Pse s’ka krijime muzikore? (Video)

Tekstshkrues, kompozitorë e këngëtarë të shumtë të skenës muzikore gjithëshqiptare, padyshim se për vite me radhë i kanë dhuruar publikut këngë të mirëfillta, këngë që edhe sot dëgjohen me ëndje dhe lirshëm mund të cilësohen si perla të muzikës së lehtë shqiptare.
“Ditë dimri”, “Zemra e një gruaje”, “Të gënjen ai”, “Edhe një herë”, “Dimëroj”, “Shfletoj gazetën” e “Titanik”, këto këngë me siguri se për një pjesë të mirë të publikut janë më se të njohura, të dëgjuara, dhe të pëlqyera.
Mirëpo, viteve të fundit duket se shumëçka ka ndryshuar. Skena jonë është vërshuar nga emra të rinj, disa prej të cilëve po arrijnë të qëndrojnë fuqishëm në këmbë, duke i ndjekur trendet më të reja të muzikës. E ata që ka vite që janë në skenë, sikur kanë filluar të distancohen dhe të qëndrojnë larg asaj që po ndodh, duke mos sjellë ndonjë këngë të re. Ajo që disa prej tyre shpesh kanë deklaruar është fakti se nuk janë të kënaqur me atë që po ndodh këto vite me muzikën shqiptare, dhe më nuk dëshirojnë të jenë pjesë e kësaj industrie.
Sipas gazetarit, Nderim Neziri, mungesa e tyre po vërehet jashtëzakonisht shumë.
Disa nga këngëtarët, e grupet prej të cilëve prej vitesh nuk kemi dëgjuar ndonjë realizim të ri janë: Alma Bektashi, Ardit Gjebrea, çifti Aida Baraku e Armend Rexhepagiqi, Aleksandër Gjoka, Grupi “Minatori”, Mira Konqi, etj.
Gazetari Neziri shton se këta janë emra të vlerave dhe publiku vazhdon ta ruajë respektin për ta.
Mirëpo, ja që disa prej emrave të lartpërmendur, megjithëse jo me këngë, janë aktivë nëpër disa programe televizive.
Ndryshe nga Alma Bektashi e Ardit Gjerbrea, një shkëputje të tërësishme nga paraqitjet televizive dhe projektet e tyre solo, e kanë prej vitesh Aida Baraku dhe Armend Rexhepagiqi. Derisa ka shumë vite që publiku nuk ka pasur mundësi ta shohë Barakun, Rexhepqagiqi pati një rikthim vite më parë duke marrë pjesë te “Kënga Magjike”, ku me këngën “Kur dashuria vdes” e fitoi edhe çmimin e parë. Më pas, ai ishte pjesë edhe e panelit të jurisë në një nga talent-show në Shqipëri, për të vazhduar bashkë me Aidën tek “E diell”, në rolin e producentëve. E më, nuk u pa as Armendi.
“Edhe një herë” “Shkel” “Harrova” “Kur dashuria vdes” e “Si Titanik”, janë vetëm disa nga këngët e pavdekshme të çiftit Baraku & Rexhepagiqi.
Ndryshe, “Ja ku jam”, “Jeto dhe jetën time”, “Kuturu”, “Më mungon”, “Do të pres”, “Eja ti”, “Molla me shërbet”, “Të dua sa Kosovën” e “Mihane”, janë vetëm disa këngë të tjera të atyre që sot nuk po këndojnë më. Gjithsesi, shpresojmë shumë në rikthimin e tyre që të arrijnë sërish ta kultivojnë shijen e mirë të muzikës tek audienca e gjerë. /KTV/Telegrafi/




















































