LAJMI I FUNDIT:

Projekti: Talenti i parë – mundësi mahnitëse për secilin njeri

Projekti: Talenti i parë – mundësi mahnitëse për secilin njeri

Intervistë me njeriun që solli frymën e re të të menduarit e të jetuarit në Kosovë, autorin e librave më të lexuara në vend, njeriun që as vet nuk do ta dijë kurrë sa shumë njerëzve iu ka ndihmuar me shkrimet, emisionet, ligjëratat e tij, njeriun më pozitiv që e duan lexuesit, shikuesit, shkrimtarin e njohur Daut Demakun.

Zotëri Demaku, kohëve të fundit po postoni në Fb dhe YouTube materiale, njësi zënore, nga Kampusi Gjermano-Kosovar dhe të gjitha këto postime e kanë një titull të përbashkët “TALENTI I PARË DHE… dashuria…talenti i parë dhe qëllimi, e tema të tjera”. A na thoni konkretisht, për çka bëhet fjalë?

Ky është Projekti im ku është shkrirë krejt jeta ime.

Është fillimi dhe fundi i gjithë gjakimit tim jetësor, është realizim i synimit, qëllimit dhe dashurisë sime, një ideal që e kam mbajtur në shpirt për këtë popull e këtë vend, prej ditëve të rinisë sime e deri më sot.

Përmbajtja e këtij Projekti është: TALENTI I PARË OSE MUNDËSIA MAHNITËSE PËR SECILIN NJERI. Jam shumë i lumtur që më dha Zoti jetë e shëndet që ta rrumbullakoj krejt këtë Projekt-Ide (në fillim) e tash Projekt i plotë.

E thatë një fjali të madhe: realizim i synimit dhe dashurisë sime, që kam mbajtur në shpirt për këtë popull e këtë vend, prej ditëve të rinisë e deri më sot. Ku qëndron përmbajtja bazike e këtij Projekti?

Synimi im jetësor ka qenë dhe është arritja e pikës më të lartë të jetës njerëzore, që thotë: ta ndihmojmë njeriun që të bëhet NJERI.

Në të gjitha shkrimet e mia, në emisione, në ligjërata, në libra – synimi im ka qenë të merremi me SHKAKUN kryesor e jo me pasojat që nuk iu dihet as numri as fundi.

A ju kujtohet ajo thënia aq shumë herë e përsëritur: nuk ka jetë pa vuajtje, nuk ka vuajtje pa shkak, dhe, nuk ka shkak që nuk mund të tejkalohet?

Shkaktar i të gjitha vuajtjeve në jetën njerëzore është MUNGESA E NJOHJES së mundësive reale që ka njeriu.

Kjo mungesë e njohjes është shkaktari kryesor. I pari. Dhe i vetmi. Të gjitha të tjerat janë pasoja.

Me miliarda vuajtje, fatkeqësi e mjerime, sëmundje e dështime, varfëri ekstreme dhe turbulence të pafundme krijojnë pasojat. E shkaktari kryesor është NJË, vetëm një: mungesa e njohjes!

E qysh të arrihet njohja e shkakut?

Shumë thjesht. Të gjitha të “ndërlikuarat, të pakuptueshmet e të paqartësueshmet” janë të lehta t’i kuptosh – nëse i studion me vëmendje.

Kur thellohemi dhe studiojmë programin gjenetik të njeriut, atë “kompjuterin” e padukshëm në njeriun, atëherë e kuptojmë se ekzistojnë me mijëra veçanti të individit.

Kemi thënë dhe përsëritur me mijëra herë: të gjithë njerëzit i takojnë gjinisë njerëzore, kanë shumëçka të përbashkët, por kanë edhe mijëra e mijëra veçanti dalluese, që secilin individ e bëjnë unik, krejt të veçantë – një të vetëm në botë.

Në kuadër të këtyre veçantive është një DHURATË, një e veçantë, që gjendet në programin gjenetik të secilit individ e që quhet TALENTI OSE PRIRJA E PARË (Kapaciteti i kuptueshmërisë së mendjes normale njerëzore e ka të vështirë ta kuptojë vlerën aq të lartë të kësaj veçantie… Por do ta them në vazhdim.)

Secili njeri jetën e ka dhuratë. Askush asgjë nuk ka bërë për jetën e tij. E tash për ta mbajtur mirë këtë jetë që e kemi dhuratë, falas, na është dhënë një mundësi tjetër, një prirje që thotë: SECILI NJERI DI DHE MUND TA BËJ NJË PUNË MË MIRË SE TË GJITHË TË TJERËT!

Kur ta gjejmë këtë prirje, që e kemi dhuratë, atëherë do ta kuptojmë cila është mundësia e pakufishme e njeriut, cila është rruga më e sigurt e lumturisë njerëzore, cila është bukuria e pafund që mund të shijohet gjatë çdo dite të jetës së njeriut.

Prandaj, po them, duhet t’i rrisim kapacitetet e kuptueshmërisë që t’ia qartësojmë vetes dhe fëmijëve tanë MUNDËSITË MAHNITËSE që posedon secila qenie njerëzore dhe t’i zbatojmë këto mundësi në praktikën jetësore, që jeta jonë të shndërrohet në PARAJSË të vërtetë.

Ky Projekt qenka ZBULIM i madh shkencor, sepse Ajnshtajni thotë: “Të zbulosh do të thotë që të shohësh atë që të gjithë e kanë parë dhe të mendosh atë që askush nuk e ka menduar?”

As mendja nuk më shkon të mendojë për zbulime shkencore. Unë kam bërë përpjekje serioze që informatën të shndërrojë në dituri.

Ne po harrojmë se informata nuk është dije. Informata është MUNDËSI. Kur ta zbërthesh informatën, si thuhet fije më fije, ta njohësh thelbin e përmbajtjes dhe atë përmbajtje ta përdorësh në jetën praktike – atëherë informata bëhet dije.

Nuk po dua të largohem prej temës, por meqë e thatë fjalën “zbulim shkencor” më duhet t’iu përkujtojë se askush asnjëherë nuk ka zbuluar asgjë. Të gjitha kanë qenë këtu, por ka munguar NJOHJA. Ne njohjen e quajmë zbulim, është gabim.

Atëherë cilët janë hapat konkret që t’i afrohemi talentit ose prirjes sonë të parë, kësaj dhuntie njëmend mahnitëse?

Rruga për gjetjen e talentit të parë ose hyrja në fushën e potencialeve të pakufishme të jetës se suksesshme njerëzore është shumë e thjeshtë dhe shumë, shumë e bukur.

E para, mbi të gjitha dhe më kryesorja është: TA DUASH VETEN TËNDE! Dashuria ndaj vetvetes është kushti themelor që të nisesh në rrugën e gjetjes së talentit tënd të parë ose të nisesh në rrugën e mrekullueshme të lumturisë.

Pse dashuri ndaj vetes ose më saktë: a ka njeri i gjallë që nuk e do veten e vet?

Të gjithë themi se e duam veten tonë, por të gjithë e shqiptojmë një GËNJESHTËR të madhe, madje do të thosha një GËNJESHTËR të pakufishme.

Pse? Qe pse: ku shkon mendimi atje shkon energjia. Si valët e transmetimeve. (Shkenca i thotë energji, besimet fetare i thonë shpirt. Pa energji je i vdekur, pa shpirt je i vdekur. Është e njëjta gjë me dy emërtime.)

E tash, njeriu që nuk e do veten e kultivon DËSHIRËN PËR T’U DUKUR. Me çdo kusht dëshiron të duket më i mirë, më i bukur, më i mençur, më i zoti, më i fuqishëm, dikushi me rëndësi e vlerë të lartë.

Kjo ego e tmerrshme është VRASËSI më i rrezikshëm i njeriut, sepse sa herë të mendosh qysh do të dukesh në sytë e të tjerëve – ti me dorën tënde – energjinë e jetës sate ia dhuron tjetër kujt. Kjo është GROPA më gllabëruese e energjisë jetësore. (Edhe një herë: Ku shkon mendimi, atje shkon energjia!)

Këto janë përpjekjet e kota të njeriut që nuk ËSHTË. Njeriu që ËSHTË nuk ka asnjë nevojë të ushqejë gropat gllabëruese të energjisë, por energjinë e ruan për ecje të tutjeshme në rrugën drejt burimit të vet, drejt natyrës së vet, drejt TALENTIT, të tij të parë.

E dyta: njeriu që e do veten e vet – nuk e GËNJEN veten e vet, por është i VËRTETË.

Njeriu që e do veten e vet kujdeset për pastërtinë e trupit të vet, kujdeset për ushqimin e shëndetshëm, kujdeset për ambient të pastër, kujdeset për gjumë relaksues, kujdeset, mbi të gjitha, për qetësinë dhe shëndetin mental, që i prodhon të gjitha gjendjet e mrekullueshme të jetës njerëzore dhe, kështu, ua mbyll derën të gjitha gropave që ia shterojnë energjinë jetësore.

T’i theksojmë (pak) shembuj qysh e vrasim, pa vetëdije, veten tonë.

P.sh. Partnerët që divorcohen bëjnë shamatën e madhe me fyerje e sharje reciproke, dhe, për NJË orë sharje e fyerje të rënda – harxhojnë energjinë e gjenit të jetëgjatësisë për plot 7 vjet e 2 muaj jetë.

Tjetër, kur kultivon një urrejtje, një inat apo një xhelozi dhe kur vazhdimisht mendon keq për “armikun” tënd, në çdo çast energjia e jetës sate shterohet deri në shkallën e apatisë së plotë, kur mendja e njeriut mbetet vetëm një kufomë që merr frymë.

Vetëm njeriu që e do veten e vet e kultivon mençurinë e kthimit të energjisë kah vetvetja dhe i sheh e analizon punët e veta, rrugën e vet, qëllimin e vet dhe kështu – arrijnë të gjitha ato pika që – të marrët – mundohen t’i arrijnë në mënyrën e shëmtuar e të gabueshme. Dhe, natyrisht, dështojnë dhe vuajtja vazhdon.

Pika e tretë është edhe më e bukur. Kjo pikë thotë: o njerëz, zemra e njeriut ka nevojë për dashuri!

Kush e kupton këtë paradigmë e ka në dorë çelësin për të gjitha dyert e jetës në tërësinë e saj të plotë.

Dimensioni i thjeshtë i mendjes njerëzore merret me jetën materiale, ekzistenciale, tradicionale, konkrete, tokësore.

Dimensioni i dashurisë është thellësi dhe lartësi e pafund.

Ata që e kanë kuptuar dhe zbatuar në praktikë dimensionin e dashurisë, sot janë shndërruar në sundimtar te vetvetes dhe sundimtar të botës.

Qasja me dashuri, duke filluar nga vetvetja dhe duke vazhduar ndaj çdo gjëje që na rrethon, është parakushti themeltar që e ndërton dhe e saktëson rrugën e arritjeve më të larta të gjinisë njerëzore.

Për këtë temë duhet shkruar vëllime me libra, por kjo është esenca.

A të kthehemi edhe njëherë te program gjenetik i njeriut, te veçantitë që na e zbulojnë talentin e parë?

Me kënaqësi. Kur e merr dhe analizon – në mënyrë serioze -programin gjenetik të njeriut, të ndalet fryma dhe thua vetmevete: a thua, more njerëz, a gjendet kund një njeri i gjallë mbi sipërfaqen e planetit Tokë që e di dhe e kupton madhështinë e Zotit?

Natyrisht përveç Ajnshtanit që tha: mua më intereson të di çka mendon Zoti, të tjerat janë cikërrime!

Pse po e them këtë? Për dy arsye:

E para: një gjen është sa e njëmijta pjesë e milimetrit. Është një thermi e padukshme për syrin e njeriut. Dhe, kjo thermi e padukshme, sa maja e majës së gjilpërës – përmban INFORMATA hiç më pak se një milion faqe të kompjuterit, të formatit A/4.

Kur ta mësosh këtë të dhënë, natyrisht të ndalet fryma, sepse menjëherë të shkon mendja të mendosh se kush ishte ajo dije absolute, ajo fuqi krijuese, që në një thermi të gjenit, t’i vendos me aq saktësi ato miliarda informata – madje pa gabime?

E dyta: Lere që e bëri programin gjenetik, këtë kompjuter të natyrshëm që rregullon 10% të proceseve jetësore, por ia dha njeriut edhe lirinë krijuese, që me përsëritje e ushtrime ta ndryshojë edhe programin e tij gjenetik dhe të arrijë të gjitha ato maje që i dëshiron. Dhe, prandaj, dhuratat që i kemi, talenti ose prirja e parë dhe si liri krijuese jo vetëm që janë mahnitëse, por na mundësojnë të arrijmë pikën më të lartë të lumturisë njerëzore.

Edhe një ndërhyrje: a janë këto mundësi për të gjithë, apo vetëm për të “privilegjuarit”, të mençurit dhe ata me prirje të lindur?

Një mijë herë e kam nënvizuar një të vërtetë shkencore: mos i nënçmoni njerëzit. Secili njeri në botë vjen me një mundësi. Asnjë njeri në botë nuk i ka të gjitha mundësitë. Madje, ata që kanë shumë mundësi janë edhe më të rrezikuar, sepse vonohen për profilizim.

Kjo do të thotë se është e arritshme për të gjithë?

Ajnshtajni thotë: çdo njeri është një gjeni! Për diçka, natyrisht. Frojdi thotë: njerëzit punojnë për dy arsye: pse janë të detyruar dhe pse e duan punën. Hesse thotë:: Ai që kërkon ta realizojë VETVETEN duke u mbështetur në dhuntinë që ia ka falur natyra – bën MAKSIMUMIN e mundshëm dhe të vetmen gjë me mend. Hill thotë: Kur të bësh punën që e do, më puna nuk është punë, por gëzim. Osho thotë: pse mërzitën njerëzit? Njerëzit mërziten vetëm pse e bëjnë punën që nuk e duan. Këtu është burimi i të gjitha sëmundjeve mentale… Populli ynë ka thënë: mos i gjej njeriut punë, por punës gjeja njeriun. Kjo është vlera e talentit ose prirjes së parë.

A mund të ndihmojë Qeveria dhe Ministria e arsimit?

Po. Mund të ndihmojnë në mënyrë indirekte. Institucionet janë mekanizma me të rëndë shtetëror, që nuk mund të vihen në lëvizje për çdo projekt. Në ekonominë e tregut, sidomos në arsimin real, mund të ndihmojnë vetëm liderët e popullit dhe intelektualët.

Por ta kemi parasysh një të vërtetë të madhe: liderë quhet ai njeri që hapë perspektivë, ndërkaq intelektual quhet vetëm njeriu që prodhon ide!

Mësuesi Lee në Singapor bëri që një ishull, qytet-shtet, 14 herë më i vogël se Kosova, të jetë qendra e katërtë financiare botërore, t’i ketë 5 milionë banorë me standardin më të lartë në botë. Madje në një ishull moçalik pa asnjë resurs natyror. Formula e Mësuesit Lee ka qenë: meditim, meditim, meditim.

Thoni se meditimi prodhon fuqi të madhe zhvillimore?

Po. Meditimi është kthim në brendinë e njeriut. Mbyll sytë. Energjia kthehet brenda. Nuk je në jetën ekzistenciale, por në jetën esenciale. Meditimin e ka kultivuar India tash e 30 shekuj. Kot. Sepse e kanë bërë një gabim të vogël, dhe ky gabim bëri që shteti me një miliardë banorë (sa 500 Kosova), nuk mund të përparojë.

Këtë gabim të Indisë e ka përmirësuar Japonia, Korea e Jugut, Singapori, tash edhe Kina e disa vende të tjera të Lindjes.

E shihni sa është e rëndësishme VLERA E DETAJIT? Një gabim në meditim dhe një miliardë njerëz jetojnë në vuajte, varfëri e mjerim! Një përmirësim i gabimit dhe (për shembull) vetëm firma “Samsung” e Koresë së Jugut punëson me shumë punëtorë se që ka shteti banorë.

Kjo është vlera e individit. Sepse vetëm individët kanë bërë kthesa në çdo shoqëri.

Është si puna e supës së Hipokratit. Gjermanët e morën idenë e supës së Hipokratit dhe prodhuan ushqimin më të shëndetshëm të mundshëm. Veçantia e kësaj supe nuk janë vetëm përbërësit, por është ena ku përgatitet.

E shihni që detajet janë të rëndësishme. Sikur detajet drejt gjetjes së talentit të pare, që në shumicën e rasteve i sheh vetëm Mësuesi apo Mentori i individit. Ne në Qendrën e Mendimit Pozitiv po punojmë me detajet e individit. Detaji është si kripa…

Pse, në cilësinë e Mësuesit, sikur Mësuesi Lee, nuk angazhohesh për zhvillim ekonomik të vendit?

E para: Projekti im për zhvillim ekonomik e civilizues të këtij populli, nuk është për një mandat qeverisës, por për sa të ekzistojnë banorët e kësaj toke. Individët e një populli, që e gjejnë prirjen e tyre të parë ose punën që e duan – dhe këtë e përcjellin te brezi i ri – shndërrohen në popull që kurrë nuk mund të robërohet.

Ndërkaq, për zhvillim afatshkurtër, kam pak ide zhvillimore.

Nuk jam i interesuar të punojë për njerëzit që duan të mbushin barkun një ditë, një muaj apo një vjet. Jam i interesuar të punojë për njerëzit që duan ta mbushin kokën – dhe atë mundësi ta përdorin – për tërë jetën e tyre dhe për brezat që vijnë pas tyre.

Në këtë pikë duhet t’i përballim dy momente kundërthënëse: në një kohë na kanë munguar shkollat, universitetet, literatura, mësimdhënia profesionale. Dhe, ata që nuk na duan thoshin: shqiptarëve shkollën po, por dijen jo! Tash i kemi arritur të gjitha. Madje me tepri. Dhe shih paradoksin: kemi shkolla, literaturë e diploma, por a e kemi dijen? Thjesht e shkurt: arsimin formal e sidomos arsimin real – nuk e kemi në gjendje të mirë.

Tash duhet ta vejmë theksin në vetarsimim. 80% e miliarderëve amerikanë e kanë vetëm nga një shkollë të mesme. Pse? Këta njerëz kanë mësuar vetëm atë që iu duhet. 1% e popullatës – në çdo vendbanim pa vetarsim – posedon 96% të pasurisë së atij vendi, kurse 4% të asaj pasurie e ndajnë 99% e popullatës tjetër.

Qysh t’i përgatisim brezat e reja për këtë rrugën e mesit që jep rezultate? Deri më sot njihet vetëm një mënyrë e vërtetuar: vetëm ai/ajo që e gjen talentin e vet të parë dhe bën punën që e do – do të jetë zotërues dhe ndërtues i suksesshëm i ardhmërisë së vet.

Qysh e vlerësoni gjendjen tonë momentale?

Kurrë shqiptarët nuk kanë qenë në gjendje më të mirë.

Zotëri Demaku atëherë, pse rinia mezi po pret të liberalizohen vizat dhe të marrin rrugën e mërgimit… Të zbrazët Kosova. Kjo është gjendje e mirë?

Këndvështrimi i vjetër, i tejkaluar thotë: ne po eksportojmë mallin më të shtrenjtë në botë – rininë tonë.

Ndërkaq, këndvështrimi i moderuar thotë: nuk duhet të ngelim në nivelin e egërsirave që e shënojnë një territor me urinë dhe thonë: ky është vendi im, nuk dua të hyjë kush as nuk dua të dalë unë.

Ne jemi Evropë. Të jetosh brenda Evrope nuk je mërgimtar, por në vendin tënd. Dy-tri orë fluturim, kjo është jeta moderne e integrimeve.

Koha e jetës në shpella e fise ka përfunduar.

Por, në Evropë duhet të shkojmë me talentin tonë të parë, si profesionist kulminant e jo si shërbëtorë pa qëllim të caktuar për jetë.

Mjaft na përdori bota, hajde ta përdorim pak veten.

E rreziku i asimilimit? A nuk e mendoni fare këtë rrezik?

E para: ata që janë aq të dobët sa të pranojnë të asimilohen ata nuk paraqesin shqetësim. Sepse ata edhe kur kanë qenë – nuk kanë qenë.

E dyta: duhet të kihet parasysh fekator “F” në gjenetikë që thotë: duhet të kalojnë 19 gjenerata derisa i natyralizuari të bëhet vendas i vërtetë. Për 19 gjenerata do t’i përcjellë shqetësimi permanent që kurrë, në asnjë çast, nuk do ta përjetojnë kënaqësinë e mrekullinë e jetës normale, si shokët e tyre që i kanë përballuar asimilimit. I asimiluari është njeri i dënuar me VDEKJE TË PËRDITSHME.

Të kthehemi edhe një herë te TALENTI OSE PRIRJA E PARË, mendoni se është e mundshme të realizohet në Kosovë?

Pa pikë dyshimi. Ne në Qendrën e Mendimit Pozitiv kemi përvojë të gjatë dhe shembuj konkret të këtyre arritjeve.

Në jetën e suksesshme nuk ka duhet. Duhet është dhunë që nuk jep rezultate. Në jetën e suksesshme ka dua. Dua është dashuri që prodhon suksese të vërteta.

Esenca jonë është e barabartë me DËSHIRËN që na vë në lëvizje. Çfarë e kemi DËSHIRËN, të tillë do ta kemi VULLNETIN. Çfarë e kemi VULLNETIN, të tilla do t’i kemi VEPRAT. Çfarë t’i kemi VEPRAT, të tillë do ta kemi JETËN.

Po Ju, praktikisht, a mund t’iu ndihmoni atyre që duan të nisen në këtë rrugë?

Natyrisht që po. Unë me ekipin tim, në Qendrën e Mendimit Pozitiv – pas shumë vitesh përvoje kemi krijuar Platformën Motivuese për Talentin e Parë me AUDIO-CD speciale, të veçantë vetëm për një individ. Madje me kod të veçantë për secilin individ veç e veç.

Ata që janë të vërtetë, të vendosur të nisen në këtë rrugë do të arrijnë shumë. Por ne punojmë me individët qe duan ta BËJNË SUKSESIN, JO ME ATA QË VETËM DUAN TË JENË TË SUKSESSHËM DUKE MOS BËRË ASGJË.

Demaku, duket se është temë shumë e gjerë…

Po. Është e vërtetë. Nuk mund të thuhen të gjitha në një intervistë, debatet do të na mundësojnë t’i zbërthejmë detajet. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
PDK voton kryesinë e re të partisë - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re të partisë - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
“Ka pak Kosovë brenda meje, ndihem danez”, talenti që po mahnit Danimarkën nuk i konsideron Dardanët

“Ka pak Kosovë brenda meje, ndihem danez”, talenti që po mahnit Danimarkën nuk i konsideron Dardanët

Përfaqësuesja e Kosovës
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
Pakënaqësi me Ligjin e pagave, Jasharaj paralajmëron protestë më 1 maj - nuk e përjashton mundësinë e grevës

Pakënaqësi me Ligjin e pagave, Jasharaj paralajmëron protestë më 1 maj - nuk e përjashton mundësinë e grevës

Elfije Boletini
Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Kronika e Zezë
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori