Kosova po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga rajoni dhe bota, por një pjesë e konsiderueshme e turistëve që hyjnë në vend nuk po qëndrojnë brenda natës në vendin tonë.

Sipas kryetarit të Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, arsyeja kryesore lidhet me politikat e vendeve fqinje në mbështetje të turizmit.


Në “Përballje Podcast”, të përkrahur nga kompania e derivateve EXFIS, Hoti tha se Maqedonia e Veriut i subvencionon operatorët turistikë me minimum 14 euro për person për çdo natë të kaluar.

Ai theksoi se kjo politikë ka krijuar një avantazh të qartë për vendin fqinj, duke bërë që operatorët të orientohen drejt Maqedonisë për qëndrime më të gjata.

“Kemi plot raste ku turistët vijnë në Kosovë, shëtisin gjithë ditën dhe kthehen për të fjetur në Maqedoni,” tha Hoti, duke shtuar se kjo nënkupton humbje të drejtpërdrejtë ekonomike për vendin tonë.

Ai bëri thirrje që Kosova të marrë modele të ngjashme mbështetjeje për të qenë konkurruese në rajon, sidomos në një kohë kur turizmi po bëhet një prej sektorëve me potencialin më të madh zhvillimor.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, ulja e TVSH-së për akomodim, subvencionet turistike dhe bashkëpunimi me kompanitë ajrore do të ishin disa nga hapat kyç për të rritur netëqëndrimet dhe për të mos humbur vizitorët tek fqinjët./Telegrafi/.