Në Sheshin “Skënderbeu” në Pejë është hapur Tregu Mobil Bio, një iniciativë e Zyrës për Barazi Gjinore të Komunës së Pejës, e cila synon mbështetjen e grave prodhuese nga zonat rurale dhe promovimin e produkteve vendore.

Hapjen e tregut e kanë bërë zyrtarja për Barazi Gjinore, Samka Drançolli, dhe drejtori për Zhvillim Ekonomik, Meriton Fetaj.


Në ceremoninë e hapjes kanë marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, përfaqësues të tjerë të komunës, si dhe udhëheqësja e Shoqatës “Agromedicine”, Havushe Bunjaku.

Përmes kësaj iniciative, gratë prodhuese do të kenë mundësi t’i prezantojnë dhe shesin drejtpërdrejt produktet e tyre, ndërsa qytetarët do të mund të blejnë produkte vendore të freskëta.

Tregu Mobil Bio do të organizohet çdo të enjte, në lokacione të ndryshme të qytetit të Pejës, me synimin për të krijuar një hapësirë të qëndrueshme për promovimin e prodhimit vendor dhe mbështetjen e grave sipërmarrëse.

Iniciativa realizohet nga Zyra për Barazi Gjinore e Komunës së Pejës në bashkëpunim me Shoqatën “Agromedicine”.

Sipas Komunës së Pejës, kjo nismë synon të kontribuojë në fuqizimin ekonomik të grave, zhvillimin e ekonomisë lokale dhe krijimin e mundësive të reja për gratë prodhuese nga zonat rurale. /Telegrafi/