LAJMI I FUNDIT:

Pse do ta dëmtojë Brexit-i Evropën

Pse do ta dëmtojë Brexit-i Evropën

Sigmar Gabriel

Po afron ora drejt 29 marsit dhe daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian. Qoftë nëse Brexit-i rezulton të jetë “i butë” apo “i vështirë”, Britania e Madhe është e vendosur të përballojë një periudhë turbullirash të rënda ekonomike. Por Britania i ka mbijetuar krizave shumë më të mëdha dhe do ta kapërcejë edhe këtë në një moment. Për mua, pyetja e vërtetë është se çfarë nënkupton Brexit për të ardhmen e Evropës.


“Ideja Evropiane” pothuajse me siguri do të mbijetojë. BE-ja nuk do të shkatërrohet në prag të Brexit-it dhe do t’i kapërcejë pasojat ekonomike që do të shkaktohen nga largimi i Mbretërisë së Bashkuar. Por, Brexit-i do të dëmtojë rolin e Evropës në botë në një mënyrë që ne evropianët aktualisht dukemi të paaftë ta kuptojmë. Vendimi i fundit i administratës së presidentit amerikan Donald Trump për uljen e statusit diplomatik të misionit të BE-së në Uashington ishte ndoshta një ide e vogël e gjërave që do të vijnë më pas.

Sfondi gjeopolitik kundër të cilit zhvillohet Brexit-i nuk mund të anashkalohet dhe mund të luajë një rol të madh në përcaktimin e impaktit të tij në BE. Fakti më i spikatur është se ekuilibri politik dhe ekonomik i fuqisë botërore po zhvendoset nga Atlantiku drejt Paqësorit – një prirje për të cilën nuk mund të fajësohen vetëm populistët si Trumpi. Në fund të fundit, ishte presidenti Barak Obama i cili foli për SHBA-në si një vend i Paqësorit dhe jo i Atlantikut, ndërsa paraardhësit e tij kishin folur gjithmonë për SHBA-në si një aktor “transatlantik”. Ndërkohë që ne mund të jetojmë sot në një botë “G-Zero” pa një pushtet të vetëm që merr përgjegjësi globale, e nesërmja mund të sjellë një botë G-2 në të cilën SHBA-ja dhe Kina konkurrojnë për dominimin global.

Evropianët – dhe këtu përfshij britanikët – përballen me çështjen nëse (dhe si) ne do të ruajmë sovranitetin tonë midis këtyre qendrave rivale të pushtetit. Me përjashtimin e mundshëm të politikave klimatike, Evropa tashmë është një spektatore në shumicën e konflikteve dhe çështjeve globale. Këto përfshijnë edhe rifillimin e garës së armëve bërthamore që Trumpi dhe presidenti rus Vladimir Putin duken të vendosur të ndjekin, si edhe trazirat e dhunshme në Lindjen e Mesme. Në vend që t’i kthehen Evropës ndërsa gjenden përballë tërheqjes së njoftuar nga Trump të forcave amerikane nga Siria, grupet rebele që luftojnë kundër presidentit Bashar al-Assad, me sa duket për vlerat e lirisë dhe demokracisë, po i kthejnë sytë nga Rusia dhe Turqia.

Pas Brexit-it, ne mund ta gjejmë veten në një gjendje më të rrezikshme, sepse bota do t’i shikojë evropianët si ngordhalaqë akoma më të mëdhenj. Duke e pasur të pamundur të mbledhim veten dhe të strukturojmë interesat tona, përpjekjet tona për të bindur të tjerët për pikëpamjen tonë të botës duken donkishoteske. Madje, me Brexit-in, BE-ja do të humbasë një anëtar me rrjete diplomatike shekullore, një fuqi ekonomike dhe një fuqi bërthamore me një ushtri të klasit të parë.

E gjithë kjo duhet të jetë arsye e mjaftueshme për t’i përdorur javët e mbetura deri më 29 mars (dhe ndoshta edhe më tej) për të kërkuar kompromise që mund të limitojnë dëmin e shkaktuar nga Brexit. Natyrisht, shanset nuk janë për një sukses. Për shumicën e opozitës Laburiste, Evropa është shumë më pak e rëndësishme sesa rrëzimi i kryeministres Theresa May. Shumë nga konservatorët në pushtet, ndërkohë (edhe disa brenda laburistëve, për fat të keq), do të arrijnë objektivin e tyre të Brexit duke mos bërë asgjë. Dhe një shumicë parlamentare për një Brexit “të butë” të negociuar duket e pamundur, sepse kjo do ta linte plotësisht të ardhmen e Mbretërisë së Bashkuar në duart e BE-së kur të negociohen kushtet e qëndrimit në tregun e vetëm.

Atëherë, çfarë duhet të bëjnë evropianët? Mund të jetë e saktë të theksohet duke mbledhur shpatullat se Britania e Madhe e vuri vetë veten në këtë pozitë, për shkak të sjelljes së pakujdesshme të elitës së saj politike. Por ky qëndrim nuk ndihmon askënd. Jo vetëm popullsia britanike, por Evropa si e tërë, do të vuajë pasojat e Brexit. Për të arritur një zgjidhje që e mban Mbretërinë e Bashkuar sa më afër BE-së, të gjithë evropianët duhet të pranojnë se ajo që do të ndodhë më 29 mars ka rëndësi për të gjithë ne.

Më konkretisht, partitë social demokrate evropiane duhet të arrijnë te Partia Laburiste dhe lideri i saj euroskeptik, Jeremy Corbyn. Konservatorët dhe liberalët gjermanë, së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron, duhet t’i drejtohen qeverisë irlandeze lidhur me pasojat e mundshme të një Brexiti të vështirë, domethënë një kufi të vështirë midis Irlandës dhe Irlandës së Veriut dhe një ringjallje të dhunës në ishull. Parandalimi i kësaj ishte qëllimi i “pengesës” në marrëveshjen e tërheqjes së Theresa May me BE-në, të cilën parlamenti britanik refuzoi në mënyrë kategorike më 15 janar.

Evropianët gjithashtu duhet të pyesin veten nëse ne mund të biem dakord për një marrëveshje më të mirë midis BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar sesa ajo që kemi deri më tani. Ndoshta ka mënyra të tjera për ta siguruar Britaninë se do të ketë një traktat pasues të pranueshëm për të dyja palët, sipas të cilit askush nuk është peng i përhershëm. Dhe ndoshta ka vend për manovrim në lirinë e lëvizjes brenda BE-së. Në fund të fundit, jo vetëm qeveria britanike, por edhe kryetarët e komunave gjermane dhe këshillat e qytetit kërkojnë më shumë dhe instrumente më të mira për të zbutur ndikimin e emigracionit në sistemet tona të sigurisë sociale. Liria e lëvizjes nuk përjashton menaxhimin e kësaj lirie.

Me afrimin e afatit të datës 29 mars, BE-ja duhet të bëjë të qartë se ora do të ndalet nëse Mbretëria e Bashkuar ka nevojë për më shumë kohë. Kjo nuk do të ishte asgjë e re në negociatat ndërkombëtare. Edhe data për zgjedhjet e këtij viti në Parlamentin Evropian nuk duhet të jetë një pengesë e pakapërcyeshme. Është koha për kreativitet politik. Çdo shans për sukses, sado të pamundura të duken gjasat, duhet të kapet. Çmimi i një Brexiti kaotik është tepër i lartë që kushdo në Evropë ta pranojë i lumtur. /Project Syndicate/BIRN/