Prokurorja kërkon burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë

Prokurorja Javorka Perlinqeviq sot në seancën gjyqësore ka kërkuar dënim maksimal, burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Perlinqeviq ka thënë se provat kanë vërtetuar se Naim Murseli për shkak të raporteve bashkëshortore dhe fitimit financiar ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes.
Prokurorja tutje ka thënë se provat vërtetojnë se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale, ndërkaq, vrasja e Liridona Ademajt ka ndodhur në prani të fëmijëve të saj, që në kohën kur ka ndodhur ngjarja tragjike ishin 4 e 6 vjeç.
Prokurorja Perlinçeviq po ashtu ka thënë se vrasja e Ademjat është kryer me qëllim të përfitimit nga polica e sigurimit.
“Në këtë shqyrtim gjyqësor është vërtetuar që në muajin qershor 2022, familja Murseli ka paguar policën e sigurimit në emër të Liridona Murselit. Menjëherë pas, Naimi ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që ta gjejë mënyrën që ta vrasë Liridonën, që do të thotë që me vetëdije është paguar polica e sigurimit jetësor për Liridonën”, është deklaruar Perlinçeviq.





















































