LAJMI I FUNDIT:

Prokuroria nuk jep detaje për vdekjen e lehonës

Prokuroria nuk jep detaje për vdekjen e lehonës

Prokuroria Themelore Publike nuk shpalos detaje mbi hetimet e rastit të lehonës 31 vjeçare nga Kërçova e cila ndërroi jetë kohë më parë gjatë procesit të lindjes. Nga ky Institucion thonë se janë në pritje të raportit të Komisionit të formuar nga ministria e Shëndetësisë i cili shqyrtoi rastin e lehonës, që i njëjti t’i shërbejë hetimeve.

Ndërkohë Prokurori kompetent është duke shqyrtuar rastin për të parë nëse ka bazë për të hapur lëndë hetimi. Ndërsa pacientët të cilët veçmë kishin caktuar termine në spitalin privat “Sante Plus” trajtimet e tyre të mëtutjeshme do t’i vazhdojnë nëpër Spitalet tjera të vendit.


Nga Klinika e Gjinekologjisë thonë se kanë kapacitete të mjaftueshme për pranimin e pacientëve të cilët kanë planifikuar lindjet në spitalin i cili tanimë dy ditë është jashtë funksionimit.

Dy ditë më parë Ministria e Shëndetësisë morri vendim që spitalit privat “Sante Plus” t’i merrej licenca pasi që Inspektorati sanitar-shëndetësor kishte konstatuar një sërë parregullsish si mungesë të kuadrit dhe të pajisjeve të nevojshme mjekësore. Inspektimi i jashtëzakonshëm i Inspektoratit sanitar shëndetësor erdhi pas ngjarjes tragjike që ndodhi me 31 vjeçaren nga Kërçova e cila ndërroi jetë gjatë procesit të lindjes, po në këtë spital./alsat/