Punime të planifikuara në rrjetin e ujësjellësit, ndërprerje të ujit në disa zona të Mitrovicës

KRU “Mitrovica” ka njoftuar se ekipet e mirëmbajtjes do të realizojnë punime të planifikuara në disa lokacione, në kuadër të ndërhyrjeve në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit.
Sipas njoftimit, punime në rrjetin e ujësjellësit do të zhvillohen në rrugët: “Mbreti Glauk”, “Miftar Krasniqi”, “Agim Ramadani”, “Mbreti Agron” dhe “Evlia Qelebia”.
Ndërkohë, punime në rrjetin e kanalizimit do të realizohen në fshatin Frashër i Vogël.
Kompania ka bërë të ditur se gjatë kryerjes së punimeve në rrjetin e ujësjellësit, furnizimi me ujë të pijshëm në zonat e përfshira mund të ndërpritet përkohësisht.
Po ashtu, pas rikthimit të furnizimit, si pasojë e ndërhyrjeve teknike, mund të paraqitet turbullirë e përkohshme e ujit.
KRU “Mitrovica” u ka rekomanduar konsumatorëve që, në rast se uji paraqitet i turbullt, të lënë rubinetin të rrjedhë për disa minuta, derisa uji të kthjellohet plotësisht. /Telegrafi/



















































