LAJMI I FUNDIT:

Protezat Imediate

Protezat Imediate
Ass.Dr.Sci. Visar Disha

Humbja e papritur e çdo dhëmbi veçanërisht në zonën e buzëqeshjes mund të shkaktojë një̈ reagim të fortë emocional, duke përfshirë̈ panik dhe stres të zgjatur, veçanërisht të personat puna e të cilëve është të komunikojnë me njerëzit: si gazetarët, aktorët, mësuesit, mjekët, këngëtarët etj.

Ass.Dr.Sc. Visar Disha
Specialist i Protetikës Stomatologjike
tel. +383 44 559 287


Në disa raste, mund të kemi edhe ndërprerje të përkohshme të veprimtarisë profesionale me një rënie shoqëruese të të ardhurave financiare të një personi.

Protezat imediate vendosen menjëherë̈ pas heqjes së dhëmbëve dhe lejojnë̈ të përtypim ushqimin pa e përjetuar shqetësimin e dhëmbëve që mungojnë. Për ata që nuk duan të mbeten “pa dhëmbë” për disa muaj rekomandohet punimi i protezës imediate.

Qëllimi i punimit të protezave imediate

Arsyeja kryesore e punimit të protezave imediate është që pacienti të mos mbetet pa dhëmbë pas nxjerrjes së tyre dhe në këtë mënyrë të mos e ndërpresë stilin normal të jetës: të qeshurit, të folurit, ngrënien dhe socializimin.

Avantazhet e protezave imediate

Një ndër avantazhet kryesore të protezave imediate është ruajtja e paraqitjes estetike të pacientit, pra evitohet periudha pa dhëmbë.

Protezat imediate parandalojnë zhvendosjet tjera të dhëmbëve që ndodhin pas humbjes së dhëmbit duke i mbajtur ato në pozicion natyral, ruajnë tonusin muskular, dimensionin vertikal të okluzionit si dhe relacionet në mes të dy nofullave.

Falë dizajnit të protezës imediate pacientit i mundësohet të mësohet më shpejtë me dhëmbë artificial.

Pacienti ka më pak dhimbje postoperatore pas heqjes së dhëmbëve pasiqë zonat e ekstraksionit janë të mbrojtura nga proteza imediate, si dhe vendosja e protezave imediate e zvogëlon procesin e resorbimit të kreshtës alveolare.

Pacienti përshtatet më lehtë me protezën dhe në të njëjtën kohë vazhdon procesi i shërimit të plagës nga ndërhyrja kirurgjikale si pasojë e nxjerrjes së dhëmbëve, duke mundësuar në këtë mënyrë përtypjen dhe artikulimin e fjalëve pa problem.

Pse nevojiten protezat e menjëhershme?

Protezat imediate krijojnë një pamje estetike të dhëmbëve, pasiqë ato mbulojnë hapësirën që shfaqet pas nxjerrjes së dhëmbëve duke siguruar rahati psikologjike për pacientin gjatë procesit të shërimit të indeve që do të ndihmojë gjithashtu në shmangien e stresit.

Pamja e dhëmbëve (sidomos ato të përparmë) bëhet estetikisht e këndshme duke i mundësuar pacientëve të buzëqeshin lirshëm.

Kujdesi pas vendosjes së protezave imediate

Pas vendosjes së protezave imediate në 24 orët e para pacienti duhet të evitojë konsumimin e lëngjeve të nxehta dhe nuk duhet ta heqë protezën imediate për 24 orë.

Rekomandohet përdorimi i kompresave të ftohta çdo 20 minuta për shkak të ënjtjes pas heqjes së dhëmbëve.

Pacienti duhet ta shpërlajë gojën me shpëlarës, pas heqjes së protezës, dhe ta pastrojë protezën të paktën 3 herë në ditë.

Këshillohet që pacienti ta mbajë protezën imediate gjatë natës për 7 ditë pas ekstraksionit ose derisa të reduktohet edema.

Mesazhi im

Proteza imediate është një zgjidhje e shkëlqyeshme për komoditetin psikologjik dhe emocional të pacientit. /Telegrafi/