LAJMI I FUNDIT:

Program i pasur dhe shumë befasi gjatë Festivalit të Gastronomisë në Prishtinë

Program i pasur dhe shumë befasi gjatë Festivalit të Gastronomisë në Prishtinë

Programi i edicionit të parë të festivalit të gastronomisë – ”Bukë e kripë e zemërbardhë”, i cili do të mbahet këtë fundjavë, me datë 20 dhe 21 Korrik në sheshin ”Adem Jashari” (afër komunës) në Prishtinë, do të jetë i pasur me sërë aktivitetesh për të gjithë dashamirësit e kulinarisë.

Kanë mbetur vetëm edhe pak ditë nga fillimi i ”Bukë e kripë e zemërbardhë” – festivalit të parë të gastronomisë në Prishtinë. Festival ky, i cili do të begatohet me një numër të madh mysafirësh jo vetëm nga fusha e kulinarisë, mirëpo të pranishëm do të jenë edhe emra të shquar të artit, kulturës, arkitekturës e kështu me radhë.

Përveç prezantimit të recetave dhe koncepteve nga kuzhinierë të njohur nga të gjitha trojet shqiptare, gjatë festivalit do të mbahen forume, punëtori si dhe promovime të produkteve ushqimore vendore, të gjitha këto të shoqëruara me muzikë dhe lojëra të ndryshme.

Në kuadër të ditës së parë të festivalit do të organizohen panele me të ftuar të cilët do të diskutojnë për tema të ndryshme si: verërat shqiptare, arkitektura dhe gastronomia, menaxhimi i restoranteve, tradita e kulinarisë shqiptare, gastronomia dhe zhvillimi i turizmit si dhe shumë tema të tjera. Ndërsa gjatë ditës së dytë, përveç prezantimit të gatimeve nga kuzhinierë të njohur shqiptarë, njëherësh do të mbahen punëtori dhe aktivitete interesante si degustimi i verës.

Të gjitha këto aktivitete do të shoqërohen me muzikë nga grupe dhe këngëtarë të muzikës së mirëfilltë shqipe, si: Ashikët, Offchestra, Nezafete Shala & grupi Melodia e Vjetër dhe violinisti i mirënjohur Shkëlzen Doli.

”Bukë e kripë e zemërbardhë” pritet të kthehet në traditë vjetore të takimit të adhuruesve të kuzhinës shqiptare, me qëllim modernizimin, reformimin dhe promovimin e recetave kombëtare në mbarë botën.