LAJMI I FUNDIT:

“Psalm”, pasioni që kthen në ar simbolet etnografike (Foto/Video)

“Psalm”, pasioni që kthen në ar simbolet etnografike (Foto/Video)

Simbolet e etnografisë shqiptare të ndërthurura me teknikën e qëndismës, vijnë në një tablo arti në ekspozitën ”Psalm”. Kjo ekspozitë është një vepër arti e mirëfilltë pasi publiku sheh nga afër në galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura, madhështinë e simboleve shqiptare të punuar me fije ari dhe argjendi.


Këto punime janë punuar me mjeshtëri nga artistja Egla Memaj, e cila e ka realizuar këtë projekt pas një pune për më shumë se tre vitesh. Projekti personal i artistes është kuruar nga Najada Hamza.

Në këtë ekspozitë ajo që të binte në sy ishin detaje etnografike nga veshjet popullore të Elbasanit dhe Beratit. Konkretisht, Xhybja e Elbasanit, Brezi i Beratit, Jeleku i Beratit dhe Sako e Beratit të cilat ishin punuar me fije ari dhe argjendi e që të krijonin idenë e një pamje sa sureale aq dhe të veçantë.

Memaj u shpreh se dashuria për etnografinë ka nisur me muzeun e Beratit që në kohën e fakultetit ku ne bënim praktikat mësimore. Në këtë moment vendosa të merrem me etnografinë. Në këtë ekspozitë ”Psalm”që do të thotë këngë hyjnore kam sjell diçka bashkëkohore”.

”Në këtë ekspozitë prezantohen 29 punime të gjitha të qëndisura, të cilat janë detaje të shkëputura nga veshjet e Beratit si sako, jelek ,breza të cilat përmbajnë motive që janë simbole të vendit tonë nga lashtësia deri më sot”, u shpreh Egla Memaj.

Artistja shtoi se, ”për të bërë këto punime duhet një proces i gjatë 8 deri në 12 orë në ditë”. /ATSH/