LAJMI I FUNDIT:

Pse u shkarkua Rex Tillerson?

Pse u shkarkua Rex Tillerson?
Ilustrim

Hal Brands

Rreth një vit më parë, kur Rex Tillerson bëri betimin si sekretar Shteti i SHBA-ve, u pa qartë që mandati i tij do të ishte jetëshkurtër dhe pa gjurmë. Ndonëse ai qëndroi aq gjatë në post sa për të menduar se ndoshta nuk do të largohej, shkarkimi i tij konfirmoi gjykimet e para.


Siç kanë vënë në dukje shumë opinionistë, Tillersoni po lë pas një Departament Shteti më të demoralizuar dhe më të dobët, që vazhdon të shtyjë larg vetes njerëz të talentuar dhe me përvojë.

Shkarkimi i Tillersonit do t’i rikthejë Departamentit dhe Sekretarit të Shtetit një rol më domethënës në politikën amerikane. Por kjo mund të tregojë po ashtu se Trump vazhdon të largojë me sukses pengesat që nuk e kanë lejuar të bëjë më shumë dëme.

Politika e jashtme e Trump-it nuk ka qenë shumë e mirë, siç kam vënë në dukje në librin tim “Strategjia Madhore Amerikane në Epokën e Trump-it”. Por të paktën ka qenë më pak radikale se ç’pritej, pas retorikës së ashpër që shfaqi në fushatë. Si kandidat, Trump jepte përshtypjen se do të shkatërronte aleanca, do të zhbënte marrëveshje për tregti të lirë në favor të proteksionizmit vendas, dhe se do ta kthente përmbys traditën e politikës së jashtme që kishte trashëguar. Megjithatë, gjatë vitit të parë të mandatit, Presidenti Trump nuk e mbajti shumicën e këtyre premtimeve.

Po, vërtet Trump e shkëputi Amerikën nga Partneriteti Trans-Paqësor, dhe madje njoftoi se do të bënte të njëjtën gjë me marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike. Po, vërtet ka prishur aleanca e partneritete me sjelljen e ashpër. Po, Trump ka kërcënuar të prishë marrëveshje tregtare, që nga NAFTA te marrëveshja dypalëshe tregtare me Korenë.

Por, nismat simbolike kanë qenë më të shumta se ato reale. Për shembull, Trump nuk e shkëputi Amerikën nga NAFTA, pavarësisht dëshirës së tij të qartë për ta bërë; nuk e rivendosi ligjin e torturës, edhe pse e kishte vlerësuar shpesh si metodë të dobishme. Madje, Trump e ka mbajtur Amerikën edhe brenda marrëveshjes me Iranin, të cilën e kishte qortuar shpesh gjatë fushatës zgjedhore. Edhe për shumë çështje të tjera, si Afganistani dhe Shteti Islamik, politika e Trumpit nuk ka qenë ndryshe nga ajo që do të kishte ndjekur çdo administratë tjetër republikane.

Ka shumë arsye për këtë, por arsyeja më kryesore është fakti që Trump thjesht ka qenë i rrethuar vetëm këshilltarët e tij më të rëndësishëm. Botëkuptimi i Trump-it ishte aq i prapranueshëm, sa ishte e pashmangshme që do t’i duhej ta rrethonte veten me këshilltarë që nuk përputhen plotësisht, ose edhe pjesërisht, me nacionalizmin e tij “Amerika e para”. Kabineti i Trump-it ka arritur t’ia moderojë impulset me sukses, në lidhje me shumë çështje.

Sipas raportimeve në shtyp, për shembull, ndërhyrjet e këshilltarëve Gary Cohn, kryetar i Këshillit Kombëtar të Ekonomisë, dhe Sonny Perdue, Sekretar i Bujqësisë, arritën ta bindin Trumpin që të mos e prishë marrëveshjen NAFT që pranverën e vitit 2017. Po ashtu, gjatë verës së vitit 2017, është raportuar se këshilltarët për sigurinë kombëtare u bashkuan duke e kundërshtuar Trump-in, dhe nuk e lejuan që të tërhiqej nga marrëveshja bërthamore me Iranin, por e shtynë të kërkojë negociata të reja. Ndryshe nga ëndrrat e ethshme të mbështetësve të teorive të komplotit, kjo nuk ishte vepër e “mekanizmave të thellë shtetëorë”. Ishin vetë këshilltarët e caktuar nga Trump ata që ia hoqën timonin nga dora, për të mos e lejuar ta fuste politikën e jashtme amerikane në ndonjë hendek.

Rezultati i këtyre rasteve bëri që të përhapet ideja se Trump po modelohej. Megjithatë, duket se presidenti ka ide të tjera.

Në një editorial të mëparshëm kam argumentuar se politika e jashtme e Trump-it mund të jetë shumë më trazuese gjatë vitit të dytë të presidencës, se sa në vitin e parë. Një nga arsyet ishte se administrata e Trump-it thjesht i kishte shtyrë për më vonë çështjet delikate si Irani dhe Nafta. Kjo do të thotë që Trump do të duhet të përballet shumë shpejt me dy zgjedhje: ose ta përshkallëzojë situatën, ose të tërhiqet. Një tjetër arsye është se presidentit do t’i shtohej presioni politik për të mbajtur disa nga premtimet, me afrimin e zgjedhjeve afatmesme të vitit 2018.

Frika ime ishte se e gjitha kjo, si dhe fakti i pashmangshëm që Trump do të mërzitej së qeni i kontrolluar nga këshilltarët, do ta tundonin të çlirohej nga këto pengesa dhe të sillte ndryshime rrënjësore në politikën e jashtme amerikane. Dhe pikërisht kjo duket se ka nisur të ndodhë tani.

Shembull konkret janë tarifat për çelikun dhe aluminin, që u vendosën javën e shkuar. Thuhet se këshilltarët presidencialë “të establishmentit” luftuan fort kundër këtyre tarifave, por Trump i shpërfilli, duke vendosur të marrë parasysh nevojat proteksioniste të nacionalistëve ekonomikë si Peter Navarro dhe Robert Lightizer. Menjëherë pas këtij vendimi erdhi dorëheqja e Cohnit, si një ogur i zi që tregonte se ekuilibrat e pushtetit ishin duke ndryshuar, ndërkohë që faza e negociatave t reja të NAFTA-s arritën në fazë kritike. Largimi i Tillersonit mund të ketë zhvillime të ngjashme për çështje të tjera të politikës së jashtme.

Në fund të fundit, Tillerson, pavarësisht të metave që tashmë janë të dokumentuara, ishte një nga ata këshilltarë që përpiqeshin ta bindnin Trump-in të shmangte prishjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin, duke krijuar një dëm të madh për Amerikën. Presidenti duket se është lodhur me kundërshtimet e Tillersonit në këtë çështje, (e madje e ka përmendur si një nga arsyet që e shtynë për ta shkarkuar,) dhe prandaj e ka zëvendësuar me Pompeon, i cili ka qenë shumë aktiv kundër marrëveshjes me Iranit, e madje është përpjekur disa herë ta dobësojë e ta çojë deri në mbyllje.

Largimi i Tillersonit mund të tregojë që mbrojtësit e marrëveshjes bërthamore me Iranin po dobësohen, ndërkohë muaji Maj po afrohet, data e fundit që ka caktuar Trump për të rinegociuar marrëveshjen me Iranin. Përveç kësaj, shkarkimi i Tillersonit tregon që Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, po humbet një aleat shumë të rëndësishëm. Është raportuar se të dy sekretarët janë vendosur disa herë si pengesë ndaj Trumpit, për ta mbajtur më gjatë brenda rrjedhës së përgjithshme.

Për të qenë të qartë, largimi i Tillersonit mund të jetë më shumë pozitiv. Për ata që besojnë se një Sekretar Shteti që ka vëmendjen e Presidentit është i rëndësishëm për diplomacinë amerikane, atëherë largimin i Tillersonit mund të jetë një hap në drejtimin e duhur. Për ata që besojnë se përpjekjet e Tillersonit për të riorganizuar Departamentin e Shtetit ishin të pamenduara dhe kundër-produktive, largimi i tij mund të jetë i mirëpritur. Pompeo, nga ana tjetër, duke qenë në krye të CIA-s duhet ta kuptojë me siguri se çfarë rreziku i kanoset Amerikës nga ndërhyrjet ruse në zgjedhjet amerikane, e madje edhe në zgjedhjet e vendeve të tjera. Por se sa do të jetë i aftë ta bindë Trump-in të ndërmarrë masa domethënëse në lidhje me këtë, kjo është çështje tjetër.

Pyetja thelbësore me Trumpin mbetet gjithnjë nëse betejën për drejtimin e shtetit amerikan do ta fitojë Trump apo këshilltarët e tij të përgjegjshëm. Dhe këto ndryshime të Departamentit të Shtetit mund të jenë një shenjë paralajmëruese për atë që pritet në të ardhmen. /Top Channel/