Profesor Osman Grabovci shpallet ‘Qytetar Nderi i Pejës’ – një nderim për një jetë të tërë në shërbim të fjalës, kulturës dhe lirisë


Në manifestimin qendror për shënimin e 27-vjetorit të Çlirimit të Pejës nga okupatori serb, një nga momentet më prekëse dhe më domethënëse ishte shpallja e titujve të nderit për personalitete të dalluara të këtij qyteti.
Në këtë mes, profesor Osman Grabovci u dekorua me titullin më të lartë komunal “Qytetar Nderi i Pejës”.
Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe në praninë e personaliteteve të shumta nga jeta institucionale, kulturore dhe shoqërore, ky vlerësim u dha si mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm që profesor. Osman Grabovci ka dhënë ndër dekada për arsimin, kulturën, gazetarinë dhe çështjen kombëtare.

Titullin profesor Osman Grabovcit iu nda nga kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Pejës, Rexhep Kurtbogaj, shkruan Njëshi.com
Emri i Osman Grabovcit është i gdhendur thellë në kujtesën dhe historinë e Pejës. Profesor i letërsisë, edukator i brezave të tërë, ai i kushtoi jetën fjalës së shkruar dhe dijes, duke mbjellë te nxënësit dashurinë për gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar.
Kontributi i tij nuk u ndal vetëm në auditoret e shkollave. Ai ishte redaktor i Radio Pejës deri në kohën e okupimit, kur regjimi serb godiste çdo zë të lirë shqiptar, për të kaluar në vitet 90-të, në sektorin privat, si pjesë e Shtypshkronjës shqipe të kohës ‘Dukagjini’ i Ekrem Lukës.
Më pas, në Liri, si kryeredaktor shumëvjeçar i RTV Dukagjinit, ai u shndërrua në një prej figurave më të respektuara të gazetarisë dhe medias, duke mbrojtur me profesionalizëm, guxim dhe integritet të vërtetën dhe interesin publik.

Por rruga e tij nuk ishte e lehtë. Për bindjet e tij kombëtare dhe veprimtarinë intelektuale, Prof. Grabovci u përndoq, gjatë regjimit, u burgos dhe u përballë me represionin brutal. Ai mbeti i pathyeshëm, duke dëshmuar se idealet nuk mund të mbyllen pas grilave dhe se fjala e lirë është më e fortë se çdo regjim.

Sot, kur Peja feston lirinë, nderimi për Prof. Osman Grabovcin merr një domethënie të veçantë. Ky titull nuk është vetëm një dekoratë. Është mirënjohja e një qyteti të tërë për një njeri që i shërbeu me dinjitet, mençuri dhe sakrificë. Është një homazh i gjallë për intelektualin, gazetarin, profesorin dhe atdhetarin që mbeti gjithmonë në anën e së vërtetës.

Shpallja e tij “Qytetar Nderi i Pejës” është një akt respekti ndaj një jete të ndërtuar mbi vlera, përkushtim dhe dashuri të pakushtëzuar për qytetin dhe kombin.
Manifestimi solemn është përcjellë me program artistik nga Orkestra e Dukagjinit nga Fakulteti i Arteve i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë. /Njeshi&RADIO 1/


































