LAJMI I FUNDIT:

Pse Izraeli është ende në Eurovizion? Përgjigjja është më komplekse sesa mund të mendoni

Pse Izraeli është ende në Eurovizion? Përgjigjja është më komplekse sesa mund të mendoni
Ilustrim

Nga: Chris West, autor i librit Eurovizioni: Historia e Evropës moderne përmes konkursit më të madh të këngës në botë [Eurovision: A History of Modern Europe Through the World’s Greatest Song Contest] / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Teksa përgatiten për të parë finalen e këtij viti të shtunën, shumë adhurues të Eurovizionit do të ndihen të përçarë. Disa nuk do ta shikojnë fare. Arsyeja është pjesëmarrja e Izraelit. A nuk supozohet se Eurovizioni [Eurovision] është për “dashuri, dashuri, paqe, paqe” (siç e portretizuan aq mirë prezantuesit suedezë të konkursit të vitit 2016)? Nëse është kështu, mund të pyesin ata, çfarë kërkon pushtuesi i Gazës aty?

Disa njerëz pohojnë se ata që e drejtojnë Eurovizionin, anëtarët e Unionin Evropian të Transmetimeve (EBU), janë thjesht pa shtyllë kurrizore. Të tjerë i referohen sponsorizimit të ngjarjes nga [kompania] Moroccanoil, që megjithëse nga emri tingëllon maroken, është izraelit. Por, një organizatë e madhe ndërkombëtare vështirë se varet nga një kompani kozmetike.


Lexo po ashtu: Eurovizioni si arenë politike

Vlogeri i Eurovizionit, Matthew Wrather, ka paraqitur një argument më të veçantë: gjithçka ka të bëjë me qëllimin themelor të EBU-së. Unioni u themelua në vitin 1950 dhe kishte si qëllim si aspektin teknik, ashtu edhe atë që sot do ta quanim aspekt politik. Teknikisht, projekti kishte të bënte me ndarjen e ideve dhe mundësimin e transmetimeve ndërkombëtare (konkursi i këngës ishte vetëm një nga këto: i pari ishte një festival çmimesh në Montre). Politikisht, EBU-ja mbështeste transmetimin publik shtetëror me një prirje në thelb kritike dhe liberale: transmetuesit që ishin thjesht zëdhënës të qeverive të tyre – përjashtoheshin. Pasi kishin luftuar nazizmin dhe tani jetonin nën hijen e Rusisë Sovjetike, evropianët perëndimorë e shihnin debatin e hapur si thelb të transmetimit serioz.

Megjithatë, që atëherë ky model është vënë në shënjestër. Në shumicën e pjesëve të Evropës, e djathta kritikon rregullisht transmetuesit publikë si zëdhënës liberalë. Shumë nga e majta i shohin ato si bastione të vlerave konservatore, që mbrojnë status quo-në në rastin më të mirë, ose si propagandë shtetërore në rastin më të keq. Me misionin e saj tashmë të kontestuar, EBU-ja është me shpinë për muri – siç nuk ka qenë në vitin 1950.

Askund kjo nuk është më e vërtetë sesa në Izrael. Në vitin 2017, Benjamin Netanyahu e suprimoi Autoritetin e vjetër të Transmetimit të Izraelit (IBA) – Eurovizioni atë vit ishte transmetimi i tij i fundit. Arsyet e dhëna ishin financiare, por komentuesit argumentojnë se ishte një lëvizje politike: IBA-ja shihej si shumë majtiste. Ajo u zëvendësua me Kan-in, transmetuesin aktual. Kan-i është më i nënshtruar se IBA-ja – por, ende jo aq i bindur sa do të donte qeveria, e cila dëshiron që t’i kalohet sektorit privat. Ministri i Komunikimeve, Shlomo Karhi, më parë paraqiti një propozim në këtë drejtim, në vitin 2023, duke akuzuar rrjetin për mbulim të njëanshëm dhe duke pretenduar se fliste në një “mënyrë të turpshme” ndaj anëtarëve të qeverisë. Një organ i tillë do të shkelte rregullat e EBU-së dhe nuk do të lejohej të merrte pjesë në Eurovizion.

EBU-ja ndien se ka detyrim të mbrojë Kan-in, edhe nëse kjo do të thotë të rrezikojë markën e Eurovizionit. Për këtë u krijua: për të mbështetur transmetimin publik, “të lirë dhe të pavarur”. Organizimi i konkursit të këngës, Eurovizion, është vetëm një tangjent në raport me këtë mision.

Nuk ka një zgjidhje të lehtë. Pas pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putini, EBU-ja nuk ndërmori asnjë veprim për të ndaluar Rusinë nga Eurovizioni, derisa vendet pjesëmarrëse kaluan nga deklaratat dhe sugjerimet për dialog kuptimplotë, në kërcënime se do të tërhiqeshin – pikërisht atëherë u mor veprimi me shpejtësi. E njëjta gjë nuk ka ndodhur në lidhje me përfshirjen e Izraelit në konkurs.

Në një farë mënyre, EBU-ja është viktimë e suksesit të vet në drejtimin e Eurovizionit. Konkursi është rritur nga rrënjët fillestare, në thelb të zbavitëse, në diçka që dërgon mesazhe të fuqishme politike në mbarë botën. Drejtuesit e tij e kishin të lehtë, për një kohë të gjatë, pasi këto mesazhe ishin të pakontestueshme në qarqet liberale. Kur këngëtarja transgjinore izraelite Dana International fitoi në vitin 1998, EBU-ja me të drejtë mund të lavdërohej si udhëheqëse e ndryshimeve shoqërore. Po kështu edhe me fitoren madhështore të Conchita Wurstit në vitin 2014. Eurovizioni ishte për gjëra të mira dhe të mrekullueshme. “Dashuri, dashuri, paqe, paqe”.

Tani, organizata ndodhet përballë një dileme. Qeveria aktuale izraelite nuk është zbatuese e paqes dhe pjesëmarrja e saj në konkurs është përdorur nga disa për të shprehur mbështetje për shtetin. Në aspektin afatgjatë, EBU-ja duhet ose të heqë dorë nga kontrolli mbi konkursin e këngës, ose të ndryshojë misionin në mënyrë që mbrojtja (dhe zhvillimi) i markës Eurovizion të jetë qartësisht në qendër të qëllimit të saj. Duhet të vendosë rregulla më të qarta për përzgjedhje, në mënyrë që konkursi të jetë vërtet për “dashuri, dashuri, paqe, paqe”. Por, këtë vit, Eurovizioni nuk do të jetë një shfaqje e lehtë për t’u parë nga adhuruesi i kujdesshëm. /Telegrafi/