Në Shqipëri digjet një furgon me targa të Maqedonisë që transportonte zogj

Një furgon me targa të Maqedonisë është përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm pranë rrugës që çon drejt Kemishtajt, në afërsi të Lushnjës, në Shqipëri. Automjeti transportonte një ngarkesë me zogj nga Maqedonia e Veriut.
Shoferi e ka vërejtur zjarrin pasi kishte dalë nga autostrada.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimi zjarrfikës i Lushnjës ka mbërritur shpejt në vendngjarje dhe ka ndërhyrë për shuarjen e flakëve, të cilat kishin përfshirë kabinën e automjetit.
Pavarësisht ndërhyrjes në kohë, dëmet janë të konsiderueshme. Një pjesë e madhe e ngarkesës është dëmtuar, ndërsa më shumë se gjysma e zogjve kanë ngordhur.
Sipas vlerësimeve paraprake të shërbimit zjarrfikës në Lushnjë, zjarri dyshohet se ka shpërthyer për shkak të një defekti teknik në sistemin e klimës në pjesën e pasme të automjetit, ku ndodhej ngarkesa.
Ekipi hetimor po vijon punën për të përcaktuar plotësisht shkaqet dhe rrethanat e incidentit.





































