbajtur Kosovën nën pushtim për 87 vjet e riktheu vëmendjen në faktorin shqiptar në Ballkan si pozicioni më nevralgjik në ruajtjen e balancave ndërmjet fqinjëve, e sidomos në partneritetin euroatlantik të domosdoshëm të shqiptarëve karshi partneriteteve të tjera ku mund të gravitojnë fqinjët.

Në vitin 1912, Mbretëria e Serbisë, me përkrahjen ruse pati propaganduar se do ta luftonte Perandorinë Osmane pa i shpopulluar territoret nga subjektet etnike dhe deri-diku me këtë propagandë ia kishte mbërritur qëllimit. Por, në vitin 1999 Serbia e zbatoi planin e studiuar dhe të përgatitur nga disa breza: spastrimin total etnik të Kosovës nga shqiptarët për ta shndërruar në tokë të djegur e për ta kolonizuar nga e para. Ashtu siç nuk mbahet mend nga asnjë ofensivë tjetër në Kosovë, gjatë pranverës së viti 1999, Serbia e zbrazi Kosovën nga shqiptarët cep me cep. Një shtet i tërë me krejt mekanizmat e gjenocidit e pushtoi pëllëmbë për pëllëmbë e kaçubë me kaçubë. Megjithatë, koha dhe rrethanat nuk ishin si të para 87 vjetëve dhe NATO e kapitulloi Serbinë pikërisht në Kumanovë, aty ku e kishte nisur pushtimin.

Për intervenimin e NATO-s, për shpëtimin e shqiptarëve etnikë në Kosovë janë shkruar me mijëra analiza, pastaj janë botuar libra e disertacione nga anë e kënd botës. ShBA do të mbetet në histori me sulmin shpëtimtar kundër nazizmit në Normandi dhe si prijëse e NATO-s kundër gjenocidit serb në Kosovë . Kështu do ta mësojnë historinë me krenari amerikanët dhe euroatlantistët. Kështu do të interpretohet për jetë e mot nga popujt dhe shoqëritë e civilizuara, nga popujt që e duan lirinë e demokracinë. Kështu do të interpretohet nga filozofët e sociologët që e shohin shoqërinë njerëzore në prizmin e mbrojtjes së humanizmit. Kështu do të interpretohet nga mbrojtësit e të drejtave universale të njeriut, nga mbrojtësit e paqes e të prosperitetit të gjithmbarshëm njerëzor. E, në anën tjetër, shumë e shumë moralistë të të drejtës sovraniste shtetërore do të vazhdojnë ta vajtojnë intervenimin e NATO-s mbi një shtet sovran, pa çka se ai shtet vret dhe bën gjenocid mbi një etni. Të tjerët do të vazhdojnë të shkruajnë për hegjemoninë e NATO-s të prirë nga ShBA-ja kundër rregullimeve ideologjike të shteteve që kanë interesa të tjera gjeopolitike. Të tjerët do të thonë se ShBA-ja ka hyrë në Kosovë për interesa të saja … se ajo e përkrah filan diktatorin në këtë vend e atë vend … se Amerika pretendon të bëhet xhandari i botës … se Amerika kështu e Amerika ashtu …

Por, ne brezi i të mbijetuarve të pushtuesit dhe gjenocidit serb, dhe brezat e ardhshëm, për jetë e mot e kemi dhe duhet ta kenë të gdhendur në kujtesën tonë kolektive shpëtimtarin e shqiptarëve (jo vetëm në Kosovë): ShBA-NATO.

Në trend

Më shumë
Digjet një fabrikë teknologjike në Berlin - ajo prodhon një armë të fuqishme të mbrojtjes ajrore, kishte furnizuar edhe Ukrainën

Digjet një fabrikë teknologjike në Berlin - ajo prodhon një armë të fuqishme të mbrojtjes ajrore, kishte furnizuar edhe Ukrainën

Evropa
Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerika
Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Magazina
Profesori shqiptar nga Londra: Në Britani të Madhe i gjithë spektri politik është pro Kosovës

Profesori shqiptar nga Londra: Në Britani të Madhe i gjithë spektri politik është pro Kosovës

Lajme
Bayern Munich nuk po gjen trajner të ri, deklarata e fundit e Thomas Tuchel bën ‘lëmsh’ ambientin bavarez

Bayern Munich nuk po gjen trajner të ri, deklarata e fundit e Thomas Tuchel bën ‘lëmsh’ ambientin bavarez

Bundesliga
Një milion qytetarë të regjistruar deri më tani, dalin statistikat sipas komunave

Një milion qytetarë të regjistruar deri më tani, dalin statistikat sipas komunave

Lajme
Kalo në kategori