LAJMI I FUNDIT:

Pse një numër shumë i vogël i bujqve të Kosovës i sigurojnë kulturat bujqësore?

Pse një numër shumë i vogël i bujqve të Kosovës i sigurojnë kulturat bujqësore?

Një nga problemet kryesore të fermerëve që merren me kultura bujqësore është rreziku nga kushtet atmosferike.

Pra, një bujk mund të harxhojë para e kohë, e në fund krejt mundi mund t’i shkojë dëm për shkak të një breshri, erërave të forta apo ngricave të pranverës.


Nga viti 2019, në Kosovë është hapur mundësia e sigurimeve të kulturave bujqësore, por numri i atyre që i sigurojnë është i vogël.

Aktualisht në Kosovë janë vetëm 12 produkte që mund të sigurohen, por vetëm për periudha të caktuara të vitit.

Nga më shumë se 100 mijë bujq sa ka Kosova vetëm 100 prej tyre i kanë të siguruara kulturat e tyre në kompaninë e sigurimeve “Elsig”.

Brahim Isufaj, nga kjo kompani ka thënë se për t’i siguruar produktet bujqësore fermeri financohet nga Ministria e Bujqësisë, ndërsa pjesën tjetër e paguan fermeri.

“Tash pagesën e primit e kanë 75%, që rimbursohet nga Ministria e Bujqësisë, ndërsa 25% e paguan vet, por ka disa komuna që kanë shprehur gatishmërinë që t’i financojnë fermerët me 10-15%, ndërsa atyre u ka mbetur të paguajë diku 10% primin” – ka thënë Isufaj.

Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC, anëtare e Grupit të Bankës Botërore), në kuadër të projektit për financimin e bujqësisë në Evropë dhe Azi Qendrore, ka punuar me Ministrinë e Bujqësisë në krijimin e sistemit të sigurimeve bujqësore në Kosovë.

Fatmir Selimi, magjistër i agro-ekonomisë, ka thënë se në vitin 2019 ky dikaster ka filluar me sigurimin e kulturave bujqësore.

“Fillimisht kanë qenë vetëm 6 lloje të kulturave bujqësore që janë mbuluar nga këto sigurime: dredhëza, mjedra, speci, molla, rrushi dhe kumbulla. Pastaj kjo është shtuar dhe deri në vitin 2022 kanë qenë 12 kultura tash janë futur edhe tri të tjera, gjithsej 15 sosh” – ka thënë Selimi.

Selimi është pyetur pse vetëm 15 kultura bujqësore mund të sigurohen.

“Nëse jemi duke folur për sigurimet bujqësore janë ndikimet klimatike që mund të ndikojnë në këto të mbjella, në këtë rast jemi duke folur për ngricat e hershme të pranverës. Duhet t’i dallojmë fatkeqësitë natyrore prej ndikimeve klimatike. Fatkeqësi natyrore janë ngricat e hershme, breshri, temperaturat e larta dhe thatësirat” – ka thënë Selimi.

Por një kulturë bujqësore që është mjaft e kultivuar në Kosovë e që nuk është e siguruar është patatja.

Bedri Kasumi, prodhues i patateve, ka thënë se patatja është një kulturë e shtrenjtë, e cila vetëm në ditën e mbjelljes ka 3 mijë euro investime.

“Unë sot nuk po kërkoj që patatja të sigurohet nga thatësirat pasi nuk kultivojmë patate aty ku nuk ka mundësi të ujitjes por po kërkojmë që kjo kulturë të sigurohet nga ngricat e hershme, breshri dhe vërshimet, tri gjëra që ne shumë shpesh ballafaqohemi” – ka thënë Kasumi.

Ai ka shtuar se Serbia si konkurrente në tregun vendor i ka dy sigurime.

“E ka sigurimin nga kompanitë e sigurimeve dhe nëse nuk është i siguruar fermeri, është Fondi Emergjent që menaxhohet nga komunat që u del në ndihmë atyre, pra ne ballafaqohemi me konkurrencë që kanë dy lloje sigurimeve” – ka thënë Kasumi./Kallxo/