eksperti-banner

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në raportin "Bruto Produkti Vendor (PBB), tremujori i katërt 2017", shënon rritje reale për 3.2 për qind, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2016.

Sipas ASK-së, rritja reale e PBB-së sipas aktiviteteve ekonomike është në aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 30.4 për qind, industria përpunuese me 7.4 për qind, transporti dhe magazinimi me 6.8 për qind, tregtia me shumicë dhe pakicë me 5.7 për qind, afarizmi me pasuri të patundshme me 4.2 për qind, industria nxjerrëse me 4 për qind, hotelet dhe restorantet me 3.9 për qind, bujqësia, gjuetia dhe pylltaria me 3.4 për qind dhe ndërtimtaria me 2.6 për qind.


Ndërsa, rënie reale kishte në të dhënat e furnizimit me energji elektrike, ujë dhe trajtim të mbeturinave me 22 për qind.

"PBB-ja sipas qasjes së shpenzimeve ka pasur rritje, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, në eksportin e mallrave dhe shërbimeve me 35 për qind, importin e mallrave dhe shërbimeve me 6.67 për qind, formimin e bruto kapitalit me 4 për qind, shpenzimet e konsumit final të Qeverisë me 3.5 për qind, shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe institucionet jopërfituese në shërbim të ekonomive shtëpiake (IJPSHESH) me 0.1 për qind", thuhet në njoftimin e ASK-së, përcjell Telegrafi.

Me vlerësimin e tremujorit të katërt, sipas metodologjisë, ASK-ja jep një vlerësim paraprak për vitin 2017, i cili mbështetur në shumën e tremujorëve, pati një rritje prej 3.74 për qind, krahasuar me vitin 2016. /Telegrafi/