Privohet nga liria një person lidhur me aksidentin në Shkup, ku dje humbi jetën një 19 vjeçar

Sektori për Punë të Brendshme në Shkup ka privuar nga liria 46-vjeçarin S.O. nga Haraçina, pasi është konstatuar se automjeti i tij ka marrë pjesë në aksidentin fatal në rrugën “Radishanska”.
Në aksidentin e 7 gushtit u përfshinë një “Alfa Romeo” dhe një motoçikletë “Kavasaki”, të drejtuara përkatësisht nga S.B. (47) dhe N.M. (19). Nga plagët e marra, motoçiklisti 19-vjeçar nga fshati Pobozhje ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa drejtuesi i “Alfa Romeos” pësoi lëndime trupore.
Policia, pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe sigurimit të video-incizimeve, konstatoi se në shkaktimin e aksidentit, pa kontakt fizik, kishte marrë pjesë edhe një “Seat Altea” me targa të Shkupit.
Sipas MPB-së, drejtuesi i “Seat Altea”-s është larguar nga vendi i aksidentit pa u ofruar ndihmë të lënduarve. Automjeti dhe shoferi u gjetën rreth orës 19:40 në Haraçinë, pas së cilës S.O. u dërgua në stacion policor dhe u mor në pyetje.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të dorëzohet kallëzim përkatës.





































