LAJMI I FUNDIT:

Pse pushteti në Serbi ka frikë nga gjyqi i kriminelit Veljko Belivuk – çfarë mund të zbulojë ai?

Pse pushteti në Serbi ka frikë nga gjyqi i kriminelit Veljko Belivuk – çfarë mund të zbulojë ai?

I akuzuari Veljko Belivuk, i njohur ndryshe si Velja Nevolja, në seancën e fundit gjyqësore ka thënë se me urdhër të politikës së bashku me Zvonko Veselinoviqin dhe Aleksandar Stankoviqin (Sale Mutavi) ka dërguar huliganët e tij për demoluar objektet në rrugën Hercegovaçka në Beograd, duke paralajmëruar se do të japë më shumë detaje për lidhjen e tij biznesore me organet e shtetit.

Duke qenë se kjo nuk është hera e parë që Belivuk jep detaje të marrëdhënies së tij me shtetin, lind pyetja se çfarë ai mund të zbulojë më tepër, pasi që lista e rasteve të tilla që publiku serb dyshon është e gjatë.


Siç shkruajnë mediet serbe, prej vitesh nuk është sekret se Belivuk dhe Marko Miljkoviq, së bashku me të akuzuarit e grupit kriminal që ata drejtojnë, prej vitesh punojnë për nëntokën serbe dhe kryejnë aktivitete të dyshimta që mund të lidhen me udhëheqjen shtetërore.

Belivuk në seanca ka “zbardhur” për periudhat e mëhershme, të cilat mund ta tronditin politiken serbe.

Afera Savamala apo “Beogradi në ujë”

Rasti i rrënimit të paligjshëm të disa objekteve në rrugën Hercegovaçka në lagjen Savamala nuk është zbardhur zyrtarisht as pas gjashtë vitesh. Disa persona, të cilët ishin maskuar, në natën mes 24 dhe 25 prillit 2016, me ekskavatorë kishin rrafshuar gjithçka për t’i hapur rrugë ndërtimit të projektit “Beogradi në ujë”, nuk janë identifikuar ende.

“Nëse prokurori vazhdon të sajojë prova kundër nesh, unë do të detyrohem të tregoj gjithçka që kemi bërë për shtetin. Do të filloj me Savamalan për të vazhduar me krimet shumë më të renda. Zvonko Veselinoviq , Sale dhe unë dërguam djemtë për të rrënuar objektet në Savamala”, është shprehur Belivuk në seancë.

Krimineli famëkeq serb, Belivuk pranon se i ka shërbyer pushtetit rreth projektit “Beogradi mbi ujë”
Lexo po ashtu Krimineli famëkeq serb, Belivuk pranon se i ka shërbyer pushtetit rreth projektit “Beogradi mbi ujë”

Kujtojmë se Veselinoviq është i njohur për lidhjen e tij për vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq. Nga ana tjetër, Stankoviq u vra në vitin 2016 jo shumë larg Burgut Qendror dhe dikur ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i Velja Nevoljës.

Heshtja e tifozëve

Është e njohur se Belivuk ka nisur të ndërtojë karrierën e tij kriminale në stadium, ku ka treguar se kishte detyrë nga kryesia shtetërore të qetësonte tribunën nga ata që brohorisnin kundër president Aleksandar Vuçiq.

Belivuk gjithashtu pretendon se detyra e tij ishte të ndalonte ngritjen e një pankarte fyese kundër vajzës së drejtorit të klubit futbollistik Yll i Kuq [Crvena Zvezda], Zvezdan Terziq , të cilën tifozët kishin planifikuar ta bënin gjatë ndeshjes.

Veç kësaj, Belivuk ka shpjeguar se pas arrestimit në vitin 2016, për shkak të dyshimit se ai mori pjesë në vrasjen në qendër të Beogradit, bëri që politikanët të humbnin kontrollin mbi tribunën e klubit futbollistik Partizani.

Ai më vonë u shpall i pafajshëm për këtë rast në rrethana misterioze, disa nga provat ishin komprometuar dhe eksperti papritmas ndryshoi deklaratën e tij.

Kjo mund të jetë serioze për presidentin serb: Mafiozët, që bluan mishin e njerëzve të vrarë, e akuzojnë Vuçiqin për krim të rëndë
Lexo po ashtu Kjo mund të jetë serioze për presidentin serb: Mafiozët, që bluan mishin e njerëzve të vrarë, e akuzojnë Vuçiqin për krim të rëndë

“Shtypja” e protestave

Në serinë e punëve që Belivuk ka bërë për Vuçiqin është shtypja e protestave. Ai kujton protestën e taksistëve, të cilët ishin rebeluar kundër aplikacionit për transport “CarGo”.

“Më ka kërkuar që të ndikoj te taksistët që të mos protestojnë, sepse ‘CarGo’ është një kompani miqësore. Më thanë se, vëllai i kryeministres Ana Brnabiq ka marrë pjesë në zhvillimin e atij programi dhe se ne duhet ta ndihmojmë Anën, sepse ajo ka bërë shumë për ne. Greva nuk u mbajt”, pati deklaruar ai.

Në korrik 2020, pati protesta masive, pasi Vuçiq shpalli vendosjen e masave shtetrrethuese ndaj COVID-19. Këto tubime do të mbahen mend si një simbol i brutalitetit policor ndaj qytetarëve, për të cilin askush nuk u ndëshkua.

Përveç policisë, sipas shumë pjesëmarrësve, qytetarët janë sulmuar edhe nga gjoja policë me rroba civile, të cilët në fakt nuk kanë qenë. Gjithashtu në vend të ngjarjes janë sjellë huliganë, të cilët me dashje kanë shkaktuar incidente dhe trazira në dëm të qytetarëve.

Kjo nuk është për t’u habitur, duke pasur parasysh se lidhjet e tyre me Partinë Progresive Serbe (SNS) në pushtet janë shfaqur publikisht shumë herë më parë.

Lidhjet e Vuçiqit dhe qeverisë serbe me mafian?
Lexo po ashtu Lidhjet e Vuçiqit dhe qeverisë serbe me mafian?

Lidhjet e Belivukut me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe funksionarë të të tjerë shtetërorë

Sekretarja më kontroverse e shtetit në Punëve të Brendshme, Diana Hrkaloviq, përveç reputacionit që fitoi në polici, ishte e njohur edhe për lidhjet e saj me të vrarin Aleksandar Stankoviq, i njohur si Sale Mutavi.

Në seancën e fundit, në të cilën u ngrit sërish tema e lidhjes së qeverisë me grupet kriminale, Miljkoviq theksoi se ka bashkëpunuar me Aleksandar Papiqin, pronar i një tabloidi dhe zyrtar i SNS-së.

Nga ana tjetër, ish-shefi i Shërbimit për Luftën kundër Krimit të Organizuar (SBPOK), Goran Papiq është në gjyq me akuzën se ka kërkuar që përveç procedurave t’i kthehet Miljkoviqit menjëherë vetura e sekuestruar.

Trifunoviq: Kriminelët serbë, të lidhur me shërbimet e inteligjencës ruse
Lexo po ashtu Trifunoviq: Kriminelët serbë, të lidhur me shërbimet e inteligjencës ruse

Po ashtu, ish-inspektori i SBPOK-ut, Bozhidar Stoliq akuzohet për rrjedhje të informacioneve te klanit Belivuk për një shumë prej 500 eurosh. Sipas prokurorisë, ai u ka dhënë informacione kriminelëve për më shumë se një vit: nga fundi i janarit 2020 deri në korrik 2021.

Zgjatja e gjykimit të Belivukut

Aktakuza ndaj këtij grupi mori formë të prerë më 9 nëntor të vitit të kaluar dhe brenda një muaji është dashur të fillonte gjykimi. Mirëpo, gjyqtarja e Gjykatës Speciale, Zorana Trajkoviq aktualisht është në pushim mjekësor dhe sipas informacioneve, gjykimi nuk do të fillojë së shpejti.

Për shkak të rrethanave të tilla, një pjesë e publikut në Serbi ka krijuar përshtypjen se gjykimi po shtyhet qëllimisht, sidomos duke pasur parasysh se zgjedhjet e përgjithshme dhe për president do të mbahen në muajin prill. /Telegrafi/