Pse disa njerëz nuk i harrojnë kurrë fyerjet dhe çfarë ndodh realisht në trurin e tyre

Disa njerëz vazhdojnë jetën pas një konflikti, ndërsa të tjerë kujtojnë për vite me radhë çdo fjalë, ton apo shikim që i ka lënduar. Psikologjia dhe neurologjia shpjegojnë pse disa përvoja negative mbeten aq thellë të ngulitura në kujtesë
Disa njerëz, pas një zënke apo konflikti, vazhdojnë përpara sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Të tjerë, edhe pas shumë vitesh, e kujtojnë saktësisht shikimin, tonin e zërit apo fjalinë që i ka lënduar. Mjafton të përmendet një person apo situatë e caktuar dhe emocioni rikthehet pothuajse me të njëjtin intensitet si ditën e parë.
Psikologët prej kohësh përpiqen të shpjegojnë pse disa persona i mbajnë mend për shumë më gjatë dhe më thellë përvojat e pakëndshme. Sot, përgjigjja vjen gjithnjë e më shumë nga ndërthurja e psikologjisë me neurologjinë. Nuk bëhet fjalë vetëm për karakter apo “nerva të dobëta”. Mënyra se si i kujtojmë fyerjet lidhet me funksionimin e trurit, hormonet e stresit, ankthin dhe përvojat e hershme jetësore.
Truri nuk i ruan të gjitha kujtimet njësoj
Truri i njeriut përpunon çdo ditë një sasi të madhe informacioni, por jo gjithçka mbetet e ruajtur në kujtesë afatgjatë. Që një ngjarje të mbetet thellë e ngulitur, truri duhet ta konsiderojë atë të rëndësishme.
Një rol kyç në këtë proces ka amigdala, pjesa e trurit përgjegjëse për përpunimin e emocioneve, sidomos frikës, kërcënimit dhe dhimbjes emocionale. Kur përjetojmë një fyerje, poshtërim apo refuzim, amigdala dërgon sinjal se situata është e rëndësishme. Trupi lëshon hormone stresi si adrenalina dhe kortizoli, të cilat ndihmojnë që kujtimi të “mbyllet” më fort në memorie.
Pikërisht për këtë arsye njerëzit shpesh nuk mbajnë mend çfarë kanë bërë javën e kaluar, por mund të përshkruajnë me detaje momentin kur dikush i ka poshtëruar publikisht para shumë vitesh.
Studimet shkencore konfirmojnë se ngjarjet me ngarkesë të fortë emocionale lënë gjurmë shumë më të thella në kujtesë sesa përvojat neutrale, për shkak të lidhjes së fortë mes amigdalës dhe qendrave të memories në tru, transmeton Telegrafi.

Pse disa njerëz janë më të ndjeshëm ndaj fyerjeve
Jo të gjithë trutë reagojnë njësoj ndaj përvojave negative. Tek personat që kanë ankth më të theksuar ose prirje për shqetësim të vazhdueshëm, truri është më i “programuar” të vërejë kërcënimet e mundshme.
Kjo do të thotë se një fjali e pakëndshme mund të ketë shumë më tepër peshë emocionale sesa tek dikush që konfliktet i përjeton më sipërfaqësisht. Psikologët këtë e shpjegojnë me prirjen natyrale të trurit për t’i përjetuar ngjarjet negative më fuqishëm sesa ato pozitive. Për këtë arsye, një kritikë e vetme mund të errësojë dhjetë komplimente.
Tek këta persona shpesh ekziston edhe nevoja për të analizuar vazhdimisht situatat e së kaluarës. Ata rikthehen mendërisht te bisedat, imagjinojnë përgjigje të tjera dhe përpiqen të kuptojnë sjelljen e të tjerëve. Ky proces quhet ruminacion.
Kur truri nuk ndalon së “ripërsërituri” ngjarjen
Ruminacioni, pra rikthimi i vazhdueshëm te situatat e pakëndshme dhe analizimi i tyre pa fund, është një nga arsyet kryesore pse disa fyerje mbeten të gjalla për vite me radhë. Sa më shpesh që njeriu rikthehet te ngjarja, aq më shumë truri e forcon atë kujtim.
Me fjalë të tjera, sa herë që ripërjetojmë një ngjarje të dhimbshme, truri e trajton pjesërisht si një përvojë të re. Për këtë arsye, fyerjet e vjetra mund të shkaktojnë ende puls të shpejtuar, tension apo ndjenjë zemërimi, sikur të kishin ndodhur dje.
Hulumtimet tregojnë se kjo gjendje mund të rrisë nivelin e stresit dhe rrezikun për ankth apo simptoma depresive. Në fakt, truri përpiqet ta “zgjidhë problemin”, por shpesh arrin efektin e kundërt: emocionet vazhdojnë të ringjallen vazhdimisht.
Trauma ndryshon mënyrën si kujtojmë
Kujtesë më të fortë për përvojat negative kanë shpesh njerëzit që kanë kaluar situata të vështira emocionale në të kaluarën. Një fëmijëri me kritika të vazhdueshme, refuzim apo marrëdhënie të paqëndrueshme mund të lërë gjurmë në sistemin nervor.
Këta persona zhvillojnë një gjendje të shtuar vigjilence emocionale. Truri i tyre i vëren më shpejt shenjat e mundshme të refuzimit apo poshtërimit, edhe kur rreziku real nuk është aq i madh. Prandaj, një vërejtje e zakonshme mund të përjetohet si sulm serioz.
Neurologjia tregon se stresi afatgjatë ndryshon mënyrën se si truri përpunon emocionet dhe formon kujtimet. Kortizoli, hormoni i stresit, luan rol të madh në ngulitjen më të fortë të përvojave negative në memorie.
Njerëzit nuk kujtojnë ngjarjen, por ndjesinë
Kujtimet nuk janë regjistrime objektive të realitetit. Shpesh njerëzit nuk mbajnë mend saktësisht situatën, por emocionin që kanë ndier në atë moment.
Për këtë arsye, dy persona mund ta kujtojnë krejt ndryshe të njëjtin konflikt. Njëri mund ta konsiderojë si debat kalimtar, ndërsa tjetri ta mbajë për vite të tëra ndjenjën e poshtërimit apo tradhtisë. Emocionet bëhen një lloj “filtri” përmes të cilit truri ruan kujtimet.
A mund të mësojë truri ta lërë pas të kaluarën?
Lajmi i mirë është se truri nuk është statik. Mënyra se si përpunojmë kujtimet mund të ndryshojë gjatë jetës.
Psikoterapia, puna me rregullimin emocional, ulja e ankthit dhe ndërprerja e rrethit vicioz të ruminacionit mund të ndihmojnë që përvojat e vjetra të bëhen më pak të dhimbshme. Kjo nuk do të thotë se njeriu do të harrojë atë që ka përjetuar, por se kujtimi nuk do të shkaktojë më të njëjtin goditje emocionale.
Ekspertët theksojnë se problemi nuk qëndron te vetë kujtesa. Problemi lind kur truri nuk merr kurrë sinjalin se rreziku ka kaluar dhe se nuk ka më nevojë t’i mbajë plagët e vjetra vazhdimisht “të hapura”. /Telegrafi/








































